Lajm19 Sep 2021

Kërkimet e pasukseshme për minatorin e humbur rihapin debatin për sigurinë në miniera

Përpjekjet e kolegëve për të gjetur Muharrem Plakun kanë qenë të pasuksesshme, ndërsa situata për shumë minatorë është paralajmëruar nga shfrytëzimi pa kriter dhe mungesa e përgjegjësive për kompanitë koncesionare.

Autor: Sami Curri BIRN Bulqizë
Printo

Të afërm të minatorit të bllokuar presin pranë galerisë për lajme, ndërsa minatorët vijojnë të nxjerrin materiale nga galeria e bllokuar. Foto: Sami Curri

Prej pesë ditësh kërkimet për minatorin Muharrem Plaku, i cili mbeti i bllokuar nga rënia e një masivi shkëmborë në një prej galeritë e nxjerrjes së kromit në Bulqizë vijojnë pa sukses.

Punëtorët të cilët po punojnë për gjetjen e minatorit Plaku, treguan për BIRN në kushte anonimati se punimet në thellësi kanë përfunduar, por pa rezultat – ndërsa prej ditës së dielë ka nisur puna në nënkatet e galerisë.

Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera dhe drejtues të tij kanë refuzuar në vijim të japin detaje mbi procesin. Rrapush Tola, drejtues i AKSEM, në një bisedë telefonike për BIRN u shpreh se po vazhdojnë punën për të gjetur teknikun që mbeti i bllokuar në minierë, por terreni dhe zona ku po kërkohet e bëjnë të vështirë aksionin.

Tola refuzoi që të jepte më shumë detaje dhe nuk u përgjigj as për pyetjen nëse në galerinë ku ndodhi aksidenti ka pasur kontrolle të mëparshme nga AKSEM.

Ngjarja ndodhi të mërkurën e 15 shtatorit në galerinë e kompanisë “Kaduretex Sh.p.k”, që operon në zonën e parë krom-mbajtëse të Bulqizës. Por megjithëse kërkimet filluan menjëherë ato kanë qenë pa rezultat.

Kjo është hera e parë që në galeritë e Bulqizës, procesi për nxjerrjen e minatorëve të aksidentuar zgjat kaq gjatë në kohë. Por ndërsa i gjithë qyteti pret lajme nga galeria, pjesa më e madhe refuzojnë të flasin dhe komentojnë ngjarjen që i mban në ankth.

Reagimet zyrtare po ashtu kanë qenë të vakëta.

“Lutem që ekipet e kërkimit të arrijnë sa më parë tek Muharremi dhe ta nxjerrin atë shëndoshë e mirë, ta bashkojnë me familjen e të afërmit e tij, dhe t’i japin fund shqetësimit dhe ankthit që ka pushtuar të gjithë bashkëqytetarët tanë, e jo vetëm”, shkroi kryebashkiakui Bulqizës 5 ditë pas ngjarjes.

Ndërkohë Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, e cila ka pasur reagime të përditshme për ngjarjen akuzoi qeverinë për mungesë angazhimi.  “Sa më shumë kalojnë orët, aq më i lartë duhej të ishte interesi dhe mobilizimi i të gjitha forcave prej shtetit. Por është duke ndodhur e kundërta. Qeveria e ka mendjen për të bërë parakalime e betime bulevardeve të Tiranës, athua se këto ceremoni bajate paskan më shumë vlerë se jeta e minatorëve”, shkruhet në një reagim të fundit të sindikatës.

Zëvendës-ministri i Infrastrukturës dhe Energjitikës, Ilir Bejtja, në një prononcim për Top Channel, deklaroi se është ngritur një grup hetimor për të verifikuar shkaqet e ngjarjes, por ai nxitoi të fajësonte minatorët për aksidentin pa pritur përfundimin e hetimit.  “Kanë vajtur dhe kanë gërmuar atje ku nuk duhej të gërmohej”, tha ai, duke shtuar se zona e shembur ishte shënuar me kryq nga kompania si zonë ku nuk lejohej gërmimi.

Një praktikë e hershme kjo që BIRN e ka gjetur edhe në investigime të mëparshme. Në raste aksidentet viktimat fajëson se nuk kanë ndjekur rregullat apo se kanë punuar jashtë frontit.

Pak minatorë pranuan të komentojnë ngjarjen.  Në kushte anonimati një prej tyre tha se situata në minierë po bëhej gjithmonë e më e rrezikshme për shkak të shfrytëzimit “barbar” 30-vjeçar. “Do hysh me këmbët e tua dhe nuk e din a del, kjo sepse atje është bërë lemeri shfrytëzimi. Ata (bizneset) nuk dinë se çfarë janë kamat mbajtëse të galerisë. Subjektet po ja hanë ndarjet e galerive njëra-tjetrës”, tha një minatorë.

Ai tha se edhe pse numri i punëtorëve ishte më i ulët në vitet e fundit, aksidentet ishin nëjsoj me kohën kur në galeri punonin disa mijëra vetë më shumë. Ai tha se vëmendja e autoriteteve kishet qenë minimale. “Kush zyrtarë ka ardhur nëpër ministri, në pjesën dërrmuese as që e ka ditur se ku bie Bulqiza apo çka është miniera”, tha minatori.

Ai tha se interesi i vetëm ka qenë përfitimi financiar, ndërsa kontrollet kanë munguar edhe prej drejtësisë. “Ktu kush ka punuar prokuror dhe gjyqtar e shefa policie për një vit ka bo pare boll me mos punu për 100 vjet”, thotë minatori. Të paktën dy prokurorë të shkarkuar në procesin e vetingut janë gjetur me shkelje të rënda në hetimin e aksidenteve. Kolegji i Posaçëm i Apelimit i akuzoi ata se kishin treguar “shpërfillje ndaj jetës njerëzore”.

Por ngjarjet e rënda kanë vijuar të përsëriten dhe miniera e Bulqizës dhe zona rreth saj mbeten ndër shkaktarët kryesorë të vdekjeve apo gjymtimeve në vendin e punës. Një vit më parë u referuan 28 aksidente me pesë të vdekur.

Ferat Kurti ish-minatorë pensionist, me një dorë të dëmtuar gjatë punës në galeri, thotë se aksidentet ndodhin nga moszbatimi i rregullave dhe shpesh nga mos pasja e tyre. “Çdo pikë e rregullores është bërë me gjakun e minatorëve”, tha Kurti.

Ndërsa shtoi se situata në Bulqizë ishte e tillë që minatorët nuk kishin ku të kërkonin të drejtat. “Punëtorët nuk kanë ku i gjenë të drejtat kurkund”, tha ai, dhe shtoi se çdo përpjekje sindikale ishte pasuar nga persekutimi.

Në mungesë të sindikatave kushtet e minatorëve mbeten të këqija dhe në një sërë kompanish pagat janë të prapambetura me disa muaj. “E hanë bukën si skllevërit. Krejt baltë e krej djers, si qent.”, tha një minatorë, ndërsa tha se sindikatat mungonin dhe minatorët nuk kishin asnjë mbrojtje.

Miniera e Bulqizës mbetet një nga punët më të rrezikshme në vend. Që prej fillimit të punës në minierë më 18 shkurt 1948 numërohen me qindra minatorë dhe punëtorë që kanë humbur jetën në galeritë e kromit. Sipas Ymer Ketës i cili ka publikuar librin “Heronjtë e nëntokës” që nga viti 1948 deri në vitin 2013-të, 618 persona kanë humbur jetë në galeri.


Lexo edhe:

Jeta në Bulqizë mes vdekjeve në miniera dhe padrejtësisë

Aksidentet e pahetuara rrisin pasigurinë në minierën e Bulqizës

Vdekje “të papritura”, Autoriteti fajëson viktimat e aksidenteve në minierën e Bulqizës