Lajm11 Oct 2021

KLGj shkarkon nga detyra gjyqtarin Roland Hysi të dënuar 2 vite më parë për korrupsion

Këshilli i Lartë Gjyqësor pranoi kërkesëm e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin e gjyqtarit të Fierit Roland Hysi, të arrestuar afro tre vite më parë për korrupsion dhe kërkim të favoreve seksuale. Ndërkohë, u vendos pezullimi i procesit disiplinor ndaj gjyqtares Evjeni Sinojmeri derisa vendimi i Komisionit për shkarkimin e saj të marrë formë të prerë.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Çekiçi i gjyqtarit | Foto ilustrim nga Wikimedia

Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ pranoi të hënën kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD, Artur Metani për fillimin e procedimit disiplinor dhe shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Fierit Roland Hysi i cili wshtw dënuar me 3 vjet burg për korrupsion.

Gjyqtari i Gjykatës së Fierit, Roland Hysi u arrestua në janar të vitit 2019 së bashku me psikologen Elona Meçani pas publikimit të një videoje përgjimi kompromentuese nga emisioni ‘Stop’, që përfshinte ryshfet në para dhe favore seksuale.

Në fillim të seancës, kryetarja e KLGJ-së Naureda Llagami konstatoi se gjyqtari Roland Hysi nuk ishte i pranishëm në seancën plenare, si dhe nuk ka ngarkuar përfaqësues ligjor për mbrojtjen e tij, megjithëse rezultonte që të kishte marrë njoftim. Gjithashtu, Hysi nuk ka paraqitur as parashtrime me shkrim.

Kreu i ILD-së u shpreh se seanca duhej të vazhdonte pasi Hysi ka marrë dijeni për zhvillimin e seancës dhe për afatin për dorëzimin e parashtrimeve. “Nuk shikoj arsye për shtyrje”, tha Metani.

Pasi KLGJ vendosi të vazhdojë seancën, Kryeinspektori Metani parashtroi rezultatet e hetimit disiplinor. Ai evidentoi faktin se më 17 tetor 2019, ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë e ka deklaruar fajtor Hysin për veprën penale “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, dhe e ka dënuar atë me 4 vjet e 6 muaj burgim, ku për shkak të gjykimit të shkurtuar është dënuar përfundimisht me 3 vjet burgim. Gjithashtu i është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare. Ky vendim është lënë në fuqi nga Apeli.

Sipas Metanit, gjyqtari Roland Hysi është gjetur fajtor për veprime, të cilat për nga natyra e tyre janë të shkallës më të rëndë, siç janë aktet korruptive të lidhura me ushtrimin e funksionit të gjyqtarit.

“Veprimet kanë diskretituar rëndë figurën e gjyqtarit, imazhin e tij në publik, si dhe kanë ulur besimin e publikut tek figura e gjyqtarit e tek gjyqësori. Kjo pasi i pandehuri ka kërkuar e pranuar ryshfet në favor të tij dhe e ka përfituar atë për shkak të detyrës së tij, si gjyqtar dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar favor seksual nga një palë ndërgjyqëse”, u shpreh Metani dhe kërkoi shkarkimin e Hysit nga detyra, kërkesë që u pranua nga KLGJ. Gjithashtu, KLGJ u shpreh se u vendos edhe ndëprerja e marrdhënieve financiare për gjyqtarin Hysi.

Në mbledhjen e të hënës u shqyrtua edhe kërkesa e përsëritur e anëtarit të KLGj Medi Bici, i cili në cilësinë e relatorit të çështjes lidhur lidhur me kërkesën e ILD-së për shkarkimin e nga detyra të gjyqtares Evjeni Sinojmeri, ka mbajtur qëndrim për pezullimin e këtij procesi pasi tashmë ka një vendim të Komisionit për largimin e saj nga sistemi i drejtësisë.

Sipas kërkesës përfillimin e procedimit disiplinor tw Metanit, Sinojmeri duhet të shkarkohet nga detyra për shkak se nuk është paraqitur në punë pas përfundimit të një leje 2-vjeçare të dhënë më parë nga ish-KLD.

Gjyqtarja e Apelit Tiranë, Evjeni Sinojmeri mungoi në procesin e saj të vetingut në KPK, duke pretenduar se pandemia e kishte bllokuar në Shtetet e Bashkuara. Në seancat e zhvilluara në KLGJ, ajo ishte e pranishme përmes platformës online.

Sipas kërkesës për përfillimin e procedimit disiplinor, Sinojmeri duhet të shkarkohet nga detyra për shkak se nuk është paraqitur në punë pas përfundimit të një leje 2-vjeçare të dhënë më parë nga KLD. Ndërsa relatori Bici kërkon pezullimin e çështjes deri në momentin e marrjes formë të prerë të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e saj.

KLGj vendosi të pranojë kërkesën e Bicit duke e pezulluar procedimin disiplinor të Sinojemrit.