Lajm12 Jun 2019

Kandidati për SPAK, Vladimir Mara përballet me vetingun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk konstatoi probleme të dukshme në të tre kriteret, ndërkohë që pyetjet për shtëpinë e përbashkët me babanë dhe vëllezërit dhe një makinë të blerë në Angli e vendosën Marën përballë një “testi besueshmërie”.

Autor: Aleksandra Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Prokurori i Krimeve te Renda, Vladimir Mara gjate seances degjimore.

Prokurori i Krimeve të Rënda, Vladimir Mara, njëherazi kandidat për Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, u ballafaqua pa probleme të dukshme me tre kriteret e vetingut. Por pyetjet nga një anëtare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe nga vëzhguesi ndërkombëtar e vendosën atë përballë një “testi besueshmërie”.

Mara, i cili e ka nisur karrierën si oficer i policisë gjyqësore dhe punon si prokuror prej vitit 2008 u paraqit i vetëm në seancën dëgjimore të zhvilluar përgjatë një ore mesditën e së mërkurës. Trupa gjykuese drejtohej nga Pamela Qirko, me relatore Alma Faskajn dhe anëtare Firdes Shulin, ndërsa në tavolinën e dedikuar për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit ndodhej vëzhguesi Theo Jacobs.

Lista e pasurive të deklaruara nga prokurori Vladimir Mara është e shkurtër; 950 mijë lekë kursime, 200 mijë lekë depozitë në emër të vajzës si dhe një automjet me vlerë 600 mijë lekë. Ai deklaron gjithashtu se ka në përdorim një apartament brenda një shtëpie në pronësinë e babait, e cila është ndërtuar me kontributin e tij dhe të vëllezërve emigrantë.

Por relatorja e çështjes, Alma Faskaj vuri në dukje mospërputhjen me një deklaratë të vitit 2008, ku subjekti shënonte si pjesë takuese 25%.

Nisur nga ky fakt, Komisioni ka hetuar mbi saktësinë e deklarimeve të prokurorit Mara dhe ligjshmërinë e burimeve për ndërtimin e kësaj shtëpie, e vlerësuar mes 10.5 milionë dhe 12 milionë lekëve sipas çmimeve të publikuara nga Enti Kombëtar i Banesave.

Nga relatimi i mëtejshëm u kuptua se shtëpia ishte ndërtuar nga kontributet financiare të babait të subjektit si dhe dy vëllezërve të tij, emigrantë në Angli dhe në Greqi, të cilët u kosnideruan si “persona të lidhur”. Vetë Mara kishte kontribuar 1 milion lekë, për të cilat KPK tha se kishte burime të ligjshme.

“Subjekti ka vënë në dispozicion burimin e ligjshëm të babait si dhe dokumente të transfertave bankare bashkë me pagesat përkatëse të taksave nga vëllai në Britaninë e Madhe dhe vëllai tjetër në Greqi,” tha Faskaj. Ajo shtoi se shpjegimet e prokurorit Mara për kontributin e secilit prej anëtarëve të familjes do të merreshin parasysh para dhënies së vendimit.

Çështja e shtëpisë u rikthye në diskutim në pjesën e fundit të seancës dëgjimore, kur anëtarja Firdes Shuli tha se leja e legalizimit ishte lëshuar për një shtëpi 4-katëshe, ndërsa nga vlerësimi rezultonte 2-katëshe.

Shuli e pyeti prokurorin mbi gjendjen faktike të shtëpisë, nëse dy katet e tjera ishin apo jo karabina dhe sa ishte shpenzuar për to.

“Gjendja reale është ajo e vlerësuar nga eksperti. Vetëm dy kate përdoren për banim,” tha shkurtimisht Mara.

Komisioni hetoi gjithashtu burimin e një automjeti me vlerë 600 mijë lekë; 400 mijë prej të cilave nga dëmshpërblimi i përfituar si pasojë e një dëmtimi të një makine të mëparshme dhe 200 mijë lekë nga kursimet; të cilat rezultuan të vërteta.

Por shtrirja e hetimit administrativ te makina e vjetër “Land Rover” e importuar nga Anglia e përballi prokurorin Mara me pyetje mbi çmimin si dhe arsyet e mosregjistrimit të saj në Shqipëri.

Makina ishte blerë në Britani nga djali i xhaxhait të Marës për 2920 pound, ndërsa prokurori kishte paguar për të 3 mijë euro. Makina nuk ishte regjistruar në Shqipëri, ndërsa ishte përdorur gjatë viteve 2009-2011 nga Mara përmes një prokure.

Vëzhguesi Theo Jacobs vuri në dukje diferencën prej rreth 400 eurosh  dhe e pyeti prokurorin nëse deklarata reflekton realitetin. Prokurori Vladimir Mara tha se vlera e deklaruar prej tij ishte absolutisht e vërtetë dhe se djali i xhaxhait të tij nuk merrej me tregti makinash, por e kishte bërë këtë për ta ndihmuar si kushëri.

Jacobs e shtyu më tej çështjen dhe pyeti nëse si prokuror, Mara shihte ndonjë problem me mosregjistrimin e makinës në Shqipëri dhe përdorimin e saj me prokurë. Prokurori Mara u përgjigj se porositja e një makine në Angli nuk kishte qenë zgjedhja më e mirë, duke nënkuptuar vështirësitë për shkak të timonit në krahun e kundërt. Por ai këmbënguli se makina ishte përdorur në mënyrë ligjore dhe se ishte regjistruar në sistemin TIMS.

“Unë kisha planifikuar për të bërë regjistrimin e makinës, por pashë që nuk mund ta përdorja atë makinë. E kam përdorur në një kohë shumë të shkurtër, nuk kam pasur qëllim në asnjë moment të shmangia ligjin apo pagesën e doganës,” tha Mara.

Kandidati për Prokurorinë e Posaçme mori një raport pozitiv nga DSIK për pastërtinë e figurës, ndërkohë që edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vlerësuar aftësitë e tij në punë.

Por nisur nga burimet e hapura, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka hetuar procedurat e ekstradimit të Nazer Seitit, i akuzuar si pjesë e grupit “Habilaj”; çështje kjo që u pasua nga një debat politik në vend.

Relatorja Alma Faskaj tha në seancë se KPK administroi dokumentacionin e çështjes së ekstradimit dhe shqyrtoi qëndrimin e akuzës; pa dhënë ndonjë konkluzion mbi qëndrimin e mbajtur nga subjekti.

Gjatë shpjegimeve të tij, edhe prokurori Mara nuk u ndal gjatë te çështja “Seiti”. Ai tha se caktimi i masës së sigurisë nga gjykata për Seitin u ishte komunikuar të gjitha institucioneve dhe shtoi se ky fakt ishte dokumentuar si nga prokuroria, ashtu edhe nga një hetim administrativ i kryer për çështjen.

“Megjithëse është bërë ekstradimi, çështja penale ndaj tij ka vazhduar dhe aktualisht ndodhet në gjykim,”shtoi ai.

Në fund të seancës dëgjimore, prokurori i Krimeve të Rënda e quajti procesin të drejtë dhe të thelluar. Ai shtoi se i kishte pëlqyer fakti që babai dhe vëllezërit ishin konsideruar persona të lidhur, ndonëse ai konsideronte se person i lidhur ishte bashkëshortja.

“Por kjo sqaroi shumë gjëra që do të duhej të sqaroheshin në këtë proces,” tha Mara, ndërsa kërkoi konfirmimin në detyrë.

Vendimi për të do të shpallet më 14 qershor, në orën 9:30.