Lajm7 Oct 2019

Kandidati i SPAK, Ndini Tavani përballet me probleme në veting

Prokurori i Tiranës, Ndini Tavani u ballafaqua me diferencat negative në pasuri, një raport të DSIK-së që ngre pikëpyetje për shpërdorim detyre gjatë hetimit të një skeme mashtrimi me TVSH-në si dhe dy hetime të pushuara. Ai kundërshtoi gjetjet e KPK-së dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Prokurori Ndini Tavani pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: LSA

Ndini Tavani, prokuror i Prokurorisë së Tiranës dhe kandidat për Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK u përball të hënën më 7 tetor në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjyqësore përbëhej nga Alma Faskaj kyesuese, Brunilda Bekteshi relatore dhe Roland Ilia anëtar.

Relatorja Brunilda Bekteshi u shpreh në fillim të seancës dëgjimore se rivlerësimi për prokurorin Ndini Tavani është kryer në të tri kriteret: atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizimin. Pavarësisht se ILDKPKI kishte sjellë një raport pozitiv për të, Komisioni gjatë hetimit të vet konstatoi në fillim disa probleme në kriterin e pasurisë.

Sipas relatores Bekteshi, prokurori deklaron si pasuri një apartament të blerë në vitin 2015 në vlerën e 4.5 milionë lekëve dhe për të cilin ka paguar 3 milionë lekë me burim pagën e tij dhe të bashkëshortes si dhe të kursimet nga puna si avokat para se të fillonte karrierën si prokuror.

Komisioni konstatoi përputhje të deklarimeve të prokurorit Tavani për këtë pasuri, por ngriti pikëpyetje mbi ligjshmërinë e të gjithë shumës prej 2.5 milionë lekë –e deklaruar e ardhur nga avokatia.  Relatorja Bekteshi tha në seancë se të ardhurat nga puna si avokat janë vlerësuar si burim i ligjshëm, por Tavani ka dokumentuar me pagesë të detyrimeve tatimore shumën 1.6 milionë lekë dhe jo 2.5 milionë lekë.

Lidhur me këtë çështje, KPK ka marrë qëndrime të ndryshme nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve Berat dhe Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve lidhur me fashën e të ardhurave. E para ka argumentuar se të ardhurat nga puna si avokat i përkasin fashës mbi 2 milionë lekë, ndërsa e dyta se nuk janë mbi këtë fashë.

Relatorja Bekteshi tha se Komisioni i kishte vlerësuar në harmoni të gjitha të dhënat dhe dokumentet dhe kishte arritur në përfundimin se subjekti nuk kishte pasur mundësi që të krijonte gjendjen cash prej 2.5 milionë lekësh para fillimit të punës në 2006-ën. Ajo shtoi se edhe në vitin 2012, analiza financiare rezultonte me diferencë negative prej rreth 600 mijë lekësh.

Komisioni ka konstatuar gjithashtu pamundësi financiare për vitin 2016, kohë kur janë deklaruar si shpenzime blerja e një makine për 900 mijë lekë, pagesa e këstit të apartamentit si dhe shpenzimet për pushime. Diferencë negative ka rezultuar edhe në analizën financiare për blerjen e një makine Benz për 7 mijë euro në vitin 2009.

“Të ardhurat e siguruara nga avokatia dhe shpjegimet e subjektit janë ende duke u vlerësuar nga Komisioni,” tha relatorja Bekteshi.

Në fjalën e tij përpara Komisionit, prokurori Tavani deklaroi se kishte pasur të ardhura të mjaftueshme për vlerën 2.5 milionë lekë nga avokatia, duke përmendur edhe të ardhurat nga Shkolla e Magjistraturës si dhe punën si ndihmës-avokat në vitet 2003-2004.

“Me të ardhurat e fituara si asistent-avokat kam mbuluar shpenzimet për periudhën 2002-2006 dhe pjesa tjetër nga puna si avokat dhe nga Shkolla e Magjistraturës kanë shërbyer për të krijuar gjendjen cash të deklaruar në vitin 2006, para fillimit të detyrës. Ju ftoj të ndryshoni rezultatin, pasi mua më rezulton 2.5 milionë lekë,” tha Tavani.

Ai kundërshtoi gjithashtu të kishte kontribuar në shtëpinë e prindërve, ku ka deklaruar si pjesë takuese 1/3 e pronës dhe shtoi se nuk kishte pasur asnjë pasuri para fillimit të detyrës si prokuror.

Subjekti kundërshtoi gjithashtu që prindërit e tij të konsideroheshin si persona të lidhur, ndërsa shtoi se ata kishin pasur të ardhura të mjaftueshme për pasuritë e tyre.

“Kërkoj qasje pozitive të Komisionit duke paraqitur saktë të ardhurat nga avokatia dhe nga puna. Ftoj Komisionin të marrë në konsideratë deklaratën time veting,” pohoi në seancë Tavani.

Dyshimet e DSIK për figurën

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka hartuar dy raporte për Ndini Tavanin, duke konstatuar në të dytin papërshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës. DSIK ka ngritur dyshime për “shpërdorim detyre” në lidhje me një çështje për hetimin e disa personave për krijim të skemave mashtruese me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, TVSH.

Relatorja Bekteshi tha se Tavani kishte e hetuar çështjen në vitin 2015 dhe kishte kërkuar dënimin e të proceduarve. Ajo shtoi se në vitin 2015 ishte kryer në Prokurorinë e Durrësit një kallëzim penal ndaj Tavanit, por ishte vendosur mosfillimi dhe se ky vendim nuk ishte ankimuar.

“Subjekti e ka kundërshtuar raportin e dytë të DSIK-së, duke konsideruar se kishte vepruar në tejkalim të kompetencave dhe se kjo gjë ishte bërë për rëndimin e pozitave të tij,” tha Bekteshi.  Sipas Komisionit, prokurori ka dorëzuar të gjithë dosjen dhe punën për këtë dosje deri në dërgimin në gjyq dhe se së bashku me provat e tjera, do të vlerësohen para marrjes së vendimit përfundimtar.

Në fjalën e tij gjatë seancës dëgjimore, prokurori Ndini Tavani pohoi se DSIK kishte informuar në kapërcim të ligjit.

“DSIK ka pasur detyrimin të vlerësonte, jo vetëm të përcillte një informacion për papërshtatshmëri. Çështja është regjistruar në vitin 2015. Kam regjistruar edhe procedime të tjera. Në vitin 2018 i jam drejtuar gjykatës për masë sigurie për 12 persona,” pohoi prokurori Tavani.

Ai theksoi se për personat që ngrihen dyshime nga DSIK ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë arrest në burg dhe se ka qenë inisiativa e tij që është kryer caktimi i masës së sigurisë ndaj 12 të proceduarve në vitin 2018. Tavani pohoi se ishte investuar maksimalisht që në bashkëpunim me oficerët e policisë gjyqësore të organeve tatimore të mundësoheshin regjistrime të tjera procedimesh dhe sigurimin e provave të mjaftueshme tej çdo dyshimi, se personat e përfshirë ishin fajtorë. Tavani i quajti informacionet e DSIK të pabaza e të pavërteta, që sipas tij kjo gjë mund të kuptohej lehtësisht vetëm duke analizuar ecurinë e dosjes.

Pofesionalizmi

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konstatuar problematike në dy prej pesë dosjeve të shortuara për vlerësimin profesional të prokurorit Ndini Tavani.

Sipas relatores, një çështje të hetuar nga prokurori Tavani në vitin 2015 ishte pushuar vetëm një ditë pas regjistrimit të procedimit penal. Bekteshi identifikoi edhe një tjetër çështje të hetuar nga Tavani, lidhur me kallëzimin e kryer nga shtetasi K.L. në vitin 2014 për falsifikim dokumentesh, ku dy prej të akuzuarve kanë qenë noterë publikë.

Bekteshi tha se drejtuesi i prokurorisë e kishte veçuar hetimin për një prej noterëve. Komisioni konstaton se prokurori Tavani e ka shtyrë hetimin me tre muaj për të pyetur kallëzuesin dhe noteren dhe se i janë marrë deklarimet vetëm kësaj të fundit. Ndërkohë, janë shtyrë hetimet edhe me tre muaj të tjerë për pyetjen e kallëzuesit e më pas është vendosur pushimi i procedimit.

Subjekti ka shpjeguar se çështja ka qenë në dinamikë dhe se pyetja e personave nuk mund të ndikonte,” ka pretenduar para Komisionit prokurori Tavani.

Ndaj prokurorit Ndini Tavani ishin kryer dy kallëzime penale, një në vitin 2013 për shpërdorim detyre- për të cilin ishte vendosur mosfillim dhe një në vitin 2018 për të njëjtën vepër penale,  që ishte ende në hetim në Prokurorinë e Krujës.

Ndërkohë, pranë KPK-së janë depozituar 31 denoncime nga publiku, nga të cilat 16 kanë rezultuar pa probleme, 6 janë kryer nga i njëjti person dhe tre të tjera nga i njëjti kallëzues. Sipas Bekteshit, gjykata i ka lënë në fuqi kërkesat e prokurorit për këto çështje.

Komisioni identifikoi gjithashtu pushimin e një çështjeje nga prokurori Tavani lidhur me një denoncim publik të kryer prej emisionit “Stop” në TV Klan në vitin 2017 lidhur me një rast korrupsioni. Bekteshi tha se prokuori Tavani nuk i ka mbledhur provat dhe se nuk ishte kryer ekspertim të zërit të denoncuarit për të konkluduar nëse i përkiste atij. Komisioni vlerëson se hetimi nuk ka qenë i plotë.

Prokurori Tavani tha para KPK-së se gjatë kryerjes së hetimeve kishte krijuar bindjen se dosja nuk mund të shkonte për gjykim.

“Pretendimet e ankuesit janë vlerësuar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe Gjykata Kushtetuese, ka arsyetuar mbi pabazueshmërinë e pretendimit të ankuesit lidhur me provat e administruara,” tha Tavani, duke kërkuar që këto gjetje të mos merreshin parasysh në vendim.

Në fund të seancës dëgjimore, Tavani kërkoi konfirmimin në detyrë. Vendimi për të nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të shpallet më 11 tetor.