Në vijim të hetimeve për zbardhjen e ngjarjes së rëndë në qytetin e Vlorës – ku humbi jetën një person dhe mbetën të plagosur dy të tjerë, policia ka bërë të mundur identifikimin e katër autorëve të dyshuar.
Nga sekuestrimi i pamjeve të sigurisë, në ambientet e lokalit ku është kryer vrasja, policia ka arritur të identifikojë si autorë të dyshuar të ngjarjes kriminale Eduart Xhezon (i njohur gjithashtu si Ermal Dema ), Ariel Kingjin dhe vëllezërit Çelik (i njohur gjithashtu si Shpati) dhe Geno Lena.
Konflikti ka nisur pasi një kalë ka kaluar gjatë mesditës të së dielës mes plazhistëve në zonën që administrohej nga Arben dhe Ergest Beqiraj. Babë e birë kanë dhunuar personin që ishte mbi kalë dhe ai më pas është larguar.
Një orë me vonë ka mbërritur në zonë një makinë me katër persona. Dy prej të cilëve janë afruar për të diskutuar dhe dy të tjerë kanë qëndruar në distancë – të cilët pasi ka nisur konflikti verbal kanë shtënë në drejtim të Arben Beqirajt, të birit Ergest Beqiraj dhe kushëririt të tyre Nesim Hodaj.
Pas disa orësh Arben Beqiraj ndërroi jetë në spital. Viktima nuk rezulton me precedentë të mëhershëm penal ndërsa i biri, Ergest Beqiraj, ka qenë i përfshirë në një plagosje me armë të ftohta në 2018-ën dhe ka qenë i dyshuar si autor i vendosjes së eksplozivit në lokalin e Brikelo Brahimajt – por sipas policisë ky konflikt nuk ka lidhje me ngjarjen e djeshme.
Sakaq, policia e Vlorës gjithashtu është duke vlerësuar pistën e vrasjes për shkak të pazareve të drogës, pasi një prej autorëve të dyshuar- Eduart Xhezo, është një emër i njohur në botën e krimit të organizuar. Ai është aktualisht i proceduar në gjendje të lirë për trafikun e 1.3 ton kanabis drejt brigjeve Italiane.
Xhezo dhe një tjetër 39 vjeçar nga Vlora u arrestuan mëngjesin e 23 Janarit 2019, gjatë operacionit të përbashkët të policisë Shqiptare dhe GDF Italiane.
Dy të dyshuarit që drejtonin gomonen pasi u pikasën në det, zgjodhën që të mos vijonin rrugën drejt Italisë, por u kthyen në grykëderdhjen e Lumit Vjosa. Aty skafistët braktisën gomonen dhe u larguan në këmbë drejt pyllit, ku u arrestuan pak ditë më vonë ndërsa policia sekuestroi gomonen bashkë me kanabisin e paketuar në disa thasë.
Xhezo është dënuar më parë me 9.4 vite nga gjykata e Vlorës për tentativën e dyfishtë të vrasjes, ngjarjet e dhjetorit 2005, për të cilën qëndroi 5 vite në arrati përpara se të arrestohej dhe të vuante dënimin.
Në vitin 2017, Xhezo është dënuar për armbajtje pa leje me shërbim prove.