Të rinjtë ‘gay’, lesbike dhe transgjinorë përballen shpesh me bullizëm dhe diskriminim, në mënyrë të veçantë në qytete të vogla dhe zona rurale, ku disa prej tyre detyrohen të braktisin dhe shkollën. Për t’i ardhur në ndihmë aktivistët po trajnojnë një rrjet profesionistësh vendorë, të cilët mund të shërbejnë si sistem referimi.
Altini* fundos fytyrën në shuplaka dhe flet me ton të ulët, ndërsa rikujton fëmijërinë e tij në një fshat të vogël të Shkodrës dhe moshën kur kuptoi orientimin e tij seksual.
“Diferencën midis vetes dhe shokëve te mi e kam kuptuar diku nga klasa e katërt,” shprehet 26-vjeçari, më flokë të prera shkurt dhe i veshur me një bluzë pambuku të verdhë të përzier me figura shumëngjyrëshe.
“Unë luaja vetëm me kukulla dhe buzëkuq, shoqet e ngushta i kisha vetëm vajza dhe që aty filluan të kuptonin që unë isha ndryshe, dhe filluan ngacmimet” , kujton Altini. “Më pas vazhduan dhe paragjykimet, sharjet dhe çdo ditë bëhej gjithmonë e më e vështirë për të shkuar në shkollë,” shpjegoi ai.
Për shkak të talljeve të vazhdueshme dhe bullzimit nga shokët e shkollës dhe ndonjëherë nga arsimtarët, në klasën e gjashtë Altini u detyrua të braktiste shkollën.
“Bëja biseda të shumta me veten time, qaja, ulërija dhe mendoja se jam i vetmi në këtë botë. Nuk kisha arritur asnjëherë të njihja dikë tjetër të komunitetit tonë,” tha ai. “Duke u rritur, njoha një person tjetër si vetja ime. Nëpërmjet atij njoha dhe shumë persona të tjerë. Më në fund kuptova që nuk isha në atë ishullin e vetmuar që kujtoja unë.”
Të rinjtë e komunitetit LGBT në Shqipëri përballën shpesh me paragjykime dhe stigmatizim në shkolla dhe në shoqëri për shkak të prirjeve seksuale, në mënyre të veçantë në qytet e vogla dhe zonat rurale ku dominon një mentalitet konservator.
Për t’i ardhur në ndihmë aktivistët e të drejtave LGBT mbajtën në fund të janarit një seri trajnimesh ndërgjegjësuese në Burrel dhe Shkodër, duke kërkuar të kthejnë një grup profesionistësh vendorë në një rrjet referimi, i aftë për të identifikuar dhe orientuar anëtarët e këtij komuniteti.
Bullizmi në shkolla
Me 30 janar, drejtues dhe aktivistë të komunitetit LGBT filluan një zinxhir trajnimesh mbi të drejtat e njeriut dhe ato të komunitetit LGBT, me institucionet arsimore dhe stafin e shërbimeve sociale në qytetet e Burrelit dhe Shkodrës.
Trajnimet e mbajtura në dy qytetet e veriut të Shqipërisë, synonin edukimin dhe ndërgjegjësimin e individëve përgjegjës akademik që kanë kontakt të vazhdueshëm me adoleshentët – shumë prej të cilëve janë akoma në formim të identitetit të tyre, si personal ashtu edhe gjinor e seksual. Të pranishëm në këto trajnime ishin punonjës social, psikologë, pedagogë dhe juristë.
Xheni Karaj, aktiviste dhe drejtore ekzekutive e organizatës Aleanca LGBT, theksoi se për shkak të mentalitetit konservator të qyteteve të vogla dhe bullizmit të vazhdueshëm ndaj personave të komunitetit LGBT, vërehet një rritje e nivelit të braktisjes së shkollës nga të rinjtë e komunitetit.
“Është shumë e rëndësishme që ne si individë dhe pjesëtarë të shoqërisë t’i bëjmë këto persona të ndihen të sigurt, të ndihen se ato kanë diku ku të shkojnë ose dikë me të cilin të flasin atëherë kur çdo gjë iu duket e pashpresë”, tha ajo. “Ky është dhe qëllimi i këtyre trajnimeve sensibilizuese, të lindura nga nevojat e identifikuara nga persona të komunitetit LGBT,” shtoi Karaj.
Megjithëse homoseksualiteti është dekriminalizuar në Shqipëri me ligj që në vitin 1995, akoma ka raste kur fluiditeti seksual shihet si një krim, sëmundje apo devijim nga normalja. Prej më shumë se një dekade – që nga themelimi në vitin 2009, aktivistët e Aleanca LGBT luftojnë kundër diskriminimit të bazuar tek orientimi seksual dhe identiteti gjinor.
Nuk dihet ekzaktësisht një numër i personave homoseksual, biseksual apo transgjinor/transeksual në Shqipëri, për shkak se pjesa më e madhe e tyre kanë frikë të dalin hapur. Për shkak të mos raportimeve, gjithashtu nuk dihet specifikisht sesa individë të këtij komuniteti jetojnë nën hijen e paragjykimeve, në heshtjen e izolimit apo të përndjekjes, apo sesa persona kanë kryer vetëvrasje për shkaqe në dukje të pa identifikueshme.
“Në moshën 14 vjeçare kam kuptuar orientimin tim seksual, por asnjëherë nuk kam dalë hapur. Kam bërë gjithmonë një jetë të dyfishtë, dhe sot e kësaj dite vazhdoj të bëj të njëjtën gjë”, shprehet Edi, një 23-vjeçar me origjinë nga Burreli, me timbër zëri të thellë dhe shikim depërtues, ndërsa shton se gjithmonë detyrohet të sillet tepër serioz në mënyrë që askush të mos dyshojë.
“Nuk jam duke i rënë në qafë dikujt, as nuk po infektoj njeri – se në Burrel ka raste që të qenit ‘gay’ shihet si sëmundje infektive”, ironizon ai i veshur me një bluze sportive ‘hodie’ dhe xhins të ngushta.
Duke qenë se shoqëria civile është më pak e pranishme në zonat rurale apo në qytetet e vogla më konservative, problemet janë më pak të pasqyruara dhe për shkak te mentalitetit anëtarët e komunitetit LGBT ndihen më të nënshtruar në pranimin e kushteve diskriminuese.
“Sa më shumë të dalim nga Tirana, aq më shumë i vijmë në ndihmë komunitetit”, thekson Sidita Zaja, drejtore ekzekutive e organizatës Pro LGBT.
Trajnimi në Burrel u mbajt në një zyrë të rikonstruktuar të bashkisë Mat, ku një nga orenditë e pakta ishte një prift rrobash ku ishte varur një pankartë me heraldikën e qytetit. Të pranishëm në trajnimin ndërgjegjësues, ishin psikologët, punonjësit social dhe administrativ të shkollave të Burrelit.
Lumturie Barhani, psikologe në një shkollë tha se nuk ka pasur raste të identifikimit të ndonjë personi LGBT, por shtoi se ndjehej mirë që kishte organizata që i mbështesin.
“Unë si profesioniste e arsimit, ndihem mirë që tani ka organizata si ju që mbështesin të drejtat e këtij komuniteti,” tha ajo. “Nëse identifikoj një rast, do të di se ku ta referoj,” shtoi Barhani.
Xheni Karaj shprehet se trajnimi i arsimtarëve është shumë i rëndësishëm, pasi ka pasur raste kur drejtuesit e shkollave kanë reaguar në mënyrë të gabuar kur nxënës ‘gay’ janë bërë pre e bullizimit.
Ajo kujton një rast në një shkollë në Vlorë, ku një nxënës “gay” abuzohej psikologjikisht, verbalisht dhe fizikisht nga shokët e shkollës. Për shkak të bullizmit, ai u prek nga krizat e ankthit dhe probleme të tjera psikologjike, derisa u detyrua të braktisë shkollën.
“Të kontaktuar nga ne për të gjetur së bashku një zgjidhje për këtë rast, drejtoresha e shkollës mendoi si zgjidhje që djali të shoqërohej nga mësuesit gjatë pushimit dhe të kalonte këtë kohën e pushimit në sallën e pastrueses, deri në rifillimin e mësimit,” kujton Karaj, duke shtuar se “kjo ishte e papranueshme.”
Qëndrimet e familjarëve
Në ambientet e qendrës “Gruaja tek Gruaja”, në Shkodër, spikasin dekorimet e mureve me tabela të bardha të shkruara me slogane me një frymë pozitive, ku citohen virtytet e mirëqenies dhe barazisë gjinore. Në zyrën e mbledhjeve ndihesh pothuajse në shtëpi, falë dhe oxhakut. Pjesëmarrësit në trajnimin ndërgjegjësues të organizuar nga aktivistët LGBT, raportuan një tendencë nga prindërit dhe shoqëria për të shtypur çdo temë mësimore që ka lidhje me fluiditetin seksual.
“Ka pasur raste që u kemi gjetur nxënësve të ngjitura faqet e librit ku trajtoheshin temat që kishin lidhje me identitetin gjinor apo seksual”, shprehet Tonilda Çela, punonjëse sociale në shkollat e qytetit verior edhe pranë organizatës “Gruaja tek Gruaja”.
Psikologët dhe punonjësit social të Shkodrës shprehen se në lidhje me temat edukative në shkollat e mesme mbi seksualitetin, pjesa më e madhe e ankesave vjen nga prindërit, të cilët ankohen të revoltuar tek mësuesit nëse fëmijëve të tyre u prezantohen çështje që kanë të bëjnë me terma të tillë si homoseksualë, biseksualë, transgjinorë, etj.
Altini, djali ‘gay’ me origjinë nga një fshat i Shkodrës, e njeh mirë mentalitetin e zonës.
“Vij nga një brez dhe vend kur njihnin vetëm mashkull dhe femër dhe familja tradicionale dhe nuk perceptohej ndonjë orientim tjetër,” shpjegon ai. “Të rrish me një ‘gay’ apo lesbike nuk do të thotë që ti do bëhesh ‘gay’ apo lesbike”, shton Altini.
Ai ka një këshillë për të gjithë prindërit, ‘që t’i duan pak më shumë fëmijët e tyre qofshin ato edhe ndryshe prej të tjerëve’.
“Shoh shumë familje që mbajnë kafshë shtëpiake por kur vjen puna për fëmijën e tyre që ka orientim tjetër nuk i afrojnë dot,” tha 26-vjeçari. “Ndoshta jo sepse nuk duan, por sepse ndjejnë presionin e shoqërisë dhe mentalitetin shtypës”, përfundoi ai.
Ngjashëm, Lola, një djalë 25-vjeçar, me identitet gjinor femër, i identifikuar si “trans”, shprehet se zhgënjimet dhe vështirësitë e shumta pasi ka dalë hapur në familje e shoqëri e kanë bërë të vuaj por edhe të fitoje forcë në jetë.
Ndryshe nga Altini, flokët i ka të gjata, bionde dhe të kapura pas, në një trup të imët, e sigurt në vetvete dhe me një dëshirë të madhe për të shfaqur anën më të mirë të saj.
“Shqetësohesha gjithmonë se motrat e mia mund të ngacmoheshin apo dhunoheshin nga persona paragjykues, për shkakun tim”, shprehet Lola, ndërsa nënvizohen se ajo është “një femër e burgosur në trupin e një mashkulli.”
“Në një shoqëri patriarkale dhe seksiste jam munduar të jem shumë e kujdesshme që të luaja dhe rolin e vëllait të kujdesshëm “, tha ajo, ndërsa shtoi se “nuk kam bërë asnjë turp.”
‘Strehë’ nga një jetë e dyfishtë
Sipas ekspertëve stigmatizimi i të rinjve ‘gay’, lesbike dhe trasgjinorë ndikon në shëndetin e tyre mendor . Ata mund të shfaqin shqetësime që luhaten nga ankthi, izolimi, mospranimi i vetes, probleme me abuzimet me drogën dhe alkoolin, puna e seksit, e deri në vetëvrasje.
Aktivistja Xheni Karaj shprehet se shoqëritë jo gjithmonë janë gati për të pranuar ndryshime, por duhet të jemi “ne ata që duhet t’i shtyjmë këto shoqëri të jenë të drejta.”
Ligjet në lidhje me mbrojtjen ndaj diskriminimit ekzistojnë por mënyra sesi zbatohen lë shumë për të dëshiruar. Ekziston një zyrë e Komisionerit për Mbrojtjen ndaj Diskriminimit që nga viti 2010, kur është aprovuar dhe ligji nga Kuvendi i Shqipërisë për mbrojtjen nga diskriminimi .
Sipas aktivistëve në vitin 2019, ka pasur 304 raste të raportimit të diskriminimit nga komuniteti LGBT, prej të cilave 152 kanë qenë raste të dhunës fizike, dhe 65 kanë qenë raste të dhunës seksuale. Vetëm 10 prej këtyre rasteve janë raportuar tek Komisioneri për Mbrojtjen ndaj Diskriminimit. Kjo për shkak të faktorëve të ndryshëm që lidhen me zbulimin e identitetit gjinor e seksual në publik të këtyre personave, e si pasojë frikës nga përndjekja dhe stigmatizimi.
Për shkak të dhunës, shumë anëtarë të komunitetit largohen nga qytetet e vogla drejt Tiranës. Disa prej tyre janë strehuar nga qendra ‘Streha” Kjo qendër rezidenciale e krijuar për t’u ardhur në ndihmë anëtarëve të komunitetit LGBT – e pa e llojit në Ballkan, u themelua në Tiranë në vitin 2014.
Elvis Popaj, drejtori ekzekutiv i kësaj qendre, shprehet se aktualisht kanë 4 rezidentë dhe një kapacitet total prej 8 shtretërish. Rezidentët e kësaj qendre strehohen aty 6 deri 12 muaj, në varësi të rastit, ku u mbulohet ushqimi, strehimi, trajtimi psikologjik, trajtimi mjekësor, mbështetje në punësim apo në zhvillimin e aftësive profesionale, derisa këto persona të strehuar të jenë gati të dalin të pavarur për të përballuar sfidat dhe jetesën.
Dalja hapur (coming out), në lidhje me identitetin gjinor e seksual, është një proces i vështirë, i cili ndonjëherë nuk ndodh fare, në mënyrë të veçantë në komunitet konservatore jashtë kryeqytetit. Ky proces ndikohet nga shumë faktorë kompleks, të cilët e bëjnë individin ose të dalë hapur duke marrë parasysh pasojat tepër frustruese për të ardhmen, ose të mbyllet totalisht në vetvete duke i ndrydhur për një kohë të gjatë këto ndjenja.
Pavarësisht mentalitetit, ka pasur edhe raste pozitive, kur personat kanë deklaruar hapur prirjet e tyre edhe jashtë qytetit të Tiranës.
Sindi Kalo, juriste në organizatën “Gruaja tek Gruaja”, organizatë në ndihmë të grave të dhunuara, shprehet se në Shkodër ajo ka njohur shumë persona të komunitetit LGBT dhe shumica e tyre e kanë shprehur hapur orientimin dhe janë pranuar si nga familja ashtu edhe nga shoqëria.
“Ato që njoh unë fatmirësisht janë të pranuar dhe të vlerësuar për personalitetin e tyre. Jam shumë e kënaqur për këtë”, shprehet ajo.
Pasojat që i ndalojnë shumicën e këtyre individëve të deklarojnë hapur identitetin e tyre seksual janë të tilla si frika e prishjes së marrëdhënies me prindërit, mospranimi nga familja e shoqëria, si dhe bullizmi në shkollë e në shoqëri. Shumë prej personave të këtij komuniteti emigrojnë në kërkim të një vendi ku ato mund të jetojnë lirinë e tyre gjinore apo seksuale.
Vetëm në vitin 2018, ka pasur 30 raste azilkërkuesish nga persona të komunitetit LGBT, për shkak të orientimit gjinor e seksual, prej të cilëve 10 kanë qenë transgjinorë, 6 lesbike dhe 14 ‘gay.’
“Shoh një paradë shumë të vogël që bëhet në Tiranë, por ju garantoj që njoh shumë persona të komunitetit LGBT në Shqipëri, të cilët për arsye të frikës dhe mentalitetit nuk guxojnë të dalin në rrugë për të marshuar “, tha Altini, duke shtuar se “nëse të gjithë do të ishin të lirë të deklaronin identitetin e tyre gjinor e seksual, sheshi i Tiranës do mbushej plot.”
*Emrat e të intervistuarve nga komuniteti LGBT janë ndryshuar për të ruajtur privatësinë e tyre