Blog22 Feb 2019

Ja ç’mund të mësojmë nga paraardhësit tanë për dietën ushqimore

Na thonë se mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës. Gjatë 50 viteve të fundit, ne jemi bombarduar me mesazhe që lavdërojnë përfitimet shëndetësore të drithërave të përpunuar dhe qullit me tërshërë. Na thuhet se mëngjesi na ndihmon të ulim peshën duke përshpejtuar metabolizmin tonë - kjo na ndihmon të shmangim krizat e urisë dhe ngrënien e tepruar më vonë gjatë ditës.

Autor: Tim Spector, Jeff Leach Weforum
Printo

Foto ilustruese: Pixabay

Këto nuk janë vetëm mesazhe marketingu, ato janë thelbësore për udhëzimet ushqyese në vendet e zhvilluara, si në SHBA, Britani të Madhe dhe Australi, të përgatitura nga panele ekspertësh shkencorë. Këto mesazhe pasqyrohen edhe në media dhe faqet e internetit në mbarë botën. Por po sikur përfitimet e konsumimit të mëngjesit të jenë thjesht një tjetër mit diete?

Nuk ka fjalë për mëngjesin

Në kohët e sotme është e përhapur të ndiqen regjimet ushqimore të paraardhësve tanë të lashtë, por askush nuk duket se po studion faktin nëse ata hanin apo jo mëngjes.

Populli Hadza në Tanzani janë gjahtarët e fundit të vërtetë në Afrikën Lindore, të cilët ne besojmë se jetojnë si paraardhësit tanë. Duke jetuar me ta, vumë re një mungesë të caktuar të rutinës së konsumimit të mëngjesit. Ata gjithashtu nuk kanë asnjë fjalë të rregullt për të përshkruar “mëngjesin”.

Pas zgjimit, burrat zakonisht shkojnë për gjueti ose për të mbledhur mjaltë pa ngrënë, ndoshta duke konsumuar disa manaferra disa orë më vonë, gjatë rrugës. Nëse ata qëndrojnë në kamp në mëngjes apo edhe gjatë gjithë ditës, një sasi e vogël mjalti në mëngjes vonë ose edhe e konsumuar pak para mesditës, mund të jenë e vetmja gjë që ata hanë deri kur konsumojnë një vakt më të madh në mbrëmje. Pra, nuk ka rutinë dhe modelet e të ngrënit janë shumë të ndryshueshme, duke u varur shumë nga madhësia e kampit dhe sezoni.

Gratë qëndrojnë pranë kampit dhe në disa ditë përgatisin ushqim të thjeshtë, për shembull, qull baobab, ose hanë pak mjaltë të ruajtur, por rrallë para orës 9-10 të mëngjesit, duke krijuar kështu një distancë prej 15 orësh që nga vakti i tyre i darkës. Mungesa e një rutine të rregullt të mëngjesit nuk i ka shëndoshur apo sëmurur ato dhe atyre u mungojnë shumica e sëmundjeve të Perëndimit. Ndoshta ne duhet të mësojmë nga ato. Të paktën, kjo është ajo që sugjerojnë provat e fundit shkencore.

Një gabim i sinqertë

Përfitimi shëndetësor i mëngjesit tani është demaskuar nga një rishikim i ri sistematik dhe meta-analizë e 11 provave të rastësishme që hulumtuan ndikimin e kapërcimit të mëngjesit në peshë dhe në normat metabolike.

Studimet ndryshojnë shumë në kohëzgjatje dhe cilësi, dhe shtatë panë ndryshimet në peshë si edhe ndryshimet në përdorimin e energjisë. Përfundimi i tyre është i njëjtë si në studimet e kohëve të fundit që janë shpërfillur në masë të madhe. Pra, nuk ka asnjë provë për të mbështetur pretendimin se anashkalimi i vakteve ju bën të shtoni peshë ose zvogëlon negativisht normën tuaj të metabolizmit.

Tani ka prova të konsiderueshme nga këto studime se kapërcimi i mëngjesit mund të jetë një mënyrë efektive për të reduktuar peshën për disa njerëz. Pra, pse e paskemi kuptuar kaq gabim në të kaluarën?

Një arsye është besimi te “cimbisja” sesa “ngrënia me babëzi” për t’i shmangur trupit “stresin” e tretjes së sasive të mëdha të ushqimit, sidomos vonë gjatë ditës, kur nivelet e glukozës dhe insulinës janë më të larta dhe normal metabolike më e ulët. Ky arsyetim me të meta u bazua të minjtë e laboratorit dhe te disa studime afatshkurtra te njerëzit. Ndërsa koncepti i mbi-kompensiit vonë gjatë ditës ishte i saktë – moskonsumuesit e mëngjesit hanë më shumë drekë dhe e reduktojnë disi aktivitetin e tyre –  kjo nuk mjafton për të përmirësuar deficitin e energjisë në një mjedis të vërtetë jashtë një laboratori.

Shkencëtarët në të kaluarën janë gabuar nga shumë studime vëzhguese që tregonin se njerëzi obezë anashkalojnë vakte më shumë sesa njerëzit e dobët. Ky mendim u rrënjos dogmat nutricioniste. Por këto studime vëzhguese ishin seriozisht të njëanshme. Personat që anashkalonin mëngjesit kishin më shumë gjasa të ishin më të varfër, më pak të arsimuar, më pak të shëndetshëm dhe të kishin një dietë më të varfër. Njerëzit në mbipeshë kanë më shumë gjasa të mbajnë dieta dhe, pas një farë kohe, kanë më shumë gjasa të ndihen fajtorë dhe të anashkalojnë një vakt.

Pavarësisht këtyre defekteve në shkencë dhe rritjes së vazhdueshme të provave të kundërta, ideja që anashkalimi i vakteve nuk është e shëndetshme ka mbizotëruar për dekada të tëra. Kjo është ende pjesë e rekomandimeve aktuale të Shërbimit Shëndetësor Kombëtar nga Shëndeti Publik Angli dhe një nga tetë mesazhet e saj kyçe për një dietë të shëndetshme, pjesë e Udhëzimeve Ushqimore të USDA për Amerikanët, si edhe Udhëzimeve Australiane për të Ushqyerit.

Një tjetër argument i zakonshëm pro konsumit të mëngjes është se, përveç reduktimit të obezitetit, ai është thelbësor për mirëqenien mendore dhe për përqendrimin e fëmijëve, edhe nëse ata ushqehen mirë. Përsëri dëshmia e më shumë se 20 provave, kur shqyrtohen në mënyrë të pavarur, është e dobët dhe e papajtueshme, dhe ndoshta i njëanshëm në të njëjtën mënyrë si për të rriturit.

Po shtohen gjithashtu provat që tregojnë se e ngrëna e kufizuar dhe rritja e intervaleve kohore që qëndrohet pa ngrënë mund të ndihmojnë disa njerëz të humbasin peshë. Disa nga këto zhvillime të fundit që duken kundërthënëse ndaj të menduarit tradicional, kanë kuptim kur marrim parasysh rëndësinë e mikrobiomave të zorrës në shëndetin dhe metabolizmin tonë. Komuniteti prej 100 trilionë mikrobe nëpër zorrë ka një ritëm qarkullues dhe ndryshon në përbërje dhe funksionim gjatë fazave të qëndrimit pa ngrënë dhe fazave kur konsumohet ushqim. Të dhënat sugjerojnë se komunitetet mikrobiale mund të përfitojnë nga periudha të shkurtra qëndrimi pa ngrënë. Ata, njësoj si ne, mund të kenë nevojë të pushojnë dhe të marrin veten.

Disa prej nesh janë të programuar të preferojnë të konsumojnë ushqim më herët gjatë ditës dhe disa të tjerë ta konsumojnë atë më vonë, gjë e cila mund të përshtatet me metabolizmin tonë unik personal. Rreth një e treta e njerëzve në vendet e zhvilluara e anashkalojnë rregullisht mëngjesin ndërsa shumë të tjerë e shijojnë atë. Kjo nuk do të thotë se të gjithë ata që janë mbipeshë do të përfitonin nga moskonsumimi i mëngjesit. E njëjta gjë nuk vlen për të gjithë dhe udhëzimet e dietave të mbushura me informacione të gabuara duken gjithnjë e më kundërproduktive dhe devijojnë nga mesazhet e rëndësishme shëndetësore.

Popuj të ndryshëm kanë zakonet e tyre të ndryshme të mëngjesit, por para se të dilni për gjueti herën tjetër, pse të mos eksperimentoni edhe vetë me moskonsumimin e mëngjesit? Mund t’ju shkojë për shtat.

Marrë me autorizim nga Weforum.org. Here’s what we can learn about diet from our ancestors