Ish-kryeprokurorja e Drejtorisë së Anti-Korrupsionit të Rumanisë, Laura Codruta Kovesi, ka ngritur një padi kundër qeverisë së Rumanisë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut për shkarkimin e saj nga puna pa i dhënë mundësinë të mbrohej.
Ish-kryeprokurorja Laura Codruta Kovesi ka sfiduar qeverinë e vendit të saj në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në lidhje me shkarkimin e saj nga puna vitin e kaluar si kryeprokurore e Drejtorisë së Anti-Korrupsionit në Rumani.
Ajo tha se “të drejtat e saj janë shkelur – siç janë e drejta për të pasur një gjykim të drejtë, të drejtën e mbrojtjes, të drejtën për të apeluar”, u tha ajo gazetarëve të mërkurën pas mbërritjes në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm ku ajo tani shërben si shefe e anti-korrupsionit.
Kovesi tha se nuk ka kërkuar kompensim dhe nuk dëshiron që t’i kthehet puna e saj e mëparshme. “Është çështje parimore,” tha ajo.
Gjykata në Strasburg e mori ankesën e saj në fund të vitit 2018, rreth dy javë para skadimit të afatit gjashtë mujor për këto procedura.
Presidenti Klaus Iohannis, një aleat i bindur i Kovesit, u detyrua ta shkarkonte atë nga puna në korrik 2018 pasi Gjykata Kushtetuese e Rumanisë e detyroi atë të përmbushte kërkesën e qeverisë për ta shkarkuar kryeprokuroren pavarësisht faktit se ai e kundërshtonte këtë lëvizje.
Që nga shkarkimi i Kovesit, Drejtoria e Anti-Korrupsionit është drejtuar nga një drejtoreshë e përkohshme, pasi Iohannis hodhi poshtë propozimin e Ministrisë së Drejtësisë për postin për shkak të lidhjeve të saj me shërbimet e inteligjencës.
Megjithatë, kryeprokurorja e përkohshme e Drejtorisë, Anca Jurma, një nga ish-këshilltaret e Kovesit, tha të hënën se po hiqte dorë nga posti për shkak të akuzave për abuzim.
Qeveria social demokrate e Rumanisë është përpjekur të qetësojë luftën kundër korrupsionit që kur fitoi zgjedhjet legjislative të dhjetorit 2016, duke akuzuar prokurorët anti-korrupsion për abuzim të pushtetit të tyre për të vënë nën shënjestër politikanët e saj.
Disa ndryshime ligjore për të dekriminalizuar ose falur shkeljet që kanë lidhje me korrupsionin kanë çuar në protesta masive.
Pas shkarkimit të Kovesit, ministri i drejtësisë Tudorel Toader i kërkoi gjithashtu presidentit Iohannis më 27 dhjetor të shkarkojë prokurorin e përgjithshëm, Augustin Lazar, i cili është një tjetër mbështetës i luftës kundër korrupsionit.
Iohannis të premten tha se kishte refuzuar ta bënte këtë. Toader u përgjigj të hënën se ai do t’i kërkonte Gjykatës Kushtetuese të vendoste në lidhje me këtë çështje, në një procedurë të ngjashme me atë që u ndoq në rastin e Kovesit.
Rumania gjatë muajve të fundit ka qenë nën vëzhgimin kritik të Brukselit. Komisioni Europian në nëntor publikoi raportin më pesimist në lidhje me çështjet e drejtësisë të vendit që kur ky i fundit iu bashkua BE-së në 2007.
Së bashku me Bullgarinë, Rumania ka qenë nën një procedurë monitorimi të posaçme, Mekanizmi për Bashkëpunim dhe Verifikim, që synon të mbajë nën vëzhgim respektimin e sundimit të ligjit.
Rumania mori kryesimin e Këshillit të BE-së më 1 janar, por dorëzimi është lënë në hije nga shqetësimet rreth politikave të drejtësisë të partisë në pushtet.