Lajm7 Jul 2018

Kërkonin skrap, një i vrarë e 1 i plagosur nga shembja e murit të ish-uzinës së superfosfatit

Dy të rinj u plagosën rëndë dhe njëri prej tyre vdiq në Spitalin e Traumës në Tiranë, pasi një mur i rrënojave të uzinës së superfosfatit në Laç u shemb. Një investigim i BIRN më herët gjeti se mbetjet e uzinës ripërdoreshin dhe shiteshin nga banorët e zonës megjithëse të kontaminuara.

Autor: Elvis Hila BIRN Laç
Printo

Vendi ku ndodhi ngjarja në ish-uzinën e superfosfatit në Laç. Foto: Elvis Hila

Një person humbi jetën dhe një tjetër u plagos, pasi një mur i ish-uzinës së superfosfatit në Laç u shemb ndërsa dy viktimat punonin për të nxjerrë skrap.  Ngjarja ndodhi mesditën e të shtunës, ndërsa policia njoftoi se Drilon Lamaj 27 vjeç, u plagos rëndë dhe vdiq në Spitalin e Traumës në Tiranë. I plagosuri u identifikua si Dashamir Hajna, 28 vjeç dhe ndodhet në Spitalin e Traumës me plagë të rënda. Sipas policisë të dy personat ishin banues në fshatin Shullaz të Kurbinit.

Në rrënojat e uzinës kanë ndodhur edhe më herët aksidente të ngjashme.  Në vitin 2013-të një 14-vjeçar humbi jetën po ashtu ndërsa punonte për të nxjerr skrap. Ndërkohë një investigim i BIRN i publikuar në tetor 2017, gjeti se veç rrezikut nga shembjet uzina që zë 38 hektarë, kishte mijra ton stok mbetjesh dhe kishte ndotur ujin, ndërsa banorët për shkak të varfërisë po përdornin materialet e saj pavarësisht nivelit të lartë të kontaminimit dhe rrezikut. Një studim i PNUD llogariti se një ndërhyrje me 16.7 milion euro mund të rehabilitonte zonën, aty nuk është ndërhyrë.

Aksidente të ngjashme kanë ndodhur ndërkohë edhe në rrënoja të tjera të industrisë së rëndë në vend. Një pjesë e tyre u shitën, mes dyshimeve për korrupsion kompanive të përpunimit të skrapit.

BIRN mësoi se aksidenti i të shtunës ndodhi pas dy të rinjtë ishin duke nxjerr hekur nga trarët e betonit të ish-uzinës. Muri ku ata punonin është shembur dhe ata kanë rënë nga lartësia, ndërsa po ashtu janë zënë poshtë nga inertet.