Lajm10 Jan 2019

KLGJ pezullon pas arrestimit gjyqtarin e Fierit, Roland Hysi

Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi në unanimitet pezullimin e gjyqtarit të filmuar duke kërkuar ryshfet dhe favore seksuale, ndërsa deklaroi se do të vazhdojë pa kompromis betejën ndaj çdo lloj korrupsioni të shfaqur.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi me unanimitet pezullimin nga detyra të gjyqtarit  Roland Hysi, një ditë pasi Gjykata e Krimeve të Rënda urdhëroi arrestimin e tij. Vendimi i pezullimit të KLGJ-së bazohet në ligjin “për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

“Anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor shprehën vendosmërinë për të luftuar pa asnjë kompromis çdo akt apo sjellje që  diskrediton rëndë figurën e gjyqtarit,” thuhet në deklaratën e KLGJ.

“Duke pasur si objektiv parësor rikthimin e besimit të publikut tek gjyqësori, Këshilli i Lartë Gjyqësor do vijojë pa kompromis betejën ndaj çdo lloj korrupsioni të shfaqur, në të gjitha nivelet, me qëllimin final sigurimin e sundimit të ligjit, pavarësinë dhe eficiencën e gjyqësorit,” shton KLGJ.

Gjyqtari i Gjykatës së Fierit, Roland Hysi u arrestua mbrëmjen e së mërkurës së bashku me psikologen Elona Meçani pas publikimit të një videoje përgjimi kompromentuese që përfshinte ryshfet në para dhe favore seksuale.Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm është një vepër penale që dënohet deri me 2 vjet burg ndërsa korrupsioni pasiv i gjyqtarëve dënohet deri në katër vjet burg.

Bisedat e siguruara nëpërmjet kamerave të fshehta përfshihen disa gjyqtarë dhe psikologia Elona Meçani, e cila është në rolin e ndërmjetëses. Në pamje shfaqet fakti se zonja i jep psikologes 500 euro për gjyqtarin Hysi duke i premtuar edhe 500 euro të tjera pasi gjyqi të përfundojë në favorin e saj. Ndërkohë, në ambientet e një lokali shfaqet gjyqtari Roland Hysi i cili i kërkon favore seksuale nënës së divorcuar. [Link]

Ky është i disati rast i skandaleve me korrupsion në drejtësinë shqiptare gjatë viteve të fundit.

Në vitin 2016, gjyqtari i Beratit Shyqyri Çobo u vu nën hetim, u shkarkua dhe më pas u dënua pasi u denoncua nga një shtetase, e cila gjendej në gjyq divorci, por u shantazhua për të ofruar seks në këmbim të vendimit. Po në vitin 2016, një video tjetër përgjimi tregoi ish-gjyqtarin e Gjirokastrës Guximtar Boçi i cili gjithashtu kërkonte favore seksuale në këmbim të një vendimi gjyqësor. Boçi u shkarkua nga detyra nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë por hetimi ndaj tij u pushua pa akuzë në vitin 2018.