Duke e konsideruar një “masë të jashtëzakonshme”, KLGJ vendosi të caktojë gjyqtarë Apeli të vetuar për të shqyrtuar ekskluzivisht çështjet e ekstradimeve dhe transferimeve të të dënuarve jashtë shtetit në Gjykatën e Lartë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të martën të ndjekë të rrugë të shkurtër për mbushjen e vakuumit të krijuar nga mungesa e Gjykatës së Lartë, përmes caktimit të gjyqtarëve të Apelit për çështje që kanë të bëjnë ekskluzivisht me ekstradimet apo transferimet jashtë shtetit të personave të dënuar.
Përmes një njoftimi për shtyp, KLGJ e cilësoi këtë vendim “një masë të jashtëzakonshme”, që sipas saj synon t’i paraprijë çdo situate që mund të çonte në cenimin e marrëdhënieve ndërshtetërore të Shqipërisë apo të cënonte detyrimet nga konventat ndërkombëtare.
“Kjo masë u vlerësua si mundësia më e mirë ligjore, që mund të përdoret shumë shpejt dhe në mënyrë sa më efikase për të bërë të mundur daljen nga ngërçi në të cilën ndodhet Gjykata e Lartë. Ndërkohë, është detyrë funksionale e Këshillit për të zgjidhur problemin e krijuar, për emërimin sa më të shpejtë të anëtarëve të Gjykatës së Lartë,” thuhet në njoftimin e KLGJ-së.
Gjithashtu, Këshilli njoftoi se pjesë e shorteve për të shqyrtuar çështje të ekstradimeve apo të transferimeve në Gjykatë të Lartë do të bëhen vetëm ata gjyqtarë të Apelit që plotësojnë kriterin kushtetues të 13 viteve përvojë si dhe të jenë konfirmuar në detyrë në kuadër të procesit të vetingut.
Jofunksionale prej thuajse një viti, Gjykata e Lartë numëron tashmë mbi 32 mijë dosje që presin për t’u gjykuar. Megjithatë, skema e caktimit të gjyqtarëve të Apeleve me short pritet të shkaktojë debat për shkak se nuk gjen mbështetje në Kushtetutë.
Neni 136 i Kushtetutës parashikon që gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Kushtetuta parashikon edhe mekanizëm zhbllokues në rastin kur presidenti nuk dekreton kandidatin e propozuar përmes votës së shumicës së anëtarëve të KLGJ-së.
I pyetur nga BIRN se ku është bazuar vendimi i së martës, anëtari i KLGJ-së, Erion Muharremaj sqaroi se ai mbështetej në pikën 3 të nenit 4, në pikën 1 të nenit 147, si dhe në shkronjën “a” të pikës 1 të nenit 147/a të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Muharremaj shtoi se vendimi ishte gjithashtu në përputhje me nenet 2, 89, 97 dhe 98 të ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
Pika 1 e nenit 147/a të Kushtetutës i jep Këshillit të Lartë Gjyqësor kompetenca në “emërimin, vlerësimin, ngritjen në detyrë dhe transferimin e gjyqtarëve të të gjitha niveleve”.
Ndërsa nenet e cituara në ligjin “për organet e qeverisjes..” flasin për kompetencat e KLGJ-së në administrimin e aspekteve të ndryshme të sistemit gjyqësor. Vendimi i KLGJ-së për të zgjidhur një pjesë të ngërçit përmes caktimit të gjyqtarëve nga Apelet është mbështetur edhe nga një opinion i misionit “Euralius” në Shqipëri.
Skema e caktimeve u kontestua nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta më 3 korrik, me argumentin se është në kundërshtim me Kushtetutën, cënon kompetencat kushtetuese të Presidentit dhe sipas tij, besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.