Lajm12 Jul 2019

Kolegji paraqet analizën finaciare për Nertina Kosovën

Gjatë një seance të shkurtër Kolegji i Posaçëm i Apelimit njohu palët me analizën financiare për gjyqtaren Nertina Kosova dhe u dha atyre kohë të jepnin qëndrimet e tyre mbi rezultatet.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtarja Nertina Kosova në KPA | Foto nga : LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit njohu të premten palët në procesin për gjyqtaren Nertina Kosova, me analizën financiare. KPA që vendosi t’i japë gjyqtares së Krimeve të Rënda Nertina Kosova dhe Komisionerit Publik kohë për të paraqitur qëndrimet e tyre mbi këtë analizë, bëri me dije se ajo ishte bërë duke marrë parasysh tre skenarë të mundshëm.

Kryesuesi i trupës Sokol Çomo tha se analiza ishte bërë duke konsideruar babain e Kosovës si kryefamiljarë dhe person i lidhur. Ai tha se ajo ishte bërë për shkak se nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk kishte pasur një analizë të detajuar dhe as një metodologji përllogaritje për këtë rast.

Çomo vuri në dukje se analiza, që përfshinte periudhën nga viti 1998 deri në vitin 2006, ishte paraprake, pasi siç shpjegoi ai KPA nuk kishte ende vendim mbi disa prej çështjeve për të cilat është bërë ankimi i Komisionerit Publik, ndaj konfirmimit të Kosovës.

Kryesuesi shpjegoi se analiza ishte bërë duke mbajtur parasysh se babai i subjektit do të konsiderohej person tjetër i lidhur siç ishte kërkuar nga Komisioneri Publik. Ajo ishte bërë duke u nisur nga një skenar i bazuar në analizën e bërë nga KPK, një skenar i bazuar në të dhënat e INSTAT dhe një tjetër mbi mënyrën e analizimit të përdorur nga ILDKPKI.

Ai tha se KPA do të shprehej në vendim ndër të tjera edhe se si do të konsiderohej transferat e parave e bërë nga vëllai i gjyqtares për një kompani jashtë vendit. Komisioneri Publik, i cili apeloi çështjen e Kosovës pasi ajo u konfirmua nga KPK, ka kërkuar hetim të kësaj transferte. Gjyqtarja në seancat e mëparshme paraqiti prova, që sipas saj tregojnë se transferta ishte bërë për llogari të kompanisë ku punonte vëllai i saj dhe jo prej tij privatisht.

Një tjetër pikëpyetje sipas Çomos, ishte nëse do të konsiderohej e ardhur e ligjshme kthimi i shumës prej 1.5 milion lekësh nga kompania e ndërtimit me të cilën Kosova pati një marrëveshje për blerej apartamenti e cila nuk u realizua. “Një prej anëtarëve të trupës gjykuese ka kërkuar që ajo të mos konsiderohet si e hyrë në të ardhurat e familjes”, tha gjyqtari, por shtoi se vendimi për këtë do merrej në fund pasi të dëgjoheshin sërish palët.

Kosova pretendon se shuma e kursyer nga prindërit e saj prej të ardhurave të tyre dhe të asaj vetë i ishte dhënë si kthim pas i kontributeve në familje. Ajo ka thënë se e ka përdorur atë për të prenotuar një apartament, por pas dështimit të realizimit të kontratës shuma iu kthye pas.

KPA dhe Komisioneri kanë ngritur pikëpyetje mbi faktin që kjo shumë nuk ishte deklaruar si ndryshim pasurie. Por Kosova ka shpjeguar se mosdeklarimi kishte të bënte me faktin se shuma ishte marrë dhë kthyer brenda të njëjtit vit financiar e për pasojë nuk kishte prodhuar ndryshime në pasurinë e saj.

Në fund KPA vendosi të shtyjë seancën për të dëgjuar palët për në datë 19 korrik ora 8.00 e mëngjesit.

Kosova, e cila kaloi me sukses shkallën e parë të vetingut më 18 korrik 2018, pasi KPK e vlerësoi pozitivisht në të tre kriteret, u përball më pas me një ankim të Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, i cili pretendon se hetimi i KPK në kriterin e pasurisë nuk ishte i plotë. Kosova po gjykohet nga një trupë e kryesuar prej Sokol Çomos, me relatore Natasha Mulaj dhe anëtarë Ardian Hajdari, Luan Daci, Rezarta Schuetz.