Interviste23 Feb 2019

Jamie Shea: NATO druhej mos Rusia pushtonte Kosovën

Në një intervistë për një program televiziv të BIRN Kosovës, një ish-zëdhënës i NATO-s Jamie Shea tregoi për çastet e tensionuara të fushatës ajrore të aleancës kundër Serbisë – kur forcat ruse papritur u dukën në Kosovë.

Autor: Jeta Xharra BIRN Prishtinë
Printo

Ish zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea. Foto: NATO

Jamie Shea ishte fytyra publike e fushatës së NATO-s për të dëbuar forcat serbe nga Kosova në vitin 1999. I admiruar në Kosovë dhe i fyer në Serbi, ai ishte një prani e pashmangshme në televizione për muaj të tërë.

Sot veterani tashmë në pension i NATO-s ka një profil më të ulët publik si profesor i Strategjisë dhe Sigurisë në Universitetin Exeter në Anglinë jugperëndimore.

Në një intervistë për programin televiziv të BIRN Kosovës “Jeta Ne Kosovë” për fushatën e NATO-s, që i dha fund sundimit serb në Kosovë, ai kujtoi “momente tronditëse dhe të tensionuara” në qershor të vitit 1999, kur trupat ruse hynë në Kosovë nga Bosnja dhe konfiskuan aeroportin e Prishtinës para se të mbërrinin trupat e NATO-s.

Për disa ditë, flitej për një përballje, madje edhe për luftë, midis NATO-s dhe Rusisë mbi ish-krahinën e atëhershme serbe.

“Rreziku i vërtetë që patëm atë ditë të veçantë ishte shqetësimi se rusët do të dërgonin forca të specializuara, më shumë forca, direkt nga Rusia, mbi Europën Lindore dhe në Kosovë për të përforcuar trupat ruse që kishin vazhduar përpara, kështu që ne do të kishim të bënim me një kontigjent shumë më të madh rus, i cili mund të zinte pjesën veriore të Kosovës apo ndonjë sektor tjetër,” kujtoi Shea.

Kjo perspektivë bëri që planifikuesit e NATO-s të shqetësoheshin se Kosova do të ndahej si Gjermania midis zonave ruse dhe perëndimore.

“Imagjinoni Berlinin në Luftën e Dytë Botërore,” shpjegoi Shea, duke kujtuar ndarjen Lindje-Perëndim të kryeqytetit gjerman pas luftës, e cila vazhdoi për pothuajse gjysmë shekulli.

Për Shean, ai moment i caktuar i tensionuar përfundoi kur Republika Çeke, Hungaria dhe Polonia, të cilat sapo kishin hyrë në aleancën e Atlantikut të Veriut, bllokuan hapësirën ajrore të tyre dhe kështu ndaluan Rusinë që të dërgonte trupa shtesë nga toka ose ajri.

Si përfundim, kontigjenti i trupave ruse u tërhoq brenda disa muajsh, kujton Shea, duke lënë NATO-n nën kontrollin e vetëm të territorit të Kosovës. Bllokimi përfundoi.

Mijëra serbë u larguan nga Kosova pas kolapsit të sundimit serb, por Shea thotë se NATO-ja pengoi spastrimin etnik të llojit që ndodhi në Bosnje.

“Jam i lumtur që NATO-ja ishte në gjendje të ndalte spastrimin etnik në Kosovë dhe mësoi mësimet e Bosnjës që ishin vërtet shumë tragjike,” tha Shea.

Njëzet vjet më vonë, Shea nuk e nënvlerëson rrezikun që Rusia të zgjerojë ndikimin e saj në rajon.

Por ai gjithashtu këmbëngul se Ballkani është i orientuar drejt integrimit euro-atlantik në përgjithësi dhe Rusia ka fituar pak terren.

“Nëse bëni një hap pas, sidomos gjatë këtyre 20 viteve, dhe shikoni se cili ka qenë drejtimi i përgjithshëm, ka qenë se 99 për qind e rajonit po i afrohet më pranë strukturave të NATO-s, BE-së dhe integrimit euro-atlantik,” tha ai.

“Nëse do të isha presidenti Vladimir Putin, sigurisht që nuk do të shihja se unë jam fituesi në këtë proces,” deklaroi ai në mënyrë të vendosur.

Shea shprehu krenarinë se ai kontribuoi në atë që ai e quan sjelljen e lirisë për shqiptarët e Kosovës.

Por ai nuk i mbështet të gjitha zhvillimet e fundit në vend, sidomos në lidhje me formimin e një ushtrie të Kosovës, të cilën NATO e ka kritikuar.

Ai shprehu dyshime më parë për mençurinë e transformimit të Forcës së Sigurisë të Kosovës të armatosur lehtë në një ushtri të rregullt në vitin 2017, në një intervistë tjetër për BIRN.

Ai mbetet skeptik sot bi mënyrën si janë bërë gjërat.

Në vend që të ndryshonte kushtetutën për të formuar një ushtri, e cila do të kërkonte mbështetjen e deputetëve të pakicës serbe, Kosova zgjodhi një rrugë tjetër, thjesht duke ndryshuar kompetencat ekzistuese të FSK-së.

Shea tha se do të kishte preferuar një transformim të rregullt kushtetues të FSK-së në vend të procesit që u përdor – transformimin e FSK-së nëpërmjet një ligji të posaçëm të miratuar në dhjetor të vitit të kaluar.

Ai tha se veprimi sipas procedurës normale, e cila përfshin një konsultim të gjerë me NATO-n, aktorët lokalë dhe pakicat, do të kishte bërë një forcë më “multietnike”.

Megjithatë, Shea këmbënguli se Kosova është e sigurt ndërkombëtarisht dhe shpreson që shoqëria kosovare të përqendrohet më shumë në çështje si arsimi dhe jo te siguria.

“Ka disa anëtarë të NATO-s të cilët do të ishin të lumtur të kishin 5,000 trupa të NATO-s në territorin e tyre, kështu që Kosova është një vend i mbrojtur ndërkombëtarisht,” përfundoi ai.