Komisioni Europian vlerësoi reformën “e paprecedentë” në drejtësi për Shqipërinë dhe marrëveshjen historike të Prespës për Maqedoninë e Veriut, duke u rekomanduar vendeve anëtare të BE-së që t’i hapin tani negociatat me të dy vendet.
Të mërkurën në mesditë, Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn prezantoi paketën mbi politikën e zgjerimit të Komisionit Europian, duke rekomanduar për vitin e dytë radhazi hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Komisioni rekomandon që Këshilli të hapë tani negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut,” tha komisioneri Hahn në Bruksel. “Që të qëndrojmë të besueshëm, duhet t’u përmbahemi angazhimeve dhe të përgjigjemi kur vendet përmbushin detyrimet,” shtoi ai.
Komisioneri për Zgjerimin vlerësoi Shqipërinë për reformën në drejtësi dhe rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, që u quajt “i paprecedentë” nga Hahn, ndërsa Maqedonia e Veriut u vlerësua për marrëveshjen historike të Prespës, që i dha fund konfliktit me Greqinë për emrin.
Hahn theksoi gjithashtu se shumë sfida mbeten dhe se progres-raporti tregon si problemet ashtu edhe udhëzimet e mëtejshme. Megjithatë, mesazhi i tij për vendet anëtare përfshiu nëvojën për stabilitet në rajon si dhe ndikimin në rritje të aktorëve të tjerë, veçanërisht investimet e Kinës.
Edhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini vlerësoi në një konferencë të përbashkët me komisionerin Hahn në Bruksel progresin e bërë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Mogherini e quajti “mbresëlënëse” reformën e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
“Në vizitën e fundit në Tiranë u impresionova dhe mendoj se Shqipëria ka një mbështetje të fuqishme nga populli për anëtarësim në BE,” tha Mogherini.
Rekomandimi i Komisionit Europian për hapjen e negociatave u komentua nga kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Tëitter.
“Rekomandimi pozitiv pa kushte i Komisionit Europian për çeljen zyrtare të negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me Bashkimin Europian konfirmon se Shqipëria i ka kryer me sukses detyrat e shtëpisë në këtë proces,” shkroi Rama.
Lavdet për reformën në drejtësi përbëjnë pjesën kryesore të kapitullit për shtetin ligjor dhe të drejtat themelore në raportin e Komisionit Europian për vitin 2019. Zbatimi i deritanishëm i reformës vlerësohet me “progres të mirë”, duke kujtuar se 88 magjistratë janë shkarkuar nga detyra ose kanë dhënë dorëheqjen për shkak të vetingut, kundrejt 53 të tjerëve që janë konfirmuar.
Megjithatë, Komisioni Europian vendos detyrime të mëtejshme në zbatimin e reformës, të cilat lidhen kryesisht me konsolidimin e institucioneve të reja dhe konsolidimin e jurisprudencës së ndjekur në çështjet më kritike të vetingut.
Raporti thekson edhe mosfunksionimin e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, por shton se organet e reja të drejtësisë po ndërmarrin hapat e duhur për të plotësuar vendet vakante.
Brukseli pret nga Shqipëria që të avancojë më tej procesin e vetingut, të bëjë progres në rekrutimin e magjistratëve të rinj për të zëvendësuar të shkarkuarit si dhe të ngrejë dhe të konsolidojë strukturat e posaçme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të njohura me akronimin e tyre SPAK.
Kriteri politik
Vlerësimi i Komisionit Europian për kriterin politik në Shqipëri dominohet sërish nga polarizimi i fortë dhe “djegia” e mandateve nga deputetët e partive opozitare në shkurt 2019. Në raport evidentohet gjithashtu vendimi i opozitës për të bojkotuar zgjedhjet e pritshme lokale, të dekretuara në 30 qershor.
“Mosangazhimi i partive kryesore të opozitës ka ndikuar negativisht përpjekjet për një reformë elektorale bipartizane, pavarësisht përpjekjeve të mazhorancës për ta çuar atë përpara,” thuhet në raport. “Partitë opozitare duhet të riangazhohen në mënyrë konstruktive në institucionet demokratike,” shtohet aty.
Raporti i Komisionit Europian evidenton rolin e limituar të Parlamentit të Shqipërisë në procesin e integrimit europian si dhe numrin e kufizuar të ligjeve të përshtatura me legjislacionin e BE-së (7 nga 66 gjithsej). Gjithashtu edhe roli mbikëqyrës i Parlamentit dhe mekanizmat e përdorur në këtë drejtim konsiderohen të polarizuar dhe të pamjaftueshëm.
“Kapacitetet për mbikëqyrje dhe përfshirje të Parlamentit në procesin e integrimit në BE duhet të forcohen. Transparenca dhe kontrolli i financimit të partive politike nevojitet të përmirësohet thuhet në raport.
Sa i përket qeverisjes, Komisioni Europian është ndalur gjerësisht në reformën administrativo-territoriale dhe në atë të Shërbimit Civil. Raporti thekson se reforma territoriale duhet të konsolidohet në përputhje me axhendën e decentralizimit, ndërsa evidenton se autonomia fiskale e qeverisjes lokale është në rrezik.
Raporti evidenton faktin se 73% e buxhetit të njësive të qeverisjes vendore sigurohet nga transferta kombëtare dhe se buxheti qendror shpërndan në drejtim të tyre rreth 1 % të GDP-së; më e ulëta në Ballkanin Perëndimor.
“Si rezultat, aftësia e institucioneve lokale për të shpërndarë shërbime publike cilësore mbetet e limituar,” theksohet në raport.
Ndërsa për Shërbimin Civil, raporti evidenton përmirësime, por edhe konstaton mungesën e standardeve të njëtrajtshme për rekrutimet e bazuara në meritë, promovimet apo shkarkimet në radhët e nëpunësve publikë.
Një inisiativë e Këshillit të Ministrave për integrimin e të diplomuarve me rezultate të larta në administratën publike, sipas raportit duhet të sillet plotësisht në linjën e parimeve të rekrutimit mbi bazën e meritës, të parashikuar në ligjin për Shërbimin Civil.
Korrupsioni dhe krimi i organizuar
Situata me hetimin dhe dënimin e rasteve të korrupsionit duket se nuk ka ndryshuar në krahasim me vitin e kaluar. Komisioni vlerëson se Shqipëria ka mbajtur përgjithësisht trendin pozitiv të viteve të fundit, ndonëse statistikat e ofruara tregojnë rënie të numrit të dënimeve për zyrtarët e ulët dhe të mesëm (289 dënime në 2018 krahasuar me 331 në 2017) si dhe rënie të referimeve në prokurori (2126 në 2018 dhe 2342 në 2017).
Ilustrimi për korrupsionin e nivelit të lartë bëhet me dënimin e një gjyqtari të Apelit dhe të një prokurori në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Ndërsa numri i referimeve në Prokurori për zyrtarët e nivelit të lartë është rritur-102 raste në vitin 2018 krahasuar me 61 raste në 2017-vetëm ndaj 10 prej tyre janë ngritur zyrtarisht akuza.
“Hetimet e shpeshta të viteve të fundit deri më tani nuk kanë rezultuar në një numër të konsiderueshëm të dënimeve përfundimtare të zyrtarëve të lartë shtetërorë. Kjo rrezikon të nxisë kulturën e pandëshkueshmërisë,” thuhet në raport.
Raporti kritikon faktin se çështjet e korrupsionit, jo gjithmonë pasohen me sekuestrime apo konfiskime të pasurisë. Ai evidenton gjithashtu ndikimin e kufizuar të masave antikorrupsion në sektorët veçanërisht të prekshëm si doganat, administrata e taksave, arsimi, shëndetësia apo prokurimet publike.
“Ekziston sërish nevoja e fortë dhe urgjente për të përmirësuar dhe forcuar kontrollet e brendshme dhe mekanizmat e inspektimit brenda administratës publike. Ekziston gjithashtu nevoja për të përmirësuar bashkëpunimin e tyre me autoritetet e zbatimit të ligjit,” thuhet në raport.
Njësoj si për korrupsionin, Shqipëria konsiderohet mesatarisht e përgatitur për t’u përballur edhe me krimin e organizuar. Komisioni vlerëson goditjen e disa grupeve të krimit të organizuar gjatë operacionit “Forca e ligjit” si dhe reduktimin e mëtejshëm të kultivimit të kanabisit në vend.
Megjithatë, Komisioni kërkon nga Shqipëria masa të mëtejshme në këtë drejtim, veçanërisht në konfiskimet e aseteve të grupeve kriminale si dhe në fushën e pastrimit të parave. Raporti thekson se në vitin 2018 u referuan 257 raste të dyshuara të pastrimit të parave në Prokurori, kundrejt 309 rasteve të referuara në vitin 2017.
Numri i dënimeve të formës së prerë mbetet megjithatë shumë i ulët; 2 raste në 2017 dhe 10 raste në vitin 2018.
“Burimet e kufizuara të agjencive të zbatimit të ligjit, institucioneve të dobëta, korrupsioni dhe ekonomia e bazuar gjerësisht te paratë cash e bëjnë Shqipërinë një vend vulnerabël për pastrimin e parave,” thuhet në raport.
Intimidimi i gazetarëve
Komisioni Europian i kërkoi Shqipërisë që të garantojë “tolerancën zero” për intimidimin e gazetarëve dhe kërcënimet kundër medias, përfshi edhe diskursin politik. Duke e vlerësuar vendin mesatarisht të përgatitur në fushën e lirisë së shprehjes, raporti evidenton rritjen e kërcënimeve dhe gjuhës intimiduese ndaj gazetarëve.
Raporti thekson gjithashtu se pronësia e mediave audiovizive dhe transparenca e financimit të medias mbetet një çështje thelbësore. Shqipërisë i kërkohet në veçanti të sigurojë zbatimin e Kodit të Punës si dhe të forcojë mbrojtjen e të drejtave të punës dhe atyre sociale të gazetarëve, të përafrojë me standardet europiane kërkesat për transparencën e pronësisë së medias dhe të limitive të pronësisë si dhe rrisë transparencën e ndarjes së reklamave pubike.
Raporti përmend dy raste të dhunës fizike ndaj gazetarëve, të raportuara në qershor dhe shtator 2018. Në gusht, u qëllua me plumba shtëpia e prindërve të një gazetareje investigative, ndërkohë që një moderatore televizive u kërcënua në dhjetor.
“Organizatat e medias dhe autoritetet i dënuan këto sulme. U ndërmorrën hetime, por deri më tani nuk ka pasur arrestime për rastet,” thuhet në raport.
Raporti përmend edhe nismën e qeverisë për paketën e amendamenteve në ligjin për Median Audiovizive dhe atë të Komunikimeve Elektronike si dhe një konsultim publik të zhvilluar në janar 2019.
“Është e rëndësishme që opinionet e aktorëve relevantë, përfshirë sektorin e medias të merren parasysh përpara se ndonjë masë e re të adoptohet. Shqetësime specifike janë ngritur gjithashtu nga komuniteti ndërkombëtar,” thuhet në raport.
Këto shqetësime përfshijnë fushën e përkufizimit të publikimit elektronik, shtrirjen e detyrimit të regjistrimit të domain-eve si dhe implikimet në rastet e dështimit të regjistrimit.
“Paketa e amendamenteve është duke u shqyrtuar për t’u harmonizuar me legjislacionin e BE-së dhe standardet europiane,” thuhet në raport.
*Raporti u përditësua me gjetjet mbi kapitujt kryesorë në raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë 2019.