Lajm22 Oct 2019

Italia kërkon të mbajë në tryezë zgjerimin e BE-së në Ballkan

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, do të udhëtojë drejt Romës më 29 tetor pasi Italia lajmëroi një shtysë të re për ta mbajtur në tryezë çështjen e zgjerimit të BE-së, pavarësisht kundërshtimit të Francës për anëtarë të rinj të mundshëm.

Autor: Sinisa Jakov Marusic BIRN Shkup
Printo

Kryeministri italian Giuseppe Conte. Foto: Facebook/Giuseppe Conte.

Kryeministri italian Giuseppe Conte ka dalë me një iniciativë të re për të ringjallur procesin e zgjerimit të BE-së pasi Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk morën një datë fillimi për bisedimet e pranimit në BE në takimin e Këshillit Europian të javës së kaluar për shkak të kundërshtimit nga ana e Francës.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, do të udhëtojë drejt Italisë javën tjetër, për bisedime përpara takimit të Këshillit të Ministrave të BE-së që do të mbahet më 19 nëntor, kur Italia dhe vendet e tjera anëtare të BE-së pritet të bëjnë presion për një diskutim të ri të çështjes së zgjerimit.

Duke komentuar nismën italiane, Zaev megjithatë shprehu maturi.

“Tani do ta ngadalësoj pak optimizmin dhe shpresat e mia, sepse isha optimisti më i madh që Këshilli Europian do të aprovonte një datë për fillimin e bisedimeve. Le të punojmë në shtëpi dhe të shpresojmë që BE-ja të hapë kapitujt tanë dhe të arrijë të marrë një vendim për fillimin e negociatave”, tha Zaev për emisionin politik 360 Gradë të hënën.

Qeveria e Zaevit tani është duke u përgatitur për zgjedhje të parakohshme pasi kundërshtimi i Francës mohoi një datë fillimi për bisedimet e pranimit në BE të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, pas disa ditësh debate në Këshillin Europian.

Zhvillimi javën e kaluar duket se e la në gjendje konfuzioni politikën e zgjerimit të BE-së.

“Këshilli Europian do t’i kthehet çështjes së zgjerimit përpara samitit BE-Ballkan Perëndimor që do të mbahet në Zagreb në maj 2020”, thuhej në një deklaratë mbi këtë çështje nga takimi i Këshillit Europian.

Por kryeministri italian Conte la të kuptohej për një iniciativë të re të premten sapo u bë e qartë se nuk mund të arrihej një marrëveshje për zgjerimin në Këshillin Europian.

Duke e quajtur zhvillimin “një gabim historik”, Conte tha se ai do të propozonte që Bashkimi Europian të rifillojë bisedimet në nëntor për zgjerimin e bllokut për të përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Franca tha në Këshillin Europian se procesi i zgjerimit të BE-së duhet të reformohet para se blloku të vendosë të fillojë bisedime me anëtarë të rinj të mundshëm, për të lejuar Brukselin të detyrojë shtetet aspirante të rinegociojnë kapitujt e negociatave nëse ata kanë një pengesë në progresin e tyre.

Sekretari teknik i qeverisë së Maqedonisë së Veriut për integrimin në BE, Bojan Mariciç, tha të hënën se Shkupi dëshiron të zbulojë më shumë detaje rreth sugjerimit francez.

“Ne do të kërkojmë një dialog të hapur me Komisionin Europian dhe me Francën për t’u njohur me këtë metodologji negociatash që kërkohet nga Franca. Kam folur tashmë me Brukselin dhe askush nuk ka ndonjë ide se çfarë do të thotë kjo”, tha tha Mariciç për programin televiziv Top Tema TV.