Lajm2 Oct 2019

Këshilltarja Elona Kana kërkon përjashtimin e relatores me kartën e “ndikimit politik”

Këshilltarja e Gjykatës së Lartë, Elona Kana kërkoi përjashtimin e relatores Xhensila Pine me argumentin se “ishte e propozuar nga PD dhe e njëanshme, për shkak të qëndrimit të bashkëshortit të saj, Denar Biba në zgjedhjet e 30 qershorit” – duke shtyrë pa afat seancën dëgjimore.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Këshilltarja e Gjykatës së Lartë, Elona Kana pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Këshilltarja e Gjykatës së Lartë, Elona Kana e nisi ballafaqimin me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit të mërkurën me kërkesën për përjashtimin e relatores së çështjes, Xhensila Pine. Duke e konsideruar relatoren të njëanshme në atë që ajo e quajti “ulje radikale të të ardhurave dhe rritje të pajustifikuar të shpenzimeve”, Kana ngriti dyshime për ndikim politik të relatores në qëndrimin ndaj saj.

“Vlerësoj se relatorja është propozuar dhe zgjedhur nga Partia Demokratike dhe se më cënohet integriteti. Kjo për shkak të qëndrimit të bashkëshortit tim në zgjedhjet e 30 qershorit. Pretendoj se qëndrimi i relatores është haptazi subjektiv,” deklaroi këshilltarja e Gjykatës së Lartë në seancë.

Pretendimi i subjektit të rivlerësimit për ndikim politik në qëndrimet e relatores Pine lidhej me funksionin e bashkëshortit të saj, Z.Denar Biba si nënkryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kana e mbështeti kërkesën e saj për përjashtimin e Pines edhe me ndjesinë e saj se nuk ishin marrë parasysh provat dhe dokumentet e dorëzuara në lidhje me udhëtimet e punës si dhe të ardhurat e saj.

Subjekti e falënderoi KPK-në për afatin e gjatë që i kishte lënë në dispozicion për të dorëzur provat, por shtoi se konsideronte se qëndrimi i Komisionit duhej të kishte ndryshuar.

“Nuk mund të vazhdojë gjykimi, nëse më parë nuk jam njohur me qëndrimin e KPK-së pas dorëzimit të provave dhe dokumenteve të reja, pasi nuk mund të bëj një mbrojtje efektive,” pretendoi ajo.

Elona Kana ka punuar si këshilltare në Gjykatën e Lartë në vitet 2004-2006 dhe pas një shkëputje 6-vjeçare vazhdon të mbajë të njëjtin pozicion prej vitit 2012. Ajo ndjek njëkohësisht edhe studimet në Shkollën e Magjistraturës.

Përveç relatores Xhensila Pine, trupa gjykuese kryesohet nga Suela Zhegu dhe ka si anëtar Olsi Komicin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Ferdinando Buatier.

Kryesuesja e trupës gjykuese, Suela Zhegu deklaroi në seancë se procesi i rivlerësimit për Kanën bazohej në të tre kriteret e rivlerësimit. Megjithatë, këshilltarja ligjore u përgjigj se e kishte humbur besimin te kjo trupë gjyqësore dhe kërkoi që shqyrtimi për përjashtimin e relatores të bëhej nga një trupë tjetër e KPK-së.

“Drejtësia duhet të bëhet dhe jo të duket se po bëhet. E kam kundërshtuar relacionin me prova. E kam humbur besimin tek kjo trupë. Kërkoj që edhe vëzhguesi ndërkombëtar ta ndjekë,” tha Kana.

Pas kërkesës paraprake, trupa gjyqësore u tërhoq për pak minuta. Pas rikthimit në sallë, kryesuesja tha se ishte vendosur ndërprerja e seancës dëgjimore pa një afat të caktuar, derisa një trupë tjetër gjyqësore të shprehej në lidhje me kërkesën e subjektit Elona Kana.