Lajm6 Jul 2021

KLGJ i mbyll derën medias gjatë mbledhjes për ‘standardet’ e medias

Media nuk pati qasje në mledhjen e së martës të mbajtur online nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili fshihet pas procedurave teknike dhe insiston se transparencën e ka me orar.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami dhe anëtari i KLGJ Erjon Muharremaj, duke biseduar gjatë ceremonisë se betimit te Gjyqtarëve te Kolegjit Zgjedhor, në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor. .

Këshilli i Lartë Gjyqësor mbajti të hënën mbledhjen plenare ku ndër të tjera do të shqyrtoheshin projektvendimet “‘Për ndryshimin e vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor nr. 280, datë 10.12.2019’, ‘Për caktimin e gjyqtarëve për mediat’” dhe për “Për ngritjen e grupit të punës për hartimin e udhëzuesit standard të shtypit”.

Megjithëse KLGJ njoftoi një ditë më parë se mbledhja do ishte e hapur për median, disa kërkesat që BIRN i drejtoi paralelisht online para dhe pas orës 11:00 për të marrë pjesë si dëgjues në mbledhje, ranë në vesh të shurdhët.

Pranimi në platformën online të mbledhjes plenare nuk u realizua edhe pas kërkesave të përsëritura të drejtuara anëtarit të KLGJ-së, Erjon Muharremaj dhe koordinatorit për të dejtën e informimit, Elis Kuçi.

Gjatë komunikimit në aplikacionin ‘Whatsapp’ në orën 11:05, koordinatori Elis Kuçi u përgjigj se mbledhja nuk kishte filluar ende dhe siguroi se do të komunikonte me punonjësin e IT-së për të pranuar kërkesën për tu lidhur nga gazetari i BIRN.

Edhe anëtari i KLGj-së, Erion Muharremaj fillimisht u shpreh se do t’ia përcillte punonjësit të IT-së shqetësimin e ngritur për mospranimin në seancën e mbajtur në platformën online ‘Teams’.

Pas kërkesave të përsëritura nga BIRN, Muharremaj dhe Kuçi e ndryshuan qasjen dhe pretenduan se lidhja e gazetarëve në seancën online duhet të ishte realizuar 15 minuta përpara mbledhjes, pasi sipat tyre kapacitetet teknike nuk ia mundësonin të shtonin pjesëmarrës pasi mbledhja kishte filluar.

Për ekspertët e të drejtësë së informimit dhe lirisë së shprehjes, mungesa e transparencës nga Këshilli i Lartë Gjyqësor ngre këmbana alarmi për këtë institucion.

“Reforma në drejtësi u bazua mbi mungesën e besimit të publikut te organet e drejtësisë dhe kjo e fundit është e lidhur ngushtë me transparencën,” tha Irena Dule, avokate për të drejtat e njeriut në qendrën Res Publica.

Ajo e cilësoi mungesën e zhvillimit të mbledhjeve të hapura për publikun që nga shpërthimi pandemisë së COVID-19, si një pengesë serioze në lidhje me transparencën e institucioneve të drejtësisë.

“Argumenta teknikë si mos komunikimi në kohë me IT etj, nuk mund të prevalojnë si rregullime për të pengaur pjesëmarrjen e mediave në mbledhje të hapura për publikun,” tha Dule.

“Zhvillimet teknologjike janë avantazhe që duhet të ndihmojë transparencën dhe jo ta pengojnë atë,” përfundoi ajo.

Në përgjigje të kërkesës për koment që BIRN i drejtoi KLGj-së, kjo e fundit sqaroi procedurën e ndjekur për njoftimin e datës dhe orarit të mbledhjes online dhe insistoi se kërkesat për të marrë qasje në mbledhje i kishin ardhur pas orës 11:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *