Lajm16 Nov 2018

Kolegji i Apelimit rihap hetimin për gjyqtarin Edmond Islamaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të pranojë pjesërisht  kërkesën e Komisionerit Publik për hapjen e hetimit gjyqësor ndaj anëtarit të Gjykatës së Lartë Edmond Islamaj, ndërsa shtoi së ndaj subjektit kanë ardhur dhe 4 denoncime të reja pas vendimit të konfirmimit në detyrë. 

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj, duke dalë pas një seance të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, | Foto nga : LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimi vendoi të premten të pranojë pjesërisht një kërkesë të Komisionerit Publik Florian Ballhysa për çeljen e hetimit gjyqësor ndaj gjyqtarit Edmond Islamaj. Palëve iu komunikua vendimi i ndërmjetëm sipas të cilit Kolegji do të kërkojë informacione shtesë dhe do të kryej hetim për disa elementë të pasurisë së Islamajt. Po ashtu palët u njoftuan se në KPA kanë ardhur 4 denoncime të reja, pas vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të konfirmuar Islamajn në detyrë.

Seanca e të premtes ishte e dyta e mbajtur në Kolegjin e Apelimit pas ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Islamaj.

Islamaj ka një karrierë të gjatë në gjyqësorin shqiptar dhe para se të emërohej në Gjykatën e Lartë, ka mbajtur poste të ndryshme, përfshirë gjykatës i Shkallës së Parë, kryetar gjykate, kryeinspektor në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe gjykatës Apeli.

Ai iu nënshtrua procesit të rivlerësimit për shkak të funksioni dhe hetimi administrativ i udhëhequr nga relatorja Genta Tafa Bungo, arriti në përfundimin se i përmbushte të tre kriteret e vetingut, përfshirë integritetin e figurës, profesionalizmin dhe kontrollin e pasurisë.

Lexo edhe:

Megjithatë, përfundimi i KPK-së për sa i përket kontrollit të pasurisë u kontestua nga Komisioneri Publik, i cili çmoi se “procesi i hetimit i Komisionit për kriterin e vlerësimit të pasurisë nuk është i plotë, ka mangësi dhe për rrjedhojë në gjendjen që janë aktet nuk mund të konkludohet se subjekti i rivlerësimit ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë së tij.”

Gjatë seancës së parë në Kolegjin e Apelimit të mbajtur të hënën me 12 nëntor, Komisionieri Publik dhe gjyqtari Islamaj paraqitën parashtrimet mbi çështjen. Komisioneri Ballhysa parashtroi një seri argumentesh në mbështetje të kërkesës së tij për një hetim të plotë nga ana e Kolegjit të Apelimit. Ndërkohë, gjyqtari Islamaj paraqiti disa akte të reja me prova që sipas tij sqaronin dyshimet e ngritura nga Komisioneri Publik për pasurinë e tij, duke insistuar që kjo e fundit ishte produkt i ‘trashëgimisë’.Trupa gjyqësore e përbërë nga Luan Daci si kryesues, Sokol Çomo relator, si dhe gjyqtaret Ina Rama, Rezarta Rezarta Schuetz dhe Albana Shtylla, vendosën t’i jepnin deri të premten Komisionerit Publik që të njihej dhe të shprehej mbi aktet e paraqitura nga gjyqtari.

Në seancën e të premtes, përpara se të shprehej mbi aktet e paraqitura nga Islamaj, Komisioneri Ballhysa i kërkoi trupës të shprehej për hapjen pjesërisht ose tërësisht të procesit gjyqësor.

“Jam i gatshëm të shpreh qëndrimin mbi aktet që janë paraqitur, por përpara kërkoi Kolegjin të shprehet për çeljen tërësisht ose pjesërisht të procesit,” deklaroi Ballhysa. “Në këtë moment nuk mund të administrohen këto akte,” shtoi ai.

Me anë të ndërhyrjes së gjyqtares Ina Rama, Kolegji i Apelimit i kërkoi gjyqtarit Islamaj që të paraqiste pozicionin e tij mbi parashtrimet e paraqitura nga Komisioneri Publik. Islamaj u shpreh se parashtrimet e Komisionerit, pasi përbënin kërkime të reja prove, ishin joligjore dhe duhet të rrëzoheshin.

“Ankimi duhet të bazohet mbi faktin nëse është zbatuar ose jo ligji nga KPK,’ tha Islamaj.

Gjatë seancës të së premtes, kryesuesi i trupës Luan Daci i kërkoi gjithashtu gjyqtarit Islamaj një liste të munguar me adresat e udhëtimeve të subjektit jashtë shtetit, e cila përmendej në parashtrimet e tij, por që nuk i ishte atashuar akteve të dorëzuara. Gjyqtari premtoi se listën do ta dorëzonte në një afat të shkurtër.

Pas kërkesës së Komisionerit Publik, Kolegji u tërhoq për ta shqyrtuar dhe doli me vendim të ndërmjetëm, për të rihapur hetimet për pasurinë e Islamajt.

KPA vendosi të hetonte pasuritë e paluajtshme në emër të bashkëshortes, për të cilat Komisioneri ka ngritur dyshime se nuk justifikoheshin nga të ardhurat. Po ashtu do të hetohet origjina e pronës dhe vlera e një toke kullotë në Karpen të blerë nga subjekti, për të cilën Komisioneri ka ngritur dyshime pasi ndodhet në një zonë turistike. Subjektit iu kalua barra e provës për të ardhurat e babait, i cili rezulton pjesëtar në një transaksion për blerjen e një makine dhe po ashtu në dhurimin e dy apartamenteve për fëmijët e gjyqtarit. Gjithashtu u vendos të kërkoheshin nga ILDKPKI kontratat e shitjes për dy makina, Opel Corsa dhe Benz, për të cilat Islamaj pretendon se i ka depozituar në Inspektoriat.

Seanca e ardhshme ndaj gjyqtarit Islamaj do të mbahet me 11 dhjetor.