Arkidioqeza Tiranë-Durrës dhe Bashkësia e Etërve Jezuitë denoncoi prokurorin e Tiranës Armand Gurakuqi se “ka nxjerrë përfundime të pabazuara në ligj e në prova” lidhur me pronën e Kishës Katolike. Prokurori refuzoi të komentonte.
Arkidioqeza Tiranë-Durrës dhe Bashkësia e Etërve Jezuitë ka denoncuar të enjten me anë të një njoftimi për shtyp prokurorin në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë Armand Gurakuqi, “për hetime dhe përfundime të pabazuara në ligj dhe prova” lidhur me disa prona të Kishës Katolike. Gurakuqi refuzoi të komentonte.
Në njoftim thuhet se Kisha Katolike Famullia “Zemra e Krishtit” në vitin 1938 ka blerë me kontratë shitblerje, pasurinë e paluajtshme me sipërfaqe totale 486 m2, ku përfshihen truall dhe ndërtesë në Rrugën e Kavajës, Tiranë.
Famullitari atë Zef Bisha pohoi për mediet se kjo pronë e konfiskuar në vitin 1947 nga shteti komunist, i ishte kthyer Kishës Katolike në vitin 1996 nga ish-Komisioni i Kthimit të Pronave. Më tej në njoftim shkruhet se për këtë pronë ka pasur pretendime nga dy familje dhe se kjo çështje është trajtuar në procese gjyqësore civile e penale dhe se gjykatat e të tre shkallëve, në të dy juridiksionet kanë vendosur në favor të Kishës Katolike.
“Në këndvështrimin tonë gjykojmë se në kundërshtim me parimet kushtetuese të sigurisë juridike dhe të gjësë së gjykuar si dhe me vendimet civile dhe penale të dhëna në favor të kishës të cituara më lartë, prokurori Z. Armand Gurakuqi, prokuror i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në tejkalim të kompetencave të tij ka zhvilluar hetime penale megjithëse ekzistonin të gjitha rrethanat që nuk lejonin fillimin dhe vazhdimin e procedimit penal si dhe ka nxjerrë përfundime të pabazuara në ligj e në prova lidhur me pronën e Kishës Katolike”, citohet ndër të tjera në njoftimin për shtyp.
Përfaqësuesit e Kishës Katolike i kanë bërë thirrje Prokuores së Përgjithshme, Arta Marku, Kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, kryetarëve dhe anëtarëve të institucioneve të vetingut, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, që të marrin masa për të ndaluar “këtë tentativë për vjedhjen e pronës së Kishës Katolike”, thuhet në njoftim.
Lidhur me këtë denoncim publik të Kishës Katolike, BIRN kontaktoi nëpërmjet telefonit me prokuroin Armand Gurakuqi, i cili preferoi të mos bënte koment.
—-
Sqarim!
Në lidhje me artikullin Kisha Katolike denoncon prokurorin Armand Gurakuqi, publikuar në Reporter më 14 shkurt 2019, një grup banorësh të interesuar kanë dërguar në redaksi më datë 15 shkurt një deklaratë me titull: Përgënjeshtrim i deklaratës të gënjeshtërt manipuluese publike të Arkdioqezës Tiranë-Durrës dhe Bashkësisë së Etërve Jezuitë, ku pretendohet se deklarata e Kishës përbën një presion të papërshtatshëm publik mbi sistemin e drejtësisë. Letra e banorëve mund të lexohet këtu, ndërsa dokumentet shoqëruese në mbështetje të pretendimeve të tyre mund të lexohen këtu, këtu dhe këtu.
Letra mbart akuza për persona të ndryshëm akuza të cilat BIRN nuk ishte në gjendje t’i verifikonte dhe për të cilat nuk mban përgjegjësi.