Analize28 Oct 2020

Kolegji rrëzoi një ‘akuzë’, por la në fuqi shkarkimin e Hysni Demirajt

Kolegji rrëzoi si të pakuptimta dhe pa prova disa nga gjetjet e Komisionit për ish-gjyqtarin e Apelit të Tiranës, Hysni Demiraj, por la në fuqi vendimin e shkarkimit pasi konfirmoi konfliktin e  interesit, mosjustifikimin e pasurisë dhe “defekt të rëndësishëm në ushtrimin e veprimtarisë gjyqësore”.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Kryetari i Gjykatës së Apelit të Tiranës, Hysni Demiraj përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Foto:LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit i gjeti të drejta disa prej ankimeve të ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit të Tiranës, Hysni Demiraj, por la në fuqi vendimin e shkarkimit të tij. Një nga konkluzionet e shkallës së parë të vetingut, se Demiraj kishte cenuar besimin e publikut te drejtësia u rrëzua si e pambështetur në prova.

Megjithatë, Kolegji konfirmoi shkarkimin për deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë si dhe mosarritjen e një niveli kualifikues në kriterin e aftësive profesionale.

Demiraj u shkarkua nga KPK  në shkurt të vitit 2019 dhe e ankimoi vendimin në Kolegj.

Në vendimin e zbardhur vihet në dukje se Demiraj u gjet në konflikt interesi pasi gjykoi një çështje me palë ortakët e një kompanie ndërtimi nga e cila kishte blerë një apartament dhe bleu pas vendimit një garazh me çmim të reduktuar. Ai po ashtu u gjet me mungesë burimesh, nuk justifikoi të ardhurat e personave të lidhur për dy hua dhe me probleme të theksuara të profesionalizmit, përfshi gjykimin e një çështjeje në themel – edhe pse duhej të kishte shqyrtuar vetëm një kërkesë për përjashtim trupe.

Lajthitje në objekt

Trupa që gjykoi çështjen e Demirajt në Kolegj kryesohej nga Ardian Hajdari, me relatore Ina Rama dhe anëtarë Albana Shtylla, Sokol Çomo dhe Luan Daci. Sipas trupës, ish-kryetari i Gjykatës së Apelit të Tiranës, Hysni Demiraj dhe dy ish-anëtarë të tjerë të kësaj gjykate të larguar më herët nga sistemi përmes dorëheqjes, Gjin Gjoni dhe Metush Saraçi, kishin gjykuar në themel një çështje, për të cilën u ishte kërkuar vetëm të vlerësonin një kërkesë për përjashtim të trupës.

Çështja penale ndaj një personi të dënuar për mashtrim ishte prishur nga Gjykata e Lartë dhe është rikthyer për gjykim në Gjykatën e Apelit, ku është rishqyrtuar nga një trupë tjetër.

Kolegji i ka rrëzuar pretendimet e Demirajt se bëhej fjalë për ‘një gabim të paqëllimshëm’ dhe pakujdesi. “Për sa i përket pretendimit se shqyrtimi i themelit të çështjes nga trupa gjykuese që duhej të shqyrtonte vetëm kërkesën për përjashtimin e trupit të mëparshëm gjykues, ka qenë vetëm një pakujdesi apo lajthitje në objekt e relatorit të çështjes, Kolegji çmon se është një pretendim që nuk nderon figurën e një gjyqtari, aq më shumë të një gjyqtari të një niveli të lartë dhe me funksione drejtuese”, thuhet në vendim.

Në arsyetim, KPA është e ashpër mbi “pakujdesinë” e pretenduar. Duke iu përgjigjur pretendimeve të Demiraj se ky gabim nuk kishte të bënte me korrupsion dhe ishte i paqëllimshëm, KPA arsyeton se këto ishin vepra penale, por jo objekt i gjykimit në fjalë.

“Fakti që subjekti i rivlerësimit, si pjesë e trupës gjyqësore, ka anashkaluar të verifikojë objektin e gjykimit për të cilin ishte thirrur në panel dhe kompetencën lëndore për ta bërë këtë, kanë demonstruar një defekt të rëndësishëm në ushtrimin e veprimtarisë gjyqësore, veçanërisht duke konsideruar rëndësinë e çështjes objekt gjykimi”, thuhet në arsyetim.

I nxitur nga pretendimi i Demiraj se vlerësimi i profesionalizmit ishte bazuar në vlerësimin e padrejtë nga ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe se nuk ishin marrë për bazë raportet e mëhershme të këtij Këshilli që kishin qenë pozitive, Kolegji ka sqaruar gjatë se nuk ishte bazuar në vlerësimet e KLD-së.

Në arsyetim, KPA shprehet se procesi i vetingut ekzistonte pikërisht pse institucione si KLD nuk kishin bërë punën e tyre ndër vite.

“Proces (rivlerësimi i gjyqtarëve) i cili u miratua dhe hyri në fuqi, ndër të tjera, edhe për shkak se nga analiza që iu bë funksionimit të sistemit të drejtësisë në vend, u konkludua se organet e ngarkuara me kontrollin e realizimin e karrierës së magjistratëve nuk kishin ushtruar në mënyrën e duhur funksionet e tyre, duke lejuar, ndër të tjera, situatën e mosbesimit të lartë publik ndaj sistemit të drejtësisë”, thuhet në vendim.

Konflikti i interesit dhe pasuria

Edhe pse gjeti gabime në analizën financiare të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe po ashtu e cilësoi të pakuptimtë llogaritjen e shpenzimeve për të paguar një hua, e cila nuk ishte cilësuar si burim i ligjshëm, Kolegji gjeti të bazuar konkluzionin se Demiraj nuk kishte burime të mjaftueshme për pasurinë.

Në vendimin e zbardhur thuhet se ish-gjyqtari nuk kishte provuar burimin e ligjshëm për një hua 5 milionë lekë nga një i afërm dhe as atë prej 30 mijë eurosh nga vëllai.

Në vendim thuhet se ndërsa pretendimet e Komisionit për çmim preferencial në blerjen e një apartamenti 141 metra katrorë dhe problemet në deklarimin e sipërfaqes së tij nuk qëndronin, një garazh i blerë nga e njëjta kompani për 8 mijë euro e kishte vënë ish- gjyqtarin në kushtet e konfliktit të interesit.

KPA arsyeton se garazhi sipas marrëvshjes mes palëve do të shitej për 12.500 euro, por që më pas është shitur për 8 mijë euro, pasi dy inxhinierë të kompanisë pranuan se ai kishte defekte dhe lagështirë.

Sipas Kolegjit, ndërsa blerja e apartamentit kishte ndodhur më herët në kohë dhe nuk mund të konsiderohej problem për gjyqtarin, blerja e garazhit me çmim më të ulët se kontrata fillestare dhe me një sipërfaqe më të madhe (nga 15 në 25 metra)  disa muaj pasi ai kishte shqyrtuar një çështje me palë dy ortakët e kompanisë, e vinte atë në kushte të konfliktit.

“Në lidhje me këto rrethana, Kolegji çmon se referuar akteve, subjekti nuk ka mundur të shpjegojë bindshëm faktin se për shkak të defekteve të ndërtimit shoqëria ka ulur çmimin e kontraktuar më parë me subjektin e rivlerësimit për këtë pasuri”, thuhet në arsyetimin e dhënë nga KPA, në të cilin vihen në dyshim çmimi i përfituar nga Demiraj.

Kolegji thekson se situata e konfliktit të interesit ishte vënë në dukje edhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

“Në këtë dokument, vëzhguesi i bën me dije Komisionit se nga hetimi administrativ i kryer, është konstatuar se subjekti, më datë 08.02.2013, ka qenë pjesë e trupit gjykues që ka shqyrtuar çështjen që u përket shtetasve M. e V. D., duke dhënë një vendim në favor të tyre. Në këtë dokument, vëzhguesi parashtron si gjetje faktin se 4 muaj pas dhënies së këtij vendimi, subjekti ka përfituar uljen e çmimit për blerjen e garazhit pa arsye të qartë dhe të bazuar, e cila mund të çojë drejt arsyetimit se kemi të bëjmë me konflikt interesi”, citohet në vendim.

Nga vendimi del se Demiraj e ka kundërshtuar këtë gjetje, duke pretenduar ndër të tjera se për këtë nuk ishte pyetur Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, dhe se marrëdhënia e tij kishte qenë me kompaninë dhe jo me ortakët e saj. Por këto pretendime janë kundërshtuar nga KPA, duke iu referuar Kodit të Procedurës Civile dhe detyrimit të gjyqtarit për të dhënë dorëheqjen “kur vërtetohen arsye serioze njëanshmërie”.

“Në kuptim të kësaj dispozite, Kolegji çmon se me këtë sjellje, subjekti ka cenuar integritetin e paanësinë e magjistratit, duke demonstruar mosrespektim të detyrimeve që i vijnë atij si zyrtar dhe funksionar i rëndësishëm publik në dëm të funksionimit të shtetit të së drejtës e të besimit të publikut te sistemi i drejtësisë”, thuhet në vendim.