Në seksionin e Këshillit të Europës për kërcënimet ndaj lirisë së medias mbyllja e programeve “Të Paekspozuarit” dhe “Krasta/A Shoë” u raportua si kërcënim i nivelit të dytë. Gjatë këtij viti KE ka rregjistruar 5 kërcënime për lirinë e fjalës në Shqipëri.
Këshilli i Europës rapotoi si kërcënim për lirinë e medias në Shqipëri, mbylljen e dy programeve kritike ndaj qeverisë. Në faqen zyrtare të Këshillit të Europës për kërcënimet ndaj lirisë së medias mbyllja e programeve “Të Paekspozuarit” dhe “Krasta/A Show” u raportua të enjten si kërcënim i nivelit të dytë.
Alarmi u publikua në seksionin “Media Freedom Alerts” i raportuar edhe nga EFJ (Federata Europiane e Gazetarëve) vë në dukje se “Të dy programet e mbyllura ishin kritike ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama”. Këshilli i Europës (COE) përmend edhe raportimet se kishte dyshime që dy emisionet u mbyllën pas “kërcënimeve” të kryeministrit dhe kryebashkiakut Erion Veliaj, ndaj presidentit të Focus Media Group.
KE i referohet edhe gazetarit Ylli Rakipi i cili akuzoi qeverinë dhe kryeministrin për mbylljen e emisionit të tij.
Presidenti i kompanisë Irfan Hysenbelliu mohoi në një prononcim për BIRN t’i ishte bërë presion, ndërsa bordi i News 24 lëshoi një deklaratë ku i cilësoi raportimet për mbylljen e emisioneve si “të pabaza” dhe “të motivuara nga konkurenca” dhe segmente të politikës.
Vetëm gjatë këtij viti KE ka shënuar 5 kërcënime serioze për lirinë e medias në Shqipëri, përfshi rrahjen e një gazetari në Dibër nga policia dhe këmbënguljen e qeverisë për të miratuar të ashtuquajturën “paketë antishpifje”. Në vitin 2018 në faqe u rrëgjistrua vetëm një kërcënim dhe në vitin 2017 ishin tre të tilla.
Mbyllja e dy emisioneve pasuan me një furtunë reagimesh në rrjetet sociale dhe shqetësime të reja për gjendjen e lirisë së medias në Shqipëri. Ndërkohë, shqetësime në rritje i janë drejtuar kryeministrit Edi Rama për gjuhën fyese dhe denigruese të përdorur ndaj gazetarëve kritikë – dhe së fundmi për përpjekjet e tij për të miratuar një paketë ligjesh për rregullimin e medias online.
I pyetur mbi pretendimet se qeveria qëndronte pas mbylljes së emisioneve kritike, zyra e shtypit e kryeministrit i konsideroi ato shpifje dhe imagjinatë të gazetarit dhe paralajmëroi padi të reja në gjykatë.