Policia e Durrësit sekuestroi rreth 300 kg lëndë narkotike të ndryshuar si kokainë, e cila ishte grupuar në disa pako me kode të ndryshme dhe emra markash. Droga dyshohet se kishte me destinacion Maqedoninë e Veriut.
Policia e Durrësit sekuestroi të premten në portin e qytetit rreth 300 kg lëndë narkotike të ndryshuar si kokainë, e cila ishte grupuar në disa pako me kode të ndryshme.
Droga, një nga sasitë më të mëdha të kapura, u gjet e fshehur në një kamion me targa të Maqedonisë së Veriut që po kalonte transit. Menjëherë u arrestua shoferi që gjithashtu banonte në Maqedoninë e Veriut, 40 vjeçari me iniciale N.A.
Nga pamjet që shpërndau Policia e Shtetit droga ishte e paketuar dhe grupuar në pako me kode të ndryshme. Ato përbëheshin nga 7 simbole dhe mbishkrime, që përfaqësojnë porositësit e saj, kamufluar nën kodet: “Chicago Bulls” – logo e ekipit profesionist amerikan të basketbollit me seli në Çikago, logo e Klubit të Futbollit “Paris Saint-Germain”, simboli i kokës së një tigri, logo e “Christian Dior”, një shtëpi luksoze franceze e modës dhe 3 simbole të tjera.
Policia njoftoi se droga u sekuestrua nga puna rutinë e Task-Forcës së ngritur në port, e përbërë nga Policia Kufitare Durrës, Policia Kriminale e Drejtorisë së Policisë Durrës dhe autoriteteve doganore.
Sipas policisë ajo në bashkëpunim me Prokurorinë Durrës po vijon hetimin për rastin. Më herët, më 10 prill policia sekuestroi në port një sasi prej rreth 143 kilogramësh kokainë, e cila vinte nga Ekuadori.
Ndërsa më 11 maj policia sekuestroi rreth 123 mijë paund në Portin e Durrësit, duke dëshmuar për një portë të rëndësishme në rajon për kalimin e kokainës dhe sjelljen e parave të krimit të organizuar në “cash”.