Analize17 Aug 2021

Kolegji: Konfirmimi në KPK i Artan Madanit, i pabazuar në ligj dhe prova

Në vendimin e arsyetuar për shkarkimin e drejtuesit të Prokurorisë së Kavajës, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vlerëson se analiza financiare dhe konkluzionet e KPK-së për të ardhurat dhe dhuratat nga familjarët janë të pabazuara.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Prokurori Artan Madani në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit | Foto: Besar Likmeta

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi më 12 maj të ndryshojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të drejtuesit të Prokurorisë së Kavajës, Artan Madani dhe e shkarkoi këtë të fundit nga detyra për mungesë të burimeve financiare për krijimin e pasurive dhe për deklarim të pasaktë.

Më parë, Madani ishte konfirmuar në detyrë me shumicë votash nga KPK, me argumentin e proporcionalitetit.

Bazuar në rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM – Komisioneri Publik, Florian Ballhysa e ankimoi si të pabazuar vendimin e KPK për Madanin dhe pretendoi se ai nuk kishte pasur burime të ligjshme për blerjen e një apartamenti dhe një garazhi në Durrës në çmimin 5.5 milionë lekë në vitin 2001, një fond investimi dhe gjendjen cash. Gjithashtu, konstatoi deklarim të pasaktë dhe fshehjen e ushtrimit të të drejtave mbi një makinë të përdorur prej subjektit dhe familjarëve të tij, por të padeklaruar.

Ballhysa e cilësoi konkluzionin e Komisionit për apartamentin e banimit me sipërfaqe 146.46 m2 dhe garazh me sipërfaqe 10.5 m2 në Durrës të pabazuar. Sipas tij, vlerësimi i KPK niset nga një premisë e gabuar për t’i dhënë vlerë provuese nivelit deklarativ të shpjegimeve të subjektit të rivlerësimit, i cili pretendoi se shtëpinë e kishte marrë në dorëzim karabina dhe se kishte harruar të deklaronte garazhin.

Në vendimin e arsyetuar, edhe Kolegji konstaton mospërputhje në deklarimet e subjektit me provat e administruara gjatë procesit të rivlerësimit lidhur me vlerën e deklaruar për apartamentin dhe garazhin, si dhe për burimet e krijimit.

KPA e ka gjetur të pabazuar pretendimin e Madanit se diferenca ka ardhur si rezultat i punimeve të bëra për përfundimin e banesës në periudhën 2001-2003, pasi apartamentin e kishte marrë në disponim në fazë karabinaje. Sipas Kolegjit, nga dokumentacioni i ZVRPP-së Durrës është konstatuar se punimet e objektit kanë përfunduar në shtator të vitit 2000 dhe se ky fakt është përforcuar edhe nga provat e dorëzuara nga vetë subjekti i rivlerësimit.

“Gjendja karabina është për të gjithë blerësit ose për asnjërin, pasi është një gjendje ndërtimi e përgjithshme e pallatit,” çmon Kolegji.

Po ashtu, KPA ka vlerësuar të drejtë edhe shkakun tjetër të ngritur nga Komisoneri për mosdeklarimin e garazhit nga ana e subjektit, megjithëse ai kishte paguar për të dy pasuritë vlera të ndryshme dhe ka nënshkruar certifikata pronësie për secilën. Por kjo pasaktësi është vlerësuar jo penalizuese.

Nisur nga pasaktësitë në deklarimin e burimeve të krijimit të këtyre pasurive ose mosdeklarimit të tyre, Komisioneri konstatoi mungesë burimesh për blerjen e tyre. Sipas Ballhysës, nuk duhet të konsiderohen si të ardhura të ligjshme dhurimet nga të afërmit e pretenduara nga subjekti në shumën totale 3 milionë e 150 mijë lekë dhe se duhet të përfshihen në analizën financiare shpenzimet për periudhën 1992-1997.

Edhe në vlerësimin e Kolegjit, subjekti i rivlerësimit në deklaratën veting dhe atë periodike, ka kryer deklarim të pasaktë për burimet e krijimit të apartamentit. Në vijim, trupi gjykues i KPA vëren se subjekti i rivlerësimit nuk ka përcaktuar në deklaratën e parë të pasurisë vlerën e saktë të përfituar nga pjesëtimi vullnetar, duke e bërë të paidentifikueshëm këtë burim dhe për rrjedhojë të paprovueshme ekzistencën e burimit të ligjshëm.

Po ashtu, nuk janë konsideruar si burime për krijimin e këtyre pasurive edhe shumat e pretenduara nga Madani gjatë hetimit administrativ se i janë dhuruar nga babai dhe vëllai i bashkëshortes, pasi nuk janë pasqyruar as në deklaratat periodike dhe as në atë veting.

Nga analiza financiare e kryer në Kolegj për periudhën 1992-2003, duke mos konsideruar dhurimet e pranuara nga shumica e Komisionit, është konkluduar pamundësi financiare në shumën 3.8 milionë lekë.

Në vendim thuhet se në Kolegj janë kryer të gjitha alternativat e mundshme të varianteve të analizës financiare, prej nga ka rezultuar gjithmonë balancë negative.

Pamundësi financiare është konstatuar gjatë shqytimit në Kolegj edhe për krijimin e një fondi investimesh në shumën 5.5 milionë lekë në Raiffeisen Bank dhe për gjendjen cash në shumën 1.2 milionë lekë.

Ndryshe nga KPK që ka vlerësuar se pasaktësitë e konstatuara në deklarimet periodike për krijimin e këtyre likujditeteve nuk sjellin pasoja dhe nuk cënojnë ligjshmërinë e burimit të pasurisë, si dhe mungesat në vite nuk cënojnë besimin e publikut – Komisioneri dhe Kolegji vlerësojnë se subjekti rezulton me balanca negative për disa vite në shumën 2,9 milionë lekë.

Nga shqyrtimi i ankimit në Kolegj ka rezultuar se Madani nuk ka deklaruar përdorimin e një automjeti tip “Ford”.

Komisioni ka vlerësuar se shpjegimet e subjektit janë bindëse, pasi pronari i makinës ka pasur mundësi ta blejë atë dhe se nuk ka rezultuar që ai të ketë rekorde kriminale apo të jetë i përfshirë në krimin e organizuar. Ndërsa Komisioneri Publik pretendon se subjekti është në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe fshehjes së ushtrimit të të drejtave mbi këtë send.

Gjatë procesit të rivlerësimit, Madani ka shpjeguar se ai dhe bashkëshortja e tij e kanë përdorur këtë mjet në rasta të veçanta udhëtimi, kryesisht për lëvizje familjare drejt Tropojës, prej nga kanë kaluar në pikën kufitare me Kosovën.

Por, Kolegji vëren se të dhënat e nxjerra nga sistemi TIMS konfirmojnë se Madani dhe familja e tij, për periudhën nga viti 2014-2019 kanë kryer rreth 45 hyrje dhe dalje në total. Gjithashtu ka rezultuar se në vitin 2014 ka hyrë në territorin e Shqipërisë me të njëjtin automjet edhe vëllai i subjektit të rivlerësimit, z. A. M.

Nga shqyrtimi i ankimit në Kolegj është konstatuar se, në momentin e dorëzimit të deklaratës veting, subjekti i rivlerësimit ka pasur në përdorim automjetin në fjalë, sikundër dhe ka pasur policë sigurimi të vlefshme. Sipas KPA, prokurori Madani duhej të kishte deklaruar përdorimin e kësaj makine.

Në përfundim, trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Albana Shtylla, me relator Ardjan Hajdarin dhe anëtarë Ina Ramën, Rezarta Schuetz dhe Natasha Mulajn arrijnë në përfundimin se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë së tij dhe të personave të lidhur me të, duke rrëzuar vendimin e KPK-së sit ë pabazuar në fakte, prova dhe ligj.