Lajm19 May 2020

KLP zgjedh tre prokurorët e rinj të SPAK-ut

Prokurorët Sotir Kllapi, Dritan Prençi dhe Valdimir Mara do t’i bashkohen trupës së prokurorëve të SPAK-ut, ndërkohë që tre vende mbahen vakante për shkak se nuk ka përfunduar ende  vetingu për prokurorët e shpallur më parë fitues.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Prokurorët e SPAK gjatë ceremonisë së betimit në Presidencë. Foto: Presidenca e Shqipërisë.

Tre prokurorë iu bashkuan Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, dy prej të cilëve kanë qenë të komanduar aty prej disa muajsh me kërkesë të drejtuesit Arben Kraja. Këshilli i Lartë i Prokurorisë njoftoi të martën se prokurorët Sotir Kllapi, Dritan Prençi dhe Vladimir Mara dolën fitues për tre vendet vakante dhe do të kryejnë betimin para Presidentit të Republikës më 21 maj.

Në garë morën pjesë 4 prokurorë, prej nga Kllapi u vlerësua me 174 pikë; Prençi 171 pikë dhe Mara me 168 pikë. Prokurorët Prençi dhe Mara punojnë aktualisht si të komanduar në SPAK.

KLP skualifikoi prokuroren Dorina Bejko, e cila arriti të merrte vetëm 158 pikë.

Pas përzgjedhjes së 3 kandidatëve, numri i prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme shkoi në 12, ndërkohë që 3 vende konsiderohen ende vakante. Për plotësimin e tyre, BIRN mësoi se po pritet përfundimi i vetingut për Anton Martinin, Manjola Kajanën dhe Elisabeta Imerajn –të përzgjedhur si fitues në procedurën e parë të kryer nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Prokurorët Anton Martini dhe Manjola Kajana e kaluan shkallën e parë të vetingut, por Kajana u apelua nga Komisioneri Publik. Ndërsa prokurorja Elisabeta Imeraj nuk është përballur ende me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.