Lajm13 Oct 2021

KLGJ ndëshkon me “vërejtje publike” gjyqtarin Hektor Sinanaj

Gjyqtari i gjykatës së Vlorës Hektor Sinanaj mori masën e ndëshkimit vërejtje publike nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas ankimit të ILD -së për pesë vendime të tij për pezullim të urdhrave të ekzekutimit në favor të dy institucioneve financiare.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Foto kortezi: KLGJ

Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të mërkurrën të ndëshkojë me vërejtje publike gjyqtarin e Gjykatës së Vlorës Hektor Sinanaj për pesë vendime të tij kundër disa urdhrave të ekzekutimit lëshuar nga disa institucione financiare. Vendimet e Sinanajt ishin prishur në Apel dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani tha se ato ishin marrë në “interpretim të gabuar të ligjit”.

ILD i kërkoi KLGJ-së si masë disiplinore uljen e rrogës me 40 për qind për 1 vit ndaj gjyqtarit, por Këshilli vendosi për një masë më të butë.

Procesi disiplinorë ndaj Sinanajt u kërkua nga Metani pas ankesave – nga institucioni financiar NOA sha dhe Banka Kombëtare Tregtare, për refuzimin e urdhrave të ekzekutimit të kredive në kundërshtim me ligjin.

Kërkesa e ILD-së për fillimin e procedimit disiplinor është depozituar në KLGJ me 30 korrik. Sipas ILD-së nga hetimi janë identifikuar 7 raste kur gjyqtari nuk ka lëshuar urdhra ekzekutimi në favor të institucionit financiar NOA dhe në 2 raste ndaj BKT-së.

Sipas ILD-së vendimet e Sinanajt se kontratat e kredisë nuk përbëjnë titull ekzekutiv janë hedhur poshtë në të gjitha rastet nga Gjykata e Apelit Vlorë, nga dy trupa të ndryshme gjyqësore, çfarë sipas Inspektoratit tregon se interpretimi i ligjit nga ana e tij ka qenë i gabuar.

Sinanaj kundërshtoi këto pretendime. Ai tha se vendimet e tij kishin pasur interes vetëm dhënien e drejtësisë dhe se kishte mbrojtur qytetarët nga abuzimi. “Më kanë bërë përshtypje këto çështje për pasojat që kanë sjellë tek qytetarët. Kanë ardhur njerëzit dhe kontratat janë të palexueshme dhe milimetrike. Kam parë që u kanë sekuestruar shtëpitë apo tokat dhe janë detyruar të emigrojnë jashtë shtetit”, parashtroi Sinanaj dhe e cilësoi këtë situatë si problem që është duke u thelluar gjithmonë e më tepër në dëm të qytetarëve.

Gjyqtari Hektori Sinanaj ka në karrierë 20 vjeçare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë ku është emëruar në vitin 2000. Vendimi i KLGJ mund të apelohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Seanca tjetër për procedimin ndaj gjyqtares Pajtime Fetahu u shty për në nëntor pasi kjo e fundit kishte sjellë një raport shëndetësor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *