Mbyllja e kufijve dhe kufizimi i qarkullimit ia ka vështirësuar jetën minoritetit maqedonas në bashkinë e Pustecit, ku banorët mbijetojnë falë emigrimit, turizmit, peshkimit dhe bujqësisë.
Pjesë të mirë të 20 viteve të fundit, Todi Jano i kaluar mes dallgëve dhe ujërave të ftohta të liqenit të Prespës, ku siguron mbijetesën me anë të peshkimit; ndërsa pjesën tjetër në emigrim në Greqi dhe Maqedoni.
Por prej 3 muajsh, për shkak të masave kufizuese mbi qarkullimin të marra nga qeveria shqiptare për parandalimin e përhapjes së COVID-19, ai nuk e ushtron dot profesionin e tij, ndërsa për shkak të mbylljes së kufijve edhe emigrimi nuk është më një mundësi.
“Deri tani janë ushqyer me rezerva ndërsa momentalisht shumë prej tyre s’kanë asnjë ushqim në shtëpi,” thotë Jano, ndërsa nënvizon se për shkak të pandemisë gjysma e fshatit ka mbetur pa punë. “Po të vazhdoj kështu edhe dy muaj ne mbarojmë fare,” shtoi 47-vjeçari.
Ekonomia e zonës minoritare të Pustecit mbështet fort tek emigracioni, turizmi, peshkimi dhe bujqësia. Sipas kryetarit të bashkisë, Pali Kolefski të gjithë këto aktivitete janë ndikuar negativisht nga masat e distancimit social të marra nga qeveria shqiptare kundër COVID-19.
“Pandemia ka ndikuar jashtëzakonisht në jetesën e banorëve,” tha Kolefski, gjatë një interviste në fshatin Liqenas, buzë liqenit piktoresk të Prespës.
Që nga identifikimi i rasteve të para pozitive në fillim të marsit, koronavirusi i ri SARS-CoV-2 ka prekur 1029 persona në Shqipëri, nga të cilët 33 kanë humbur jetën, 803 janë shëruar dhe 193 raste janë aktive.
Pusteci është nga njësitë e qeverisjes vendore më të vogla në Shqipëri për nga numri i popullsisë. Në censusin e vitit 2011, kjo bashki ka regjistruar një popullatë prej 3290 banorësh. Edhe pse bashkia e Pustecit nuk ka regjistruar asnjë rast pozitiv me COVID-19, ekonomia e zonës është goditur njëlloj nga masat shtrënguese për parandalimin e epidemisë.
Nëntë fshatrat e kësaj bashkie numërojnë 108 peshkatarë, aktiviteti i të cilëve është pezulluar pasi nuk kanë ku t’i tregtojnë peshqit që kapin në liqen, ndërkohë që mbyllja e kufirit me Maqedoninë ka kufizuar edhe emigrimin në vendin fqinj.
“Maqedonia, e cila është [vendi] kryesor i mirëpritjes së banorëve të kësaj zone, vijon të jetë i mbyllur,” tha Kolefski, duke shtuar se njëkohësisht është kufizuar edhe tregtimi i peshkut.
“Pra edhe nëse do peshkonin nuk kanë mundësi ta tregojnë duke ndikuar shumë në ekonomitë familjare të banorëve të Prespës,” shpjegoi ai.
Sipas Kolefskit pandemia ka dëmtuar edhe sipërmarrjet e turizmit në liqenin e Prespës, pasi numri i turistëve është reduktuar në zero.
“Turizmi është një ndër pikat kryesore ku kjo pandemi ka ndikuar seriozisht tek bizneset,” tha ai. “Pra bëhet fjalë për 19 biznese të cilat kanë kaq muaj që kanë pezulluar aktivitetin e tyre,” shtoi Kolefski.
Pezullimi i peshkimi dhe mbyllja e kufijve e ka vënë në vështirësi familjen prej 5 anëtarësh të Todi Janit.
“S’ka më keq kur sheh fëmijën që s’ka të hajë. A ka më vuajtje për një prind,” pyet Jani me lot në sy, ndërsa shton se nga e “keqja po punojmë tokat por s’janë pjellore”
Jano shprehet i indinjuar ndaj pushtetit vendor i cili vijon të lërë mënjanë këtë sektor duke i ngujuar brenda zonës së tyre minoritare, ndërsa apelon që të lejohen të ushtrojnë zanatin dhe të tregtojnë drejt Korçës, e cila tashmë është shpallur zonë e gjelbër .
“Le të na lejojnë të peshkojmë se nuk është virusi në liqen,” tha peshkatari. “Korça është zonë e gjelbër të na lejojnë të çojmë peshkun atje, të nxjerrim vetëm bukën e gojës së nuk duam të vëmë saraje se kemi gjithë jetën dhe s’kemi nxjerrë lekë përveç kafshatën,” shtoi ai.
Ngjashëm me Janon edhe 64-vjeçari Gjerman Vangjelofski është i dëshpëruar me situatën ekonomike të krijuar nga pandemia. Edhe pse në moshë të thyer, Vangjelofski jeton nëpërmjet emigracionit në Greqi dhe Maqedoni ku punon tokat bujqësore.
“Kam vite që shkoj andej , punoj në fasulet,” tha ai. “Duhet të ham, të nxjerrim kafshatën e gojës për fëmijët, jetë mizore, e vështirë,” shtoi ai.
Duke u ankuar për mbylljen e kufirit, Vangjelofski thotë se gjatë pandemisë ka mbjellë tokën e trashëguar nga prindërit me qepë, patate dhe presh.
“Edhe ato pak lek që nxjerr në emigrim nuk dalin – jo ujë, drita, gjelbërimi, këtu edhe televizorin duhet të paguash që të shohësh, të marrësh vesh nga dynjaja,” tha ai.
“Na bie bretku në tokë të huaj dhe prap nuk ngopim barkun me bukë,” shtoi 64-vjeçari.
Ndihmat gjatë pandemisë ka qenë thuaje zero dhe Vangjelofski shpreh mllef dhe indinjatë ndaj qeverisë maqedonase, pasi sipas tij nuk e ka ndihmuar zonën minoritare.
“Jemi minoritet maqedonas por asnjë ndihmë s’kemi marrë,’ tha Vangjelofski. “Po kush pyet për ne aman. Kush do të sjellë ndihma, ekstremistët do të sjellin; nuk kam asnjë ndrojtje, asnjë frikë, janë hajdutë të gjithë,” përfundoi ai.
Vangjelofski dhe Jano nuk janë të vetmit banorë të Pustecit që i janë rikthyer mbjelljes së tokës bujqësore edhe pse ajo nuk është pjellore për shkak të klimës së ashpër.
“Këtë periudhë kemi vënë re se njerëzit i janë drejtuar tokave bujqësore,” tha kryetari i bashkisë Pali Kolefski, ndërsa shtoi se banorët po mbijetojnë me “atë pak tokë dhe ndihmë ekonomike.”
“Në fakt ne jemi një vend bujqësor por jo në përmasat e bashkive të tjera pasi tokat nuk ofrojnë prodhim, pasi cilësia dhe pjelloria është tepër e ulët,” shtoi ai,
Për shkak se shumica e burrave janë në emigrim, puna në tokat bujqësore bëhet kryesisht nga gratë.
“Buka e vetme për ne është toka, aty punojmë natë e ditë,” thotë Petra Marko, ndërsa shton se ajo mbjell misër, fasule dhe grurë. “Ndihma për ne është vetëm djersa jonë,” shtoi 62-vjeçarja.
Petra e ka punuar tokën që në moshën 14-vjeçare. Në fshat jeton e vetme me burrin, ndërsa fëmijët i janë larguar në emigrim.
“Nuk mbledh dot kockat kur shtrihem për të fjetur,” tha ajo, duke theksuar se ka pasur një jetë të lodhshme.
“Gjithë jetën kam punuar, kam rritur djemtë dhe vazhdoj të punoj,” shtoi ajo, duke shpjeguar se kujdeset për bashkëshortin e sëmurë dhe të vëllain invalid.
Ngjashëm me Petrën edhe Elena Kolamce prej 35-vjetësh jeton me punë në bujqësi duke mbjellë patate, misër dhe grurë, ndërkohë që bashkëshortin e ka në emigrim prej vitesh.
“Këtu është mesjetë,” tha ajo. “Edhe pandemia na duhej ne. O zot, sa vuajmë dhe do vdesim të vuajtur,” përfundoi Kolamce.