Në një operacion policor të koduar “Gjadri” policia e Lezhës sekuestroi 95 kilogramë kanabis, ndërsa ndalojë katër persona që dyshohet se po trafikonin drogën.
Policia e Lezhës njoftoi të dielën se kishte sekuestruar 95 kilogramë kanabis dhe kishte arrestuar 4 persona që dyshohej se po tentonin të trafikonin drogën. “Operacioni policor i koduar “Gjadri” u finalizua mbrëmjen e së shtunës nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë”, njoftoi policia. Në njoftim policia tha se ishin sekuestruar edhe 11 mijë euro që iu gjetën personave që transportonin drogën.
Policia tha se gjatë operacionit ishte lokalizuar automjetit që dyshohej se mund të transportonte lëndën narkotike dhe në fshatin Gjadër, Lezhë, shërbimet e policisë kishin ndëryrë duke e bllokuar atë. Policia tha se droga po transportohej nga një makinë “BMW”, që drejtohej nga K. D.
“Mjeti tip “BMW” që transportonte lëndën narkotike paraprihej nga 2 mjete të tjera, me qëllim vënien në dijeni në rast konstatimi të pikave të kontrollit nga ana e policisë”, thuhet në komunikatë.
Policia tha se në makinë në sediljen e pasme dhe në bagazh u gjetën 95 kg lëndë narkotike, e dyshuar kanabis sativa. “Policia ka bërë arrestimin në flagrancë të drejtuesit të mjetit në të cilin u gjet lënda narkotike, shtetasin K. D., 23 vjeç, banues në Shkodër dhe ka bërë ndalimin e shtetasve K. L., 28 vjeç, A. T., 32 vjeç, banues në Vlorë dhe K. T., 50 vjeç, banues në Shkodër, të cilët ndodheshin në dy mjetet që po kontrollonin rrugën”, thuhet në njoftimin e policisë.