Lajm8 Nov 2018

Kandidatja për Gjyqtare Miranda Nakaj konfirmohet në detyrë

Treshja gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, e përbërë nga Roland Ilia si kryesues, Brunilda Bekteshi relatore dhe Xhensila Pine anëtare, shpallën të enjten vendimin për konfirmimin në detyrë të ndihmëses ligjore pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, Miranda Nakaj.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Roland Ilia, Brunilda Bekteshi dhe Xhensila Pine gjatë seancës dëgjimore për magjistraten Miranda Nakaj në Tiranë më 7 nëntor 2018. Foto: LSA

Sipas KPK, ajo u vlerësua për të tre kriteret; deklarimin e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aspektin profesional nga ku rezultoi të mos kishte probleme.

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar të mërkurën, relatorja e çështjes, Brunilda bekteshi u shpreh se sipas raportit të paraqitur pranë KPK nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave(ILDKPKI), deklarimi për pasurinë i kandidates për gjyqtare, Miranda Nakaj nuk është i saktë, por ka burime të ligjshme, nuk ka deklarime të rreme apo fshehje të pasurisë dhe nuk ka konflikt interesi. Lidhur me pasaktësinë që i referohej ILDKPKI për mosdeklarimin e adresave për periudhën 2010-2013 kur ajo ka punuar si avokate, komisioni kreu hetim të pavarur prej nga konkludoi se kandidatja për gjyqtare ka kryer deklarim të saktë edhe lidhur me adresat, pasi  deklarimet e subjektit kanë rezultuar të njëjta me provat e siguruara nga hetimi.

Lidhur me pastërtinë e figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar(DSIK) ka vlerësuar përshtatshmërinë e kandidates për gjyqtare, Miranda Nakaj, për vazhdimin e detyrës.

Për sa i përket aspektit profesional, KLD i ka dërguar komisionit raportin për verifikimin e tre dosjeve të sugjeruara nga subjekti dhe pesë dosjeve të përzgjedhura në mënyrë rastësore. Në tre dokumentet e sugjeruara nga magjistratja komisioni ka konstatuar se Nakaj ka kryer përshkrim të plotë dhe ka argumentuar arsyetimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, por nuk ka shprehur zgjidhjen e çështjes. Lidhur me pesë dosjet e përzgjedhura në mënyrë rastësore, dy gjyqtare që kanë drejtuar çështjet kanë dhënë vlerësime të kundërta për Nakajn, njëra pozitiv dhe tjetra negativ. Ndërkohë, Shkolla e Magjistraturës ka njoftuar se bazuar në rezultatet e testimeve, subjekti ka të drejtë të ndjekë trajnimin pranë kësaj shkolle. Në fund të seancës dëgjimore të zhvilluar një ditë më parë, magjistratja Miranda Nakaj është shprehur se është dakord me procedurën e rezultatet e hetimit dhe kërkoi konfirmimin e sak në detyrë e vazhdimin e trajnimit në Shkollën e Magjistraturës.