Lajm5 Feb 2019

Kolegji i kërkon gjyqtares taksat e djalit të tezes në Itali

KPA i kërkoi gjyqtares Alma Brati të sillte një vërtetim mbi taksat që kishin paguar në Itali dy ta afërm të saj, duke nënvizuar që sigurimi i këtij informacioni me letër porosi do zgjaste afatet e procesit.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtarja Alma Brati, gjatë seancës dëgjimore në Kolegjin e Apelimit | Foto nga : LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit mbajti të martën seancën e radhës, për ankimin e paraqitur nga Komisioneri Publik ndaj vendimin të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmim në detyrë të gjyqtares Alma Brati.

Shqyrtimi i ankimit në KPA udhëhiqet nga Natasha Mulaj, dhe anëtarë janë gjyqtarët Luan Daci, Albana Shtylla, Ina Rama, dhe Razarta Schuetz.

Gjatë seancës trupi gjykues i dorëzoi subjektit të rivlerësimit dhe Komisionerit Publik kopje të dokumenteve të administruara nga disa institucione shtetërore në vend, me kërkesë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në funksion të hetimit të çështjes.

Ndërkohë, kryesuesja e seancës Natasha Mulaj, shpjegoi se Kolegji ishte ende në pritje të një dokumenti nga autoritetet tatimore italiane për pagesën e taksave nga djali i tezes së subjektit dhe bashkëshortja e tij me banim në Forli, të cilët konsiderohen persona të lidhur.

Por për shkak të afateve kohore që mund të kërkojë kthimi i letër porosisë nga Italia, trupa gjykuese e pyeti subjektin e rivlerësimit nëse mund ta siguronte vetë këtë dokument, për të përshpejtuar afatet e gjykimit.

Gjyqtarja Brati u shpreh se ishte e paqartë se kujt dokumenti i referohej Kolegji, duke nënvizuar se ajo kishte dorëzuar dokumente mbi të ardhurat e personave të lidhur, për një hua të marrë.

“Vërtetimin e kam sjellë me vulë apostile,” tha Brati. “Dhe kjo për një vlerë 25 mijë euro që e kam marrë dhe e kam kthyer, jo 200 mijë euro,” shtoi ajo.

Ndërkohë, Komisioneri Publik Dariel Sina kërkoi nga Kolegji revokimin e vendimit për marrjen e këtij dokumenti nëpërmjet autoriteteve shtetërore italiane, duke ia lënë subjektit të rivlerësimit barrën e sjelljes së kësaj prove sipas një formulari tip të përcaktuar – model 730

Pas kërkesës së Komisionerit Sina, trupa gjykuese u tërhoq dhe pas shqyrtimit të kërkesës në dhomë këshillimi vendosi  “të mos pranojë kërkesën e Komisionerit Publik për revokimin e vendimit për marrjen e provës nga autoritetet tatimore italiane, të mos pranojë kërkesën e Komisionerit Publik, në këtë moment procedural, për kalimin e barrës së provës subjektit të rivlerësimit Alma Brati; si dhe ti japë të drejtë subjekti i rivlerësimit Alma Brati të paraqesë aktet që vërtetojnë pagimin e tatimeve në Itali, nga persona të lidhur me të.”

Në pritje të dokumenteve të kërkuara në cilësinë e provës, trupi gjykues e shtyu seancën publike më datë 11 mars .2019, ora 10.00.