Ministri i drejtësisë i Kosovës Abelard Tahiri i ka dorëzuar dorëheqjen e tij kryeministrit Ramush Haradinaj, me raporte që citojnë si arsye “ndërhyrjen politike në proceset gjyqësore”.
Ministri i Drejtësisë i Kosovës Abelard Tahiri i dorëzoi të hënën dorëheqjen kryeministrit Ramush Haradinaj.
Ai ishte i pakënaqur me zhvillimet e fundit në sistemin gjyqësor, përfshirë ndërhyrjen politike në procesin gjyqësor, thanë mediat lokale në raporte të pakonfirmuara.
Gjatë një interviste televizive për T7 në Prishtinë të hënën në mbrëmje, kryeministri Haradinaj konfirmoi se Tahiri ka ofruar dorëheqjen e tij, por tha se ai fillimisht duhet të konsultohet me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, Kadri Veseli, i cili ishte në një vizitë zyrtare në Londër në atë kohë.
Sipas raporteve të mediave, Tahiri mendonte se Kosova mund ta kishte akoma më të vështirë të siguronte liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian pas zhvillimeve të fundit në sistemin gjyqësor.
Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ishte kriteri i fundit i mbetur që duhet të përmbushte Kosova për të fituar liberalizimin e vizave dhe në korrik Komisioni Europian konfirmoi se Kosova tani i kishte përmbushur të gjitha kriteret që qytetarët e saj të lëvizin pa viza.
Javën e kaluar një delegacion i BE-së vizitoi Kosovën për të inspektuar progresin që është bërë në luftën kundër korrupsionit.
Tahiri është i afërt me presidentin Hashim Thaçi dhe para se të emërohej ministër drejtësie, ai ka shërbyer si këshilltar politik i tij për vite me radhë.