Gjykata në Kosovë ka urdhëruar mbajtjen për një muaj në paraburgim të ish-udhëheqësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Xhemshit Krasniqi, i dyshuar për krime lufte në Shqipëri.
Një gjykatës në Gjykatën e Shkallës së Parë në Mitrovicë ditën e mërkurë urdhëroi 30 ditë paraburgim për ish-luftëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Xhemshit Krasniqi.
Avokati i tij Haxhi Millaku tha se gjykata veproi bazuar me kërkesë të misionit të sundimit të ligjit, EULEX-it, duke cituar frikën se ai mund të vërë në rrezik hetimet nëse do të ishte i lirë.
“Ai dyshohet se ka kryer krime lufte në pranverën e vitit 1999 në territorin shqiptar,” tha Millaku për BIRN.
Krasniqi u arrestua të dielën në qytetin e tij të Prizrenit, në Kosovën jugore, gjatë një operacioni policor të kryer nga EULEX.
Prokurorët e EULEX-it dyshojnë se ai ka kryer krime lufte ndaj civilëve të burgosur në kampet e drejtuara nga UÇK-ja në veri të Shqipërisë.
Ai dyshohej se ishte i përfshirë në torturimin e të burgosurve në kampet në Kukës dhe Cahan gjatë muajit prill, maj dhe qershor të vitit 1999 gjatë konfliktit në Kosovën fqinje.
Gjatë bombardimeve të NATO-s në ish-Jugosllavi, nga marsi deri në qershor të vitit 1999, UÇK-ja, e cila në atë kohë luftonte policinë dhe ushtrinë serbe, kishte një bazë në qytetin shqiptar të Kukësit prej nga ata drejtonin operacionet guerilase përtej kufirit në Kosovë.
UÇK-ja kishte gjithashtu një rrjet burgjesh në bazat e tyre në Shqipëri dhe Kosovë gjatë konfliktit të vitit 1999.
Në to mbaheshin shqiptarë të Kosovës që dyshoheshin si bashkëpunëtorë, serbë dhe romë. Disa të ndaluar u torturuan dhe besohet gjithashtu se disa prej tyre u vranë.
Shoqata Serbe e Personave të Zhdukur thotë se rreth 500 serbë të Kosovës ende konsiderohen të zhdukur.
Një raport i Këshillit të Evropës nga viti 2011, tha ish-luftëtarë të UÇK-së përdorën një fabrikë metali në Kukës dhe e shndërruan atë në një ndërtesë multi-funskionale, përfshirë të paktën dy “blloqe qelish” për të strehuar të burgosurit.
I njëjti raport tha se të burgosurit “u hodhën në blloqe të improvizuara qelish, u lanë në kushte çnjerëzore pa ushqim dhe ujë dhe u vizituan periodikisht nga ushtarë të UÇK-së për t’u marrë në pyetje nën trajtim të ashpër ose duke u rrahur”.
Në deklarata të dhëna për prokurorët e Kombeve të Bashkuara në vitin 2009 dhe 2010, më shumë se 10 individë – pothuajse të gjithë shqiptarë etnikë – përshkruan të jenë mbajtur të burgosur, janë goditur me shkopinj dhe objekte të tjera dhe i janë nënshtruar formave të ndryshme të trajtimit çnjerëzor në Kukës.
Disa dëshmitarë deklaruan se britmat e agonisë nga personat që mbaheshin në grupe të veçanta blloqesh qelish mund të dëgjoheshin nëpër korridore.
Kosova aktualisht është në procesin e ngritjes së një gjykate të re të mbështetur ndërkombëtarisht, e cila pritet ta ketë bazën e saj në Prishtinë dhe Hagë.
Krijimi i të ashtuquajturave “dhoma speciale” vjen pasi Grupi Special i Punës i BE-së korrikun e kaluar publikoi zbulimet e një hetimi tri vjeçar me akuzat e bëra fillimisht nga raportuesi i Këshillit të Evropës Dick Marty.
Marty u shpreh se anëtarë të UÇK-së kryen krime të rënda kundër civilëve, si për shembull rrëmbim, torturë dhe madje edhe trafikim organesh.
BE-ja dhe SHBA-ja e kanë nxitur Kosovën të miratojë amendamentet dhe ligjet e nevojshme kushtetuese për të bërë të mundur që gjykata të veprojë.
Ata thonë se gjykata është e nevojshme për shkak se sistemi gjyqësor i Kosovës nuk mundet ose dëshiron të ndjek si duhet penalisht ish-figura të UÇK-së, ose nuk ka kapacitet për të bërë një gjë të tillë.