Lajm1 Nov 2019

Ivica Daçiç përballet me ambasadoren e Kosovës në Kombet e Bashkuara

Ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç tregoi në takimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara atë që ai tha se ishte certifikata e lindjes e ambasadores së Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, duke pretenduar se kjo vërtetonte se ajo ishte një qytetare serbe.

Autor: Jakob Weizman BIRN Prishtinë
Printo

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, në takimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të enjten. Foto: Vlora Citaku/Facebook

Ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç shkaktoi një debat kur tregoi atë që ai tha se ishte certifikata e lindjes e ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, në një takim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork të enjten dhe pretendoi se ajo pohonte që ajo ishte një qytetare e Serbisë.

“Vlora Çitaku është akoma një qytetare e Republikës së Serbisë dhe është regjistruar në regjistrin e lindjeve në zonën e Prishtinës nën numrin 6194 për vitin 1980. Zonja Çitaku mund të kishte kërkuar lirimin nga nënshtetësia, por ajo nuk a ka bërë këtë”, u citua të ketë thënë Daçiç në Këshillin e Sigurimit nga gazeta Blic.

Çitaku iu kundërpërgjigj më pas me një postim në Facebook.

“Për disa arsye të pakuptueshme, kolegët tanë serbë menduan se ishte ide e mirë të gërmonin dhe të gjenin një kopje të ‘certifikatës time të lindjes’ dhe ta paraqisnin atë para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ndërsa vlerësoj interesin e tyre për figurat politike të Kosovës, duhet të them që është sjellje e tepruar”, shkroi ajo.

Ajo u shpreh se Serbia kishte marrë shumë dokumente të rëndësishme kur forcat e Beogradit u tërhoqën nga Kosova në fund të luftës në vitin 1999.

“Serbia vodhi regjistrin civil, të dhënat kadastrale, vepra arti, etj. Ata nuk kanë turp për këtë dhe nuk përpiqen ta fshehin”, tha ajo.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara po dëgjonte nga përfaqësues nga Prishtina, Beogradi dhe misioni i Kombeve të Bashkuara, UNMIK, në lidhje me situatën aktuale në Kosovë kur Daçiç tregoi dokumentin.

Ambasadorët e Gjermanisë dhe Rusisë në Kombet e Bashkuara gjithashtu u përfshinë në një diskutim të tensionuar gjatë takimit, pasi ambasadori rus Vasily Nebenzja tha se “nuk ka vend për optimizëm në Kosovë” dhe kërkoi kthimin e ish-provincës jugosllave nën kontrollin e Beogradit.

Ambasadori gjerman Christoph Heusgen u përgjigj duke argumentuar se Kosova është në rrugën e duhur drejt demokratizimit.

“Dua t’i them kolegut tim rus se Kosova ka mbajtur zgjedhje të lira dhe demokratike muajin e kaluar. Tani Kosova është në fazën e tranzicionit të ndërrimit të pushtetit me një qeveri të re. Me këtë mund të them se Kosova është një demokraci e re e mrekullueshme”, tha Heusgen.