Lajm10 Jan 2019

Këshilltari ligjor Adrian Shega përballet me vetingun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mbajti të enjten seancën dëgjimore për ish këshilltarin ligjor në Gjykatën e Lartë, Adrian Shega.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Këshilltari ligjor Adrian Shega, gjatë një seance dëgjimore të KPK, me datë 10.01.2019 | Foto nga : Edmond Hoxhaj/BIRN

Këshilltari ligjor pranë Gjykatës së Lartë, Adrian Shega u përball të enjten me gjetjet e trupës gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, të përbërë nga Genta Tafa  kryesuese, Lulzim Hamitaj relator i çështjes dhe Valbona Sanxhaktari anëtare.

Relatori i çështjes, Lulzim Hamitaj deklaroi se Komisioni ka kryer rivlerësimin e subjektit për të tri kriteret e vetingut, atë të pasurisë, të pastërtisë së figurës dhe të aspektit profesional.

Adrian Shega ka punuar si këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë përgjatë viteve 2014-2017. Në maj të vitit 2018 ai është emëruar drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, por është larguar nga kjo detyrë në shtator 2018.

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe të Konfiliktit të Interesit, ILDKPKI ka raportuar pranë komisionit se kandidati për magjistrat, Adrian Shega, nuk kishte kryer deklarim të saktë në përputhje me ligjin, nuk kishte bërë deklarim të rremë, nuk kishte kryer fshehje të pasurisë dhe nuk ishte në konflikt interesi.

Komisioni ka kryer një hetim të pavarur për pasurinë e Shegës. KPK ka konstatuar se lidhur me një automjet tip Audi A6 të vtit 2000, i blerë në janar të vitit 2014 në vlerën e 390 mijë lekëve, Shega gjatë deklarimeve të mëparshme ka përcaktuar si burim kursimet nga të ardhurat. Ndërsa në deklaratën “veting” të vitit 2017, ka deklaruar si burim të ardhura të përfituara nga shitja e një makine tip “Fiat Punto” në vlerën e 195 mijë lekëve, si edhe kursimet.

Si për automjetin ashtu edhe për likuiditetet në vlerën e 800 mijë lekëve të deklaruara se janë përfituar nga paga, Komisioni nuk ka konstatuar probleme me burimin e të ardhurave.

Për pasuritë e personave të lidhur me subjektin, Komisioni ka verifikuar një apartament në pronësi të të atit me sipërfaqe 50 m2, privatizuar në vitin 1995. Ndërkohë, lidhur me një shtesë të këtij apartamenti subjekti ka paraqitur dokumentacionin pranë komisionit që ka konstatuar se shtesa është legalizuar në vitin 2015. Sipas relatorit të çështjes, Lulzim Hamitaj ky fakt është konfirmuar edhe nga institucioni përkatës. Komisioni nuk ka gjetur probleme në burimin e të ardhurave të investuara për shtesën e apartamentit në pronësi të babait të kandidatit për magjistrat.

Ndërkohë, lidhur me pasaktësinë e konstatuar në deklarimin e kryer nga Shega pranë ILDKPKI për një automjet të shitur më 23 janar 2017, ka rezultuar se nuk ka qenë e regjistruar pronësia. Komisioni ka konstatuar se Shega nuk ka kryer deklarim të pasaktë, pasi nuk ishte detyrimi i tij për regjistrimin e pronësisë së mjetit, por i blerësit.  Sipas relatorit të çështjes, nga analiza e pasurisë nuk janë konstatuar mungesa financiare.

Lidhur me pastërtinë e figurës, DSIK e ka gjetur këshilltarin Adrian Shega të përshtatshëm për vazhdimin e detyrës. Ndërkohë, pranë komisionit nuk ka pasur ndonjë denoncim nga publiku ndaj tij.

Për aspektin profesional, komisioni ka administruar raportet nga Inspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë , KLD, që ka analizuar disa punë të tij për periudhën 8 tetor 2013-8 tetor 2016 si edhe vlerësimin e Shkollës së Magjistraturës.

Inspektoriati  i KLD-së, ka raportuar pranë Komisionit se nga verifikimi i tre dosjeve të përzgjedhura nga subjekti dhe pesë dosje të shortuara, janë konstatuar aftësi mesatare në drejtim të interpretimit dhe respektimit të ligjit. Në disa raste ka rezultuar se propozon zgjidhje për çështjet, ndërsa në dy dosje arsyetimi ka qenë i munguar ose i cunguar.  Ndërkohë, janë evidentuar edhe raste kur argumentimet e Shegës kanë qenë të njëjta me ato të shprehura nga gjyqtarët në vendime. Komisioni ka konstatuar se Shega nuk ka arritur dot të japë konkluzione se si duhet të veprojë Kolegji i Bashkuar.

Shkolla e Magjistraturës e ka informuar komisionin se në testimin e parë Shega ka arritur të sigurojë 61 pikë nga 100 të mundshme, ndërsa në të dytin 154 pikë nga 200 të mundshme. Duke qenë se ka arritur të sigurojë të paktën 60% të pikëve në testime, ka të drejtë të ndjekë trajnimin në Shkollën e Magjistraturës, thuhet në raportin e kësaj të fundit.

Edhe Komisioni ka dalë në konkluzionin se kandidati për magjistrat, Adrian Shega ka aftësi mesatare profesionale. Shega u shpreh se ishte dakord me përfundimet e komisionit për të tre kriteret dhe kërkoi konfirmimin e tij në detyrë. Vendimi i komisionit për Shegën do të shpallet më datë 11 janar 2019, ora 09:00.