Këshilli i Emërimeve në Drejtësi shpalli të martën rezultatet e pikëzimit të kandidatëve për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përfundoi të martën procesin e pikëzimit të 6 kandidatëve që garojnë për Gjykatën Kushtetuese.
Kandidatja që ka marrë më shumë pikë nga anëtarët e KED-së është Arta Vorpsi, me 89.61 pikë, e ndjekur nga Fiona Papjorgji me 85.425 pikë. Më poshtë në rënditje vijnë Elsa Toska, Besnik Muçi, Marsida Xhaferllari dhe Regleta Panajoti.
Tre nga kandidatët, Arta Vorpsi, Fiona Papajorgji dhe Elsa Toska punojnë si këshilltare ligjore në Gjykatën Kushteteuse. Paralelisht me punën si këshilltare ligjore në Kushtetuese, Vorpsi është edhe lektore e së drejtës kushtetuese si dhe eksperte trajnuese në Shkollën e Magjistraturës. Ajo ka bashkëpunuar gjithashtu me një sërë organizatash në rolin e ekspertes ligjore.Papajorgji ka punuar gjithashtu për 7 vite si këshilltare ligjore në Gjykatën e Kushtetuese. Paralelisht me punën si këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese, Papajorgji ka ushtruar edhe mësimdhënien në disa universitete private në vend. Ajo zotëron gradën shkencore “Doktor” të marrë në Itali. Elsa Toska ka mbaruar fakultetin e Drejtësisë në vitet 1996-2000 si dhe doktoraturën për ligjin kushtetues dhe atë administrativ. Toska e ka filluar karrierën si ndihmës/komisionere e Avokatit të Popullit dhe prej vitit 2007 punon si këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese.
Në mbledhjen e ardhshme të KED-së pritet të miratohet lista përfundimtare e renditjes së kandidatëve për secilin vend vakant në Gjykatën Kushtetuese dhe raporti i arsyetuar për procedurën e verifikimit, të vlerësimit dhe pikëzimit të secilit kandidat dhe të renditjes së tyre, për secilin vend vakant në Gjykatën Kushtetuese
KED nënvijëzojë se pas shqyrtimit dhe miratimit të këtyre akteve nga mbledhja e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, organeve të emërtesës, Presidentit të Republikës dhe Kuvendit, do ti dërgohen listat përfundimtare të renditjes së kandidatëve dhe raportet e arsyetuar të Këshillit ku përmbahet analiza tërësore lidhur me plotësimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve ligjore për secilin kandidat, si edhe për procedurën e ndjekur për vlerësimin dhe renditjen e tyre, për secilin vend vakant.