Lajm25 Mar 2020

KLGJ pezullon veprimtarinë dhe shërbimet e gjykatave edhe për dy javë të tjera

Përjashtohen nga efektet e këtij pezullimi veprimtaria dhe shërbimet gjyqësore që lidhen me çështje me natyrë të ngutshme si masat e sigurimit dhe afatet e paraburgimit.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami dhe anëtarët e tjerë të Këshillit gjatë një mbledhjeje. Foto: LSA

Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ njoftoi të martën më 24 mars shtyrjen edhe dy javë të tjera të afatit të pezullimit të veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në të gjitha gjykatat e vendit.

Në njoftim sqarohet se, nisur nga fakti se situata e krijuar nga infeksioni i shkaktuar prej COVID-19 mbetet e pandryshuar, KLGJ me vendimin Nr.128 të datës 24 mars ka vendosur të vijojë pezullimin.

Sipas KLGJ kohëzgjatja e pezullimit do të nisë të mërkurën më datë 25 mars, deri më datë 7 prill, përfshirë edhe këtë datë.

KLGJ shpjegon se, përjashtohen nga efektet e këtij pezullimi veprimtaria dhe shërbimet gjyqësore që lidhen me çështje me natyrë të ngutshme, si seancat gjyqësore që kanë lidhje me masat e sigurimit, afatet e paraburgimit, etj.

“Në çdo rast, ndalohet prania e publikut në mjediset e gjykatave. Gjatë periudhës së pezullimit, komunikimi i publikut me gjykatat mund të realizohet vetëm nëpërmjet postës zyrtare, postës elektronike(email), ose online, nëpërmjet faqeve zyrtare të internetit të gjykatave”, sqarohet në njoftim.