Lajm20 Nov 2020

KLP hap garën për pozicionin e drejtuesit në 28 prokurori

Tre javë pas ndryshimit të rregullores, kur Këshilli i Lartë të Prokurorisë i dha të drejtë vetes t’i emëronte drejtuesit pa e kaluar ende vetingun, njofton nisjen e procedurës për plotësimin e vendeve vakante.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Anëtarët e KLP-së gjatë një mbledhjeje. Foto: Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP, njoftoi të premten çeljen e procedurave për plotësimin e pozicioneve vakante të titullarëve të 28 prokurorive të Shkallës së Parë dhe të Apelit, shumica e të cilave aktualisht drejtohen nga prokurorë me caktime të përkohshme.

Në njoftimin e KLP thuhet se kandidatët duhet të dorëzojnë aplikimin e tyre brenda dy javëve të ardhshme.

Në mbledhjen plenare të 27 tetorit, me 6 vota pro dhe 3 vota kundër, KLP vendosi ndryshimin e rregullores për rekrutimin dhe karrierën e prokurorëve, duke i dhënë të drejtën vetes që të kryejë vetingun e prokurorëve që do të kandidojnë për drejtues të prokurorive, pa kaluar procesin e rivlerësimit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK dhe në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA. Shumica e anëtarëve e justifikuan vendimmarrjen e tyre me vonesat e KPK dhe KPA në rivlerësimin të dy kandidatëve për SPAK. Sipas tyre, KLP duhej të garantonte karrierën e prokurorëve dhe se vetingu nuk duhej të cënonte procesin e ngritjes së tyre në detyrë.

Tre prej katër anëtarëve prokurorë të KLP, prokurorët Esmeralda Cami Keshi, Bujar Sheshi dhe Kostaq Beluri votuan kundër ndryshimeve të rregullores dhe evidentuan se kryerja e vetingut nga Këshilli mund të sillte cënim të integritetit të tij, nëse institucionet e vetingut do të dilnin me vendim të kundërt lidhur me verifikimin e pasurisë dhe figurës për drejtuesit e zgjedhur.

Në njoftimin e KLP pasqyrohen kriteret që duhet të ketë një kandidat për drejtues prokurorie të rrethit gjyqësor ose të Apelit. Kandidatët duhet të kenë të paktën 7 vjet eksperiencë, nga të cilat 4 vjet në të njëjtën shkallë; nuk duhet të ketë masë disiplinore në fuqi; nuk duhet të ketë qenë anëtarë të Këshillit në tri vitet e fundit dhe të kandidojë për herë të parë pozicionin e drejtuesit. Sipas KLP, mund të rikandidojnë edhe drejtuesit aktualë.

Ndër të tjera, kandidatët duhet të dorëzojnë një platformë personale të qëllimeve dhe objektivave që propozon të ndjekë nëse do të përzgjidhet për tu emëruar si drejtues. KLP kërkon që në platformë të pasqyrohet qëndrim i kandidatit për mënyrën se si mund të realizohen në mënyrën më të efektshme kompetencat e drejtuesit të prokurorisë në fazën e hetimit, por pa cënuar pavarësinë e prokurorit të çështjes.

Kandidatët që do të plotësojnë kriteret, do t’i nënshtrohen vlerësimit të pastërtisë së figurës dhe verifikimit të pasurisë nga ana e KLP.