Lajm10 Sep 2018

Kajakistët vërshojnë në Tiranë në protestë kundër HEC-eve

Një grup kajakistësh nga vende të ndryshme të botës, e nisën nga Vjosa turin e tyre Ballkanik ku pritet të lundrojnë dhe protestojnë në gjashtë shtete të rajonit për të rritur ndërgjegjësimin kundër hidrocentraleve.

Autor: Ivana Dervishi BIRN Tiranë
Printo

Me thirrjet “Jo diga në Vjosë” një grup kajakistësh nga vende të ndryshme të botës nisën turin e përvitshëm Ballkanik, që nxit qeveritë e rajonit të anullojnë planet e dëmshme për hidrocentrale në lumenj.

Në protestën e organizuar para Piramidës në Tiranë, aktivistët i bënë thirrje kryeministrit Rama të vazhdojë të ruajë gjendjen e egër të lumit Vjosë në Shqipëri, ndërsa i kërkuan ndërprerjen e menjëhershme të lejes së hidrocentralit të Kalivaçit.

“Vjosa është diamanti më i çmuar i kurorës së trashëgimisë natyrore në Europë. Kërcënimi më i madh i saj aktualisht mbetet ai i pesë viteve më parë… janë sigurisht digat për ndërtimin e hidrocentraleve të cilat vazhdojnë të mbeten aty edhe pas shumë përpjekjeve që ne kemi bërë,” tha për BIRN Olsi Nika, drejtues i organizatës Eko Albania që ka në fokus mbrojtjen e lumit Vjosa.

Turi “Lumenjtë e Ballkanit” i cili u zhvillua për të tretin vit, tërheq kajakistë nga vende të ndryshme të botës. Lundrimi i nisur në Shqipëri do të vazhdojë në Maqedoni, Mal të Zi, Bosnje-Hercegovinë, Kroaci dhe do të përfundojë në Slloveni.

Përmes ndërthurjes së aktiviteteve sportive dhe atyre ndërgjegjësuese e kulturore, kajakistët mbështesin organizatat vendase që luftojnë për mbrojtjen e lumenjve, por edhe banorët e zonave të prekura nga planet e hidrocentraleve.

“Hidroenergjia ka ende një imazh “të gjelbër”, por në fakt teknika nuk është vërtet e qëndrueshme,” tha për BIRN, Vera Knook, një inxhiniere hidrologjie dhe njëkohësisht kajakiste e turit ardhur nga Holanda.

“Vjosa, për shembull, është lumi i fundit i egër në Europë dhe do të ishte shumë keq nëse humbet. Shpresoj shumë që njerëzit do të ngrihen për lumin e tyre,” përfundon ajo.

Lexoni më shumë

Një studim i RiverWatch, një organizatë europiane për mbrojtjen e lumenjve zbuloi se në Ballkan janë planifikuar më shumë se 2800 projekte hidroenergjetike, 187 prej tyre janë në ndërtim dhe mbi 1000 HEC-e pritet të jenë brenda zonave të mbrojtura.

Gjatë viteve të fundit, mjedisorët dhe aktivistët në Shqipëri janë ngritur në fushata të shumta për të mbrojtur lumenjtë nga hidrocentralet e dhëna pa kriter nga qeveritë e dy dekadave të fundit.

Vjosa dhe Valbona kanë tërhequr më shumë kritika për qeverinë pasi banorët janë ankuar për procedura të parregullta dhe mungesë konsultimi me ta për dhënien e projekteve.

Një tjetër plan për hidrocentrale në lumin Osum u anulua së fundmi nga qeveria pasi u zbuluan shkelje në mënyrën e marrjes së lejes nga kompania.

Lexoni të ngjashme: