Blog17 Mar 2020

Ja si po i qetëson Norvegjia fëmijët nga frika e COVID-19

Kryeministrja e Norvegjisë u është përgjigjur pyetjeve të fëmijëve në lidhje me pandeminë koronavirus. Vendi ka mbyllur një gamë të gjerë institucionesh publike dhe private, përfshirë shkolla dhe kopshte.

Autor: Weforum WeForum
Printo

Kryeministrja e Norvegjisë Erna Solberg. Foto: Facebook/Erna Solberg.

Kryeministrja norvegjeze Erna Solberg u tha fëmijëve të vendit të hënën se është normale të ndihen të frikësuar gjatë “ditëve të veçanta” të shpërthimit të koronavirusit.

Vendi nordik ka mbyllur një sërë institucionesh publike dhe private, përfshirë shkolla dhe kopshte, në një përpjekje për të luftuar përhapjen e koronavirusit.

“Kanë qenë ditë të veçanta. Shumë fëmijë mendojnë se kjo është e frikshme”, tha Solberg gjatë një konference për shtyp në zyrën e saj kushtuar përgjigjes së pyetjeve të fëmijëve në lidhje me pandeminë. “Është normale të frikësoheni kur ndodhin kaq shumë gjëra në të njëjtën kohë.”

“Edhe nëse shkolla juaj është kontaminuar, gjithçka do të shkojë mirë. Edhe me mamin dhe babin tuaj, nëse ata janë infektuar”, shtoi ajo, e mbështetur nga ministrat e saj për arsimin dhe për familjen dhe fëmijët.

Treshja më pas iu përgjigj pyetjeve të postuara nëpërmjet një programi televiziv për fëmijë, të tilla si “A mund të organizoj një festë për ditëlindje?”, “A mund të vizitoj gjyshërit e mi pasi shkova në një qendër tregtare?”, “Sa kohë duhet për të prodhuar një vaksinë?” ose “Çfarë mund të bëj unë për të ndihmuar sadopak?”

“Duke ndenjur në shtëpi, ju po ndihmoni që të mos infektohen dhe sëmuren njerëz të tjerë. Kjo është shumë e rëndësishme për ata që vuajnë nga ndonjë sëmundje ose që janë shumë të moshuar”, tha Solberg.

Shumica e fëmijëve janë në shtëpi dhe nuk mund të takojnë miq dhe të afërm, sidomos të moshuarit. Fëmijët e prindërve që punojnë në sektorë kyç,siç janë infermierët dhe mjekët, munden akoma të shkojnë në kopshte dhe shkolla.

Nuk është hera e parë që politikanët norvegjezë u drejtohen fëmijëve në televizionin kombëtar.

Gjatë zgjedhjeve lokale shtatorin e kaluar, liderë politikë, përfshirë Solberg, morën pjesë në një debat të veçantë në një program televiziv për fëmijë.

Dita kombëtare e vendit, e mbajtur më 17 maj, është një festë fëmijësh, me parada shkollore në të gjithë vendin.

Marrë me autorizim nga Ëeforum.org Here’s hoë Norway is reassuring children over COVID-19 fears