Lajm17 Mar 2021

Kolegji nis procesin për Kastriot Selitën me 12 denoncime të reja

Komisioneri Publik kërkoi rihapjen e hetimit për pasurinë dhe aftësitë profesionale të kreut të Gjykatës Administrative të Apelit, Kastriot Selita, ndërkohë që ky i fundit i konsideroi si ankimin ashtu edhe denoncimet në adresë të tij si të pabaza.

Autor: Aleksandra Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Kryetari i Gjykatës Administrative të Apelit, Kastriot Selita në KPA. Foto: Vladimir Karaj.

Kreu i Gjykatës Administrative të Apelit, Kastriot Selita nisi përballjen e dytë me institucionet e vetingut të mërkurën –pothuajse dy vjet pas konfirmimit të diskutueshëm në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Selita po përballet në Kolegj me ankimin e Komisionerit Publik, Florian Ballhysa si dhe me 12 denoncime të reja të mbërritura pas përfundimit të procesit në shkallën e parë të vetingut.

Gjatë seancës së parë dëgjimore, komisioneri Florian Ballhysa i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që të riçelte hetimin për një seri episodesh të pasurisë si dhe për kriterin e aftësive profesionale për Selitën. Trupa gjyqësore në KPA drejtohet nga Albana Shtylla, me relatore Ina Rama dhe anëtarë Sokol Çomo, Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz.

“Procesi i hetimit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit nuk ka qenë i plotë dhe vendimarrja nuk është pajtueshmëri me provat e administruara në dosje,” tha Ballhysa, duke kërkuar nga Kolegji hetimin e mëtejshëm të disa çështjeve si dhe vlerësimin apo interpretimin e disa të tjerave.

Ballhysa kërkoi më tej riçeljen e hetimit për burimin e krijimit të disa pronave të zotëruara nga Selita dhë bashkëshortja e tij, të tilla si një apartament me sipërfaqe 124.9 m2 në rezidencën Ambasador 3, një apartament dhe garazh në të njëjtën adresë, një apartament 205 m2 dhe një sipërfaqe trualli në Lalëz të Durrësit si dhe blerjen e një automjeti.

Pikëpyetjet e ngritura mbi pasuritë e mësipërme i kanë rrënjët tek burimet financiare që bashkëshortja e Selitës ka përfituar nga shitja e një shtëpie dy-katëshe +papafingo nga familja e saj në Linzë, të investuara më pas në transaksione të tjera pronash.

Lidhur me shtëpinë e familjes së bashkëshortes, e shitur në vlerën e 220 mijë eurove, Ballhysa i kërkoi Kolegjit që të hetonte mbi kostot e ndërtimit, ligjshmërinë e burimeve si dhe metodologjinë e përdorur nga KPK në analizën financiare.

Komisioneri theksoi se objekti është vlerësuar me 3 vlera të ndryshme nga KPK, por në analizën financiare është përfshirë vlera më e ulët prej 4.7 milionë lekësh. Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje se pse KPK kishte llogaritur në analizë të ardhurat e familjes pas datës së kryerjes së pagesave për ndërtimin e shtëpisë.

Në kriterin e aftësive profesionale, ankimi i Komisionerit Publik u fokusua në dyshimet për konflikt interesi dhe konflikt interesi në dukje, në një rekomandim të dytë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit si dhe në disa denoncime nga publiku.

Duke cituar vëzhguesit e ONM, Ballhysa tha në seancë se subjekti i rivlerësimit duket se nuk është mjaftueshëm i ndjeshëm për konfliktin e interesit dhe nuk ka vepruar në mënyrën e duhur lidhur me konfliktin në dukje të interesit.

Në seancë u përmend një çështje e gjykuar nga Selita në cilësinë e relatorit ndaj një kompanie, administratori i së cilës kishte blerë apartamentin e bashkëshortes së tij në vitin 2015 për 110 mijë euro.

Në një tjetër çështje, Selita kishte gjykuar një çështje me palë të tretë një kompani ndërtimi, ku një vit më pas kishte blerë një apartament dhe një garazh. Sipas Komisionerit, kjo çështje nuk ishte vlerësuar nga KPK, ndërkohë që i kërkoi Kolegjit të vlerësonte nëse gjykimi ishte ndikuar nga trysnia e interesave private të subjektit.

Sipas Komisionerit, Selita nuk ka respektuar në të gjitha rastet dorëheqjen nga shqyrtimi i çështjeve me palë drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ku bashkëshortja e tij ka qenë titullare.

Hetimi në KPK u kritikua edhe për mostrajtimin e të gjitha denoncimeve të mbërritura në adresë të subjektit, ku përmendeshin ndër të tjera standarde të ndryshme në gjykim. Sa i përket çështjes së transferuar në Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë lidhur me prokurorin Bledar Valikaj, Komisioneri Publik tha se mangësitë e vërejtura në gjykim duhej të shërbenin për vlerësimin tërësor të subjektit.

“Rastet e mësipërme nuk janë të shkëputura dhe në një analizë tërësore të tyre mund të vlerësohet se subjekti ka cenuar besimin e publikut te drejtësia,” tha Ballhysa, duke iu referuar rasteve të dyshuara të konfliktit të interesit.

Para se fjala t’i kalonte Selitës, Ballhysa kërkoi që Kolegji të riçelte hetimin për të gjitha shkaqet e ankimit.

Në parashtrimet e tij që zgjatën gati 3 orë, kreu i Gjykatës Administrative të Apelit, Kastriot Selita i konsideroi të pabaza të gjitha pikat e ankimit të Komisionerit Publik si dhe dorëzoi prova të reja për të vërtetuar pretendimet e tij.

Për shtëpinë e familjes së bashkëshortes së tij në Linzë, Selita tha se kishte dorëzuar në KPK preventivin, faturat tatimore të pagesave në vitet 2003 dhe 2004 si dhe situacionet e punimeve dhe këmbënguli se vlera e ndërtimit ishte 4.7 milionë lekë. Ai shtoi se kostoja ishte deklaruar nga vjehrri dhe bashkëshortja e tij në ILDKPKI dhe e konsideroi të pasaktë referimin me koston minimale të Entit Kombëtar të Banesave.

Kryegjyqtari shtoi se të ardhurat e bashkëshortes nga një kontratë konsulence me një fondacion ishin të ligjshme dhe e konsideroi të pasaktë pretendimin e Ballhysës se ajo kishte detyrimin për të paguar të gjitha detyrimet tatimore.

Ai tha se ishte në pamundësi objektive për të paraqitur dokumentacionin e plotë për shkak se fondacioni nuk kryente aktivitet prej vitesh në Shqipëri.

Selita shtoi se nuk kishte pasur shpenzime mobilimi për shtëpinë në Linzë, për shkak se ishin përdorur mobiljet e shtëpisë së mëparshme në Peshkopi. Për shpenzimet e jetesës së familjes së bashkëshortes, ai u rezervua të mbante qëndrim pas kryerjes së analizës financiare të KPA- por theksoi se ato kishin qenë minimale.

Lidhur me pagesën me vonesë të detyrimeve tatimore për shitjen e një apartamenti në vitin 2007, subjekti bëri një interpretim juridik të shitjes së të drejtave reale dhe shtoi se u pagua menjëherë pasi u konstatua.

“Kemi paguar 15% dhe jo 10% sa ishte në vitin 2007 dhe kjo ka ndodhur përpara dorëzimit të deklaratës veting,” tha Selita, duke pretenduar se Komisioneri nuk kishte ankuar shumë raste të tjera që i kishin kryer pagesat pas deklaratave veting.

Pasi dha sqarime për të gjitha pikat e ngritura nga Komisioneri, Selita pretendoi gjithashtu se të gjitha dhurimet dhe transaksionet mes bashkëshortes dhe familjes së saj kishin ndodhur përpara martesës së tij dhe nuk mund ta ngarkonin atë me përgjegjësi.

Selita hodhi poshtë të gjitha pretendimet për konflikt interesi, ndërsa tha se proceset gjyqësore kishin ndodhur në distancë kohore me transaksionet e kryera nga bashkëshortja.

“Vlerësimi i bazuar në prova është i qartë, në asnjë rast nuk kam qenë në kushtet e konfliktit të interesit,” pretendoi ai.

Selita i konsideroi të pabaza dhe në disa raste pa asnjë lidhje me të 12 denoncimet e reja të mbërritura në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Ai e konsideroi të gabuar vendimin e KPK-së për të transferuar vendimin në favor të Bledar Valikaj –bashkëshorti i deputetes socialiste Ermonela Felaj te Inspektori i Lartë i Drejtësisë, duke e konsideruar procesin të rregullt dhe ligjor.

Në fund të fjalës së tij, Selita renditi listën e provave të reja të dorëzuara në KPA për të mbështetur pretendimet e tij dhe kërkoi administrimin e tyre.

E pyetur nga kryesuesja Albana Shtylla nëse kishte pretendime për provat, komisioneri Florian Ballhysa tha se kërkonte kohë për t’u shprehur për përmbajtjen si dhe për t’u njohur me pretendimet e subjektit mbi 12 denoncimet e reja.

Pas një konsultimi “vesh më vesh”, trupa gjykuese vendosi ta shtyjë seancën në datën 1 prill për të vendosur mbi çeljen e hetimit dhe pranimit të provave të reja, të dorëzuara nga subjekti.