Kishinau i kërkoi Moskës që të lejojë diplomatët e saj të kenë qasje të plotë te dy pilotët moldavë, të cilët u shpëtuan së fundmi pasi u mbajtën për më shumë se tre vjet në burgjet talebane në Afganistan dhe më pas u transportuan në Rusi.
Ministria e Jashtme e Moldavisë tha të hënën se ka protestuar në disa institucione ndërkombëtare, duke përfshirë te komisioneri i të drejtave të njeriut i OKB-së, se Moska nuk po lejon qasje të plotë ndaj dy qytetarëve moldavë të shpëtuar nga talebanët nga Rusia këtë muaj.
“Ne po ju vëmë në dijeni për veprimet e papranueshme të Federatës Ruse në rastin e dy pilotëve moldavë të liruar kohët e fundit nga burgu në Afganistan dhe të transportuar në Moskë,” tha ministria në një njoftim për shtyp.
Pilotët, Lionel Buruiana dhe Mihail Crihan, u arrestuan më 24 nëntor 2015, kur helikopteri i tyre u rrëzua në Afganistan dhe u kapën nga luftëtarët talebanë. Një tjetër moldav u vra gjatë rrëzimit.
Lajmi që Buruiana dhe Crihan më në fund u liruan dhe u morën në Moskë u bë i ditur më 11 shkurt nga presidenti pro-rus i Moldavisë, Igor Dodon.
Dodon tha se lirimi i tyre u bë i mundur “vetëm për shkak të ndihmës së dhënë nga lidershipi i Federatës Ruse”. Ai tha se Moska i është përgjigjur “kërkesës së tij personale” për ndihmë në shpëtimin e pilotëve, sipas RFE/RL.
Por autoritetet ruse nuk i kanë lejuar diplomatët moldavë e dërguar në Moskë që të flasin me pilotët deri më 16 shkurt dhe pas kësaj u lejuan vetëm për 10 minuta, pas disa notave proteste nga autoritetet e Kishinaut.
Të dy moldavët janë nën kujdesin e një OJQ-je të drejtuar nga Igor Chaika, i biri i prokurorit rus Yuri Chaika, i cili ka një marrëdhënie të ngushtë me Dodonin.
Igor Chaika tha për gazetën ruse Kommersant se reagimi i autoriteteve moldave ishte “histerik”.
Ai tha se shëndeti i tyre ishte ende i pasigurt për shkak të kushteve në të cilat ata janë mbajtur në paraburgim në Afganistan.
“Pilotët fillimisht donin të merrnin veten dhe më pas të shihnin të afërmit e tyre përpara se të bënin ndonjë gjë tjetër,” shtoi ai.
Ai tha se rusët filluan misionin e shpëtimit nëntorin e kaluar, me kërkesën e Dodonit, duke shtuar se në të ishin përfshirë në disa organizata joqeveritare dhe humanitare, por jo autoritetet ruse.
Kryetari i parlamentit moldav, Andriani Candu, ka pohuar se operacioni i shpëtimit u organizua nga Rusia dhe Dodoni për të rritur shanset e Partisë Socialiste pro-ruse në zgjedhjet parlamentare të 24 shkurtit.
Megjithatë Candu e tha këtë pretendim në një video ndërsa mbante simbole të Partisë Demokratike të Moldavisë, e cila po konkurron gjithashtu në votime.