Lajm23 Mar 2020

‘Java e vështirë’: Dyfishohen viktimat dhe rastet e reja nga COVID-19

Dy personave humbën jetën në 24 orët e fundit dhe një i tretë është në gjendje të rëndë në spitalin Infektiv në Tiranë –ndërkohë që harta e sëmundjes u zgjerua dhe në Vlorë e Shkodër pas zbulimit të 15 rasteve të reja brenda një dite.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo


Shqipëria shënoi për të dytën ditë radhazi dyfishim të rasteve të reja të prekura nga koronavirusi i ri COVID-19, ndërsa numri i viktimave u dyfishua gjithashtu në katër.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri me dije të hënën se u zbuluan 15 raste të reja nga 45 testime të kryera, duke e çuar numrin total të personave të prekur nga koronavirusi në 104.

Dy persona humbën jetën në spitalin Infektiv në Tiranë në 24 orët e fundit, ndërsa një pacient i pestë është në gjendje të rëndë dhe po lufton me vdekjen.

“Janë shënuar dy humbje jete në 24 orët e fundit, një 71-vjeçar me disa sëmundje bashkëshoqëruese dhe një 43-vjeçar, i cili kishte obezitet,” tha Silva Bino nga OBSH.

Dy viktimat e reja nga COVID-19 janë 71-vjeçari me origjinë nga Kuçova, i cili vuante edhe nga kanceri në mushkëri dhe 43-vjeçari nga Kavaja, i cili nuk kishte sëmundje të tjera shoqëruese. Një 61-vjeçar pësoi gjithashtu vdekje klinike në spitalin Infektiv në Tiranë, por sipas mjekut Pëllumb Pipero, u rikthye fatmirësisht në jetë.

Harta e zonave të prekura u zgjerua sërish të hënën me Vlorën dhe Shkodrën, të cilat rezultonin deri më tani të painfektuara. Katër anëtarë të një familjeje rezultuan pozitivë në Vlorë, ndërsa Shkodra shënoi rastin e parë të prekur.

Tirana vazhdon të mbetet vatra më e madhe në Shqipëri dhe të hënën, numri i personave të prekur me COVID-19 shkoi në 68. Fieri është qyteti i dytë më i goditur me 12 raste, i ndjekur nga Durrësi me 7 raste.

Në një postim në Facebook, kryeministri Edi Rama tha se vendi ka hyrë në javën e vështirë dhe u bëri thirrje qytetarëve që të zbatojnë me rigorozitet masat e distancimit social.

“Kemi hyrë në një javë tejet të vështirë dhe po humbasim njerëz. Kemi vetëm një gjë në dorë për të kursyer sa më shumë jetë dhe lehtësuar sat ë mundemi vuajtjet e mëdha; të shtrëngojmë dhëmbët dhe të durojmë, durojmë, durojmë, duke mos shkelur ligjet e luftës për lëvizjen,” tha ai në Facebook.