Blog30 Sep 2019

Ja qytetet më të mira për ekuilibrin punë-jetë në vitin 2019

Të gjesh kohë për veten gjatë një jave stresuese pune nuk është e thjeshtë. Por në disa vende është më lehtë sesa në disa të tjera, sipas një studimi të fundit.

Autor: Johnny Wood Weforum.org
Printo

Helsinki, Finlandë. Foto ilustruese: Pixabay.

Kompania Kisi anketoi 40 qytete në të gjithë botën për të zbuluar se ku banorët kanë ekuilibrin më të mirë punë-jetë, duke i vlerësuar këto vende në bazë të faktorëve të punësimit, të tilla si koha mesatare e udhëtimit për në punë, orari i punës dhe pushimet, së bashku me mirëqenien dhe të drejtat qytetare.

  1. Helsinki, Finlandë

Banorët e Helsinkit gëzojnë ekuilibrin më të mirë në botë të punës dhe jetës, me një javë relativisht të shkurtër pune prej 40 orësh dhe një mesatare të ulët udhëtimi për në punë prej 26 minutash.

Pushimet mesatare vjetore janë 30 ditë, që është një nga më të lartat e çdo vendi në studim. Helsinki gjithashtu ofron leje lindje të paguar shumë mirë, e cila është 1,127 ditë, shumë më tepër se vendet e tjera, me përjashtim të Hungarisë.

  1. Mynih, Gjermani

I pari nga tre qytetet gjermane në 10 vendet e para, Mynihu është qyteti me stresin më të ulët në listë. Java mesatare e punës është më e gjatë se ajo e Helsinkit me vetëm një orë më shumë dhe koha e udhëtimit për në punë është vetëm një minutë më shumë, 27 minuta.

Ekzistojnë disa dallime të theksuara midis dy qyteteve më të mira. Në kryeqytetin bavarez, pushimet minimale janë vetëm 20 ditë, megjithëse shumica e punonjësve marrin mesatarisht pothuajse 30 ditë. Prindërit mund të marrin 406 leje lindje të paguar, rreth një të tretën e asaj që mund të marrin në Helsinki.

  1. Oslo, Norvegji

Nga qytetet e anketuara, banorët e Oslos punojnë më pak orë në javë (38.9 orë) dhe vetëm një përqindje e vogël e njerëzve punojnë më shumë se 48 orë në javë.

Qyteti ofron leje lindje të paguar për prindërit dhe ka rezultatin më të lartë të barazisë gjinore nga të gjitha qytetet e anketuara, i ndjekur nga Stokholmi dhe Helsinki. Ai kryeson përsa i takon qasjes në shërbimet e shëndetit mendor.

  1. Hamburg, Gjermani

Ashtu si Mynihu, edhe Hamburgu ka një javë pune 41-orëshe dhe është një vend relativisht me stres të ulët për të jetuar dhe punuar, megjithëse nuk është aq i sigurt.

Gjermania është i vetmi vend me më shumë se një qytet në listën e dhjetë më të mirëve. Të tre këta qytete kanë javë të shkurtra pune të ekuilibruara me politika familjare. Koha e lirë luan një rol të rëndësishëm në jetën e gjermanëve.

  1. Stokholm, Suedi

Qeveria e Suedisë ka ndërmarrë hapa për të ndihmuar popullsinë të ekuilibrojë angazhimet në punë me jetën në shtëpi.

Stokholmi mori 76.9 pikë për barazinë gjinore, rezultati i dytë më i lartë në sondazh. Kjo është pjesërisht për shkak të orarit fleksibël të punës dhe strukturës së lejes së lindjes. Barazia shoqërore është e lartë në të gjithë qytetin, me barazinë LGBT+ që arrin 100%.

  1. Berlin, Gjermani

Punonjësit në Berlin mbërrijnë për punë mesatarisht rreth orës 10:00, më vonë sesa qytetet e tjera gjermane në 10 vendet e para, por ende përpara shumë vendeve të tjera të listës. Transporti mesatar është pak më i gjatë, por nivelet e stresit në Berlin janë më shumë sesa dyfishi i atyre të Hamburgut dhe tre herë më të larta sesa në Mynih.

  1. Zyrih, Zvicër

Në Zyrih, njerëzit punojnë më shumë sesa çdo qytet në 10 vendet e para dhe bëjnë një rrugë më të gjatë për në punë.

Qasja në shërbimet e shëndetit mendor, megjithatë, është e dyta më e mirë dhe qyteti gëzon një nga nivelet më të ulëta të stresit, i kryesuar vetëm nga Mynihu.

Qyteti më i populluar i Zvicrës ka ndotje të ulët të ajrit dhe kryeson studimin për sa i përket mirëqenies dhe përshtatshmërisë së banorëve të tij.

  1. Barcelona, Spanjë

Ka presion për të hequr dorë nga tradita e drekave të gjata dhe “siestave” të pasdites në disa qytete spanjolle. Në Barcelonë, punëtorët punojnë pothuajse 41 orë në javë, që është pak a shumë njësoj me vendet e tjera në 10 vendet e para.

Kur nuk punojnë, banorët e qytetit bëjnë më shumë pushime sesa ata në qytetet e tjera, me një mesatare prej 30.5 ditësh në vit, më shumë sesa minimumi i kërkuar prej 22 ditësh.

  1. Paris, Francë

Punonjësit në kryeqytetin francez kanë kohën e udhëtimit më të gjatë në mesin e 10 kryesuesve, me një mesatare prej 44 minutash, krahasuar me 26 minutat në Helsinki. Por të dy qytetet kanë një total prej 30 ditë pushime në vit.

Legjislacioni kërkon që Franca të promovojë në mënyrë aktive një ekuilibër të shëndetshëm të punës dhe jetës. Java e punës mbyllet me 35 orë punë dhe punonjësit mund të zgjedhin të mos dërgojnë ose të marrin emaile pune pas orarit.

  1. Vankuver, Kanada

Vankuveri është i vetmi qytet jashtë Europës ndër 10 m të mirët. Për shumicën e banorëve, rrugëtimi për në punë zgjat pak më shumë sesa gjysmë ore. Dhe java e punës është rreth 40 orë – e ngjashme me shumicën e të tjerëve në 10 vendet e para.

Megjithatë, ashtu si fqinji i tyre Shtetet e Bashkuara, kanadezët kanë pushim të paguara të kufizuara. Bbanorët e Vankuverit kanë vetëm 10 ditë pushime të paguara, edhe pse banorët marrin mesatarisht më shumë se 15 ditë.

Marrë me autorizim nga Weforum.org. These are the best cities for work-life balance in 2019