Njësoj si në rastin e Brexit, telashet politike të brendshme të Polonisë zbulojnë se sa të ndërvarur janë bërë vendet anëtare të BE-së. Nëse demokracia e sundimi i ligjit rrëzohen në njërin prej tyre, pasoja të rënda ka për të gjithë të tjerët.
Presidenti i Polonisë Andrzej Duda vendosi veton ndaj tri ligjeve që mund t’i jepnin Jarosław Kaczyńskit, udhëheqës të partisë së ekstremit të djathtë Ligj dhe Drejtësi (PiS), një kontroll tërësor në sistemin e drejtësisë së vendit. Por, pavarësisht vetos së Duda, kërcënimi ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit që përbën Kaczyński, i cili nuk ka rol formal në qeverinë e PiS, është larg të qenit i kaluar në Poloni dhe ai vë në rrezik vetë funksionimin e Bashkimit Europian.
Kërcënimi që përbën Kaczyński është po aq serioz për BE-në sa qenë edhe problemet me borxhet në Greqi për funksionimin e Eurozonës gjatë viteve të fundit. Për sa kohë Europa nuk zhvillon një strategji të mirë për t’u përballur me Kaczyńskin, sfidat e tij do të bëhen kërcënime njësoj ekzistencale për më gjerë BE-në.
Ka një këndvështrim të gjerë se synimi i Kaczyńskit në shënjestrimin e sistemit gjyqësor në Poloni është që të marrë hak ndaj udhëheqësve të mëparshëm të qeverisë së Platformës Civile: ish kryeministrit (dhe aktualisht presidentit të Këshillit Europian) Donald Tusk: shefit të stafit të Tusk,
Tomasz Arabski; ish-ministrit të jashtëm Radosłaë Sikorski; dhe të tjerëve. Kaczyński, pa kurrfarë prove, në mënyrë acaruese i akuzon ata për vdekjen e vëllait të tij binjak, në atë kohë President i Polonisë Lech Kaczyński, në një aksident ajror në Smolenks, Rusi, në vitin 2010.
Pavarësisht teorisë së ethshme të komplotit nga Kaczyński, synimi i tij real duket se është racional: të marrë kontrollin e Gjykatës së Lartë të Polonisë, e cila do të gjykojë nëse zgjedhjet e ardhshme të vitit 2019, janë manipuluar apo jo. Kaczyński kishte në plan ta merrte kontrollin duke shkarkuar të gjithë anëtarët e Gjykatës së Lartë të cilët nuk morën miratimin e ministrit të tij të devotshëm të drejtësisë Zbignieë Ziobro, si dhe synonte ta mbushte Këshillin e Lartë të Drejtësisë me të emëruar të vetët, gjë që do t’i mundësonte atij të promovonte gjykatësit e gatshëm për të mbështetur partinë e tij.
Dy ligje të vetuara që do ta mundësonin këtë ishin tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën e Polonisë. Por, nëse Duda nuk do t’i kishte vendosur veton, asgjë nuk do ta pengonte zbatimin e tyre për shkak se Gjukata Kushtetuese e Polonisë, e cila duhet të gjykojë mbi këto çështje, u mbush (në mënyrë të paligjshme) me besnikë të PiS vitin e kaluar.
As demonstratat në masë kundër ndryshimeve të propozuara nëpër të gjithë Poloninë dhe as vetot e Dudës nuk e kanë bindur Kaczyńskin të braktisë skemat e tij. Ai është e sigurt se do të ritkhehet pas pak javësh apo muajsh në përpjeket e tij që PiS të mbajë pushtetin, me gjasa duke përfituar nga pushimet e gushtit në BE.
Për më tepër, Kaczyński sakaq ka shumë instrumente në dorë për të arritur synimin e tij. Një prej ligjeve që Duda nuk i vuri veton i lejon qeverisë të shkarkojë të gjithë presidentët e gjykatave të rajoneve. Nëse ky ligj përdoret për të siguruar gjykatës politikisht besnikë që të gjykojnë mbi çështjet kundër politikanëve në opozitë, në mënyrë që t’i dënojë ato me akuza të sajuara, këto zyrtarë do të ndalohen nga garimi në zgjedhjet e vitit 2019 për parlamentin dhe në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
BE për rrjedhojë përballet jo vetëm me një “demokraci joliberale” në mesin e vet, siç ndodh me Hungarinë e Victor Orbán. Për herë të parë në historinë e vet, BE-ja duhet të përballet me perspektivën e një vendi anëtar që nuk është demokraci, në kuptimin themelor, një vend që nuk ka zgjedhje të lira dhe të pa-manipuluara. Dhe Kaczyński mund të mbështetet te Orbán për t’i dhënë atij mbulesë (në pritshmërinë e ndihmesës reciproke kur të duhet), duke i vënë veton çdo përpjekjeje për të ndëshkuar qeverinë e PiS në ndonjë votim në BE që kërkon unanimitet.
Nëse Kaczyński ia del të kontrollojë Gjykatën e Lartë të Polonisë, ose nëse ai gjen ndonjë mënyrë tjetër për të manipuluar zgjedhjet në Poloni, pasojat për BE-në do të jenë të thella dhe të gjera. Përveç rastit nëse vetoja e Hungarisë mund të anashkalohet, një shtet jo-demokratik do të marrë pjesë në procesin ligjvënës mbi popullsi që mbeten në vendet demokratike.
Në të njëjtën kohë, nëse synimi i Kaczyńskit është që të manipulojë zgjedhjet parlamentare të vjeshtës 2019, ai ka gjasa që nuk do t’i humbasë zgjedhjet për Parlamentin Europian atë pranverë. A mundet që BE dhe anëtarët e saj demokratë të pranojnë europarlamentarë polakë të zgjedhur me zgjedhje të manipuluara në vetë parlamentin e BE-së?
Në të vërtetë, pasojat për largimin e Polonisë nga demokracia mund të ndjehen që më herët, kur zgjedhjet vendore të mbahen në këtë vend në vjeshtën e vitit 2018. Qeveritë vendore shpërndajnë pjesën më të madhe të 72 miliardë eurove që BE jep si fonde strukturore për Poloninë, fonde që kanë rëndësi kritike për zhvillimin ekonomik të Polonisë. Çfarë do të bëjë BE në rast se Kaczyński vendos të manipulojë edhe rezultatin e këtyre zgjedhjeve? A mund të vijojë t’i besojë shpërndarjen e fondeve strukturore institucioneve të zgjedhura në mënyrë ilegale dhe jodemokratike?
Për t’i komplikuar punët edhe më tej për BE-në, vendosja e zgjedhjes së presidentëve të gjykatave të ulëta të Polonisë nën kontrollin e Ziobros nënkupton që gjykatësit e përzgjedhur politikisht mund të gjykojnë ndaj ankesave ligjore për prokurimet e projekteve të financuara nga BE. Dhe nëse Kaczyński kapërcen vetot e Dudas, të gjithë gjykatësit e Polonisë do të vihen nën kontrollin e ministrit të drejtësisë të PiS. Në këtë rast, çfarë ndodh në rast se qeveria ndryshon, dhe të emëruarit e PiS, të instaluar në bazë të një ligji qartasi antikushtetues, nuk njihen më si gjykatës fare dhe vendimet e tyre mbi çështje që prekin të drejtat e shtetasve Europianë në Poloni konsiderohen të pavlefshme?
Ashtu si në rastin e Brexit, telashet e brendshme politike në Poloni tregojnë se sa të ndërvarur janë bërë vendet anëtare të BE-së. Nëse demokracia dhe sundimi i ligjit përmbysen në njërin prej këtyre vendeve, pasoja serioze ka për të gjithë të tjerët. Por BE duket se nuk ka mekanizma efektivë për zgjidhjen e këtij problemi, pavarësisht se ligjërisht, politikisht dhe moralisht nuk mund të lejojë që ky problem të vijojë. Për të kontrolluar Kaczyńskin, juristët dhe politikanët e Europës do të duhet të bashkohen – para se e gjithë struktura të rrënohet.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2017. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Kaczyński’s Threat to Europe