Lajm24 Jun 2019

Kandidat për bashkinë e Lezhës, Eduart Ndocaj kallëzon se e kanë kërcënuar

Eduart Ndocaj, i cili është po ashtu ish-deputet i PS dhe një prej pak kandidatëve përballë atyre të Partisë Socialiste në zgjedhjet lokale të bojkotuara nga opozita, pretendon se është kërcënuar nga persona pranë shumicës.

Autor: Elvis Hila BIRN Tiranë
Printo

Kandidati për kryetar të bashkisë Lezhë, Eduart Ndocaj. Foto nga faqja në Facebook

Kandidati për kryetar të bashkisë Lezhë, Eduart Ndocaj, pretendon se është kërcënuar me anë të telefonatave që i kanë ardhur në numrin e tij personal. Ndocaj thotë se në telefonata dhe mesazhe i kërkohet që të tërhiqet nga gara për zgjedhjet vendore.

Për këtë Ndocaj ka bërë kallzim në prokurorinë e Lezhës, ndërsa ka vënë në dispozicion të prokurorisë telefonin e tij, tek i cili pretendon se ka marrë telefonata dhe mesazhe kërcënuese. I kontaktuar nga BIRN Ndocaj thotë se kërcënimet i kanë ardhur nga njerez të mazhorancës, ndërsa i kërkon drejtësisë që t’i vendosë para ligjit këto persona.

Kandidati i PS për Lezhën, ish-deputeti Pjerin Ndreu, tha në një mesazh për BIRN se nuk i interesonin akuzat. Më herët nga gara për bashkinë Lezhë u tërhoq kandidati i Bindjes Demokratike Salvador Kaçaj. Kaçaj cilësoi si arsye të tërheqjes nga gara faktin se ajo ishte një farsë, pasi partitë kryeosre të opozitës nuk marrin pjesë në zgjedhje.

Ndërkohë Ndocaj po ashtu ish-deputet i PS-së në Lezhë pretendoi në një bisedë për BIRN dhe në një kallëzim të dorëzuar në prokurori se ishte kërcënuar disa herë të tërhiqej nga gara. “Kam marrë disa telefonata kërcënuese ku me thuhej të tërhiqem nga gara, të mos bëj fushate ose në të kundërt do të heqim neve nga gara”, tha Ndocaj.

Pas denoncimit, burime nga Prokuroria e Lezhës kanë bërë më dije se do të nisin verifikimet në lidhje me pretendimet e Eduart Ndocajt.