Lajm12 Apr 2019

Kolegji pranon provat e Bratit, paraqiten dy denoncime të reja

Kolegji i Posaçëm i Apelimit pranoi si prova dokumente të reja të paraqitura nga gjyqtarja Alma Brati për të provuar mundësinë e të afërmve të saj për t’i dhënë hua, ndërsa e njohu atë me dy denoncime të reja.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtarja Alma Brati, gjatë seancës dëgjimore në Kolegjin e Apelimit | Foto nga : LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi përmes një vendimi të ndërmjetëm të pranonte si prova një sërë dokumentesh të tjera të paraqitura nga gjyqtarja Alma Brati, për të provuar mundësitë ekonomike të personave të lidhur. Ndërsa i dha asaj kohë për njohjen me dy denoncime të reja.

Shqyrtimi i ankimit në KPA udhëhiqet nga Natasha Mulaj, dhe anëtarë të trupit gjykues janë gjyqtarët Luan Daci, Albana Shtylla, Ina Rama, dhe Razarta Schuetz.

Gjatë seancës së rradhës të premten për shqyrtimin e çështjes ndaj Bratit, e cila u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por u ankimua në Kolegj nga Komisioneri Publik i cili pretendoi hetim të paplotë të pasurisë, gjyqtarja vuri në dispozicion një sërë dokumentash që sipas saj provonin mundësitë financiare të të afërmve të saj në Itali.

Nga parashtrimi rezultoi se Brati pasi kishte paraqitur më herët dokumentet mbi pasuritë e tezes dhe të bashkëshortes së djalit të tezes. Ndërkohë gjatë kësaj seance u paraqitët dokumentet që provonin të ardhurat e djalit të tezes.

Brati po ashtu solli disa dokumente të reja për të provuar të ardhurat e babait si avokat dhe se punonjës i Policisë së Shtetit në mesin e viteve ‘90. Brati këmbënguli që KPA të merrte parasysh faktin se një pjesë e dokumenteve nuk mund të siguroheshin për shkak se institucionet ishin djegur në vitin 1997. Ajo vuri në dispozicion një sërë dokumentesh të tjera që sipas saj provonin tërthorazi të ardhurat e babait si avokat.

Brati kundërshtoi ndërkohë gjetjet e analizës finaciare të KPA. Sipas saj analiza ishte bërë në kapërcim të kërkesave të parashtruara nga Komisionerit Publik për gjykim dhe Kolegji nuk duhej t’i konsideronte ato. Nga ana tjetër ajo dha argumentet kundër analizës duke vënë në dukje se kishte gjetur gabime matematikore, ndërsa nuk ishin njohur të ardhura të familjes edhe pse ishin të provuar dhe ishin pranuar edhe nga Komisioneri Publik si ankues.

Brati tha se sërish në analizë nuk ishin njohur të ardhurat nga pensioni ushqimor që paguante ish-bashkëshorti, ndërkohë që më herët KPA kishte rrëzuar kërkesën për të hapur hetim në këtë pikë. Ajo po ashtu paraqiti dokumente në lidhje me kthimin e një huaje që nëna e saj kishte dhënë dhe disa vërtetime bankare.

Komisioneri Publik po ashtu paraqiti pranë KPA parashtrime të tjera. Ai paraqiti një dokument sipas të cilit personi i lidhur në Itali kishte marrë kredi në vitin 2000 dhe në vitin 2006. KPA ia vendosi dokumentin në dispozicion Bratit, ndërsa pati një replikë me Komisionerin publik mbi ruajtjen e anonimatit të denoncuesit.

Ndërkohë Kolegji e njohu atë me një denoncim të ri ndaj saj pranë Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Kolegji caktoi seancën e rradhës më 26 prill ora 10.00 për t’i dhënë kohë Bratit të njihej me dy dokumentet e reja.