Kryetari i KLP, Gent Ibrahimi deklaroi në mbledhjen plenare të së premtes se tani e tutje, transparenca do të bëhej përmes faqes së internetit për të ruajtur privatësinë e subjekteve. Edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor i zhvillon të mbyllura mbledhjet plenare.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të mbyllë dyert për mediat në mbledhjen plenare të së premtes, duke ofruar tani e tutje transparencë vetëm përmes faqes së internetit. Kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi e argumentoi vendimin me ruajtjen e privatësisë për të dhënat e subjekteve, ndërsa shtoi se mediat do të lejoheshin vetëm për të marrë pamje.
“I qëndrojmë fort urdhërimit kushtetues për transparencë, pasi gjithçka që thuhet në këtë mbledhje brenda 24 orëve hidhet në faqen e Këshillit. Duke pasur parasysh edhe përcaktimet e tjera ligjore për të ruajtur privatësinë e të dhënave të disa prej subjekteve, çështjet e të cilëve bëhen objekt trajtimi në mbledhjet e Këshillit, ne i balancojmë këto dy kërkesa,” tha Ibrahimi në fillim të mbledhjes plenare.
Kushtetuta e Shqipërisë garanton të drejtën e informimit dhe në nenin 23 të saj i jep të drejtë kujtdo që të ndjekë mbledhjet e organeve të zgjedhura kolektive. Transparenca konsiderohet gjithashtu parësore në praktikat më të mira ndërkombëtare, të cilat rekomandojnë seanca të hapura për procedimet disiplinore të zyrtarëve të drejtësisë, me përjashtim të rasteve kur këto subjekte kërkojnë të kundërtën.
Ligji “Për organet e sistemit të drejtësisë” nuk specifikon nëse mbledhjet plenare duhet të jenë të hapura apo të mbyllura. Megjithatë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë detyrohen që të publikojnë brenda 24 orëve regjistrimin audio të mbledhjes si dhe procesverbalin e diskutimeve, duke fshirë emrat e tjerë përveç anëtarëve të Këshillit si dhe gjyqtarëve dhe prokurorëve që pezullohen apo shkarkohen.
Të krijuara në fillim të dhjetorit 2018, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor kanë ndjekur deri më tani praktika të ndryshme. KLP ka zhvilluar mbledhje të hapura për median si dhe ka publikuar regjistrimet audio të mbledhjeve plenare, ndërsa KLGJ ka zhvilluar mbledhje me dyer të mbyllura dhe ka publikuar në faqen e vet online vetëm procesverbalet e diskutimeve.