Analize11 Mar 2020

Kolegji u nda mbi shkakun e shkarkimit të gjyqtares Entela Prifti

Anëtarët e trupës gjykuese e KPA që shqyrtoi ankimin e ish-kryetares së Gjykatës së Apelit Korçë, Entela Prifti ndajnë të njëjtin mendim se vendimi i KPK për shkarkimin e saj është i drejtë, por gjyqtarja Ina Rama, ka mbajtur mendim paralel lidhur me cilësimin e shkakut të shkarkimit.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Ish-Kryetarja e Gjykatës së Apelit te Korçës, Entela Prifti, gjatë një seance te Komisionit të Pavarur te Kualifikimit, KPK, | Foto nga : LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i ka rrëzuar thuajse të gjitha shkaqet e ankimit të ish-Kryetares së Gjykatës së Apelit Korçë, Entela Prifti duke çmuar se ajo kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia dhe la në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin e saj.

Trupa gjykuese e KPA e përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Ardian Hajdari relator dhe Luan Daci, Ina Rama e Rezarta Schuetz anëtarë, çmojë se pretendimet e Priftit për mungesë të një procesi të rregullt ligjor në Komision janë të pabazuara.

Pavarësisht se të pesë anëtarët e Kolegjit bien dakord se ish-gjyqtarja Prifti ka mungesë të burimeve të ligjshme dhe ka kryer deklarime të rreme për pasuritë e shumta që zotëron duke merituar shkarkimin nga detyra, gjyqtarja Ina Rama ka mbajtur mendim paralel lidhur me cilësimin e shumicës se subjekti i rivlerësimit ka cënuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë – konkluzion i arritur më parë edhe nga KPK. Rama vlerëson se ky shkak shkarkimi konsiderohet për të tre kriteret në tërësi, kur nuk arrihet konkluzioni për shkarkim në secilin prej tyre veçmas.

Kolegji konkludon se Prifti kishte pasuri të padeklaruara, mungesë burimesh financiare të ligjshme dhe një sërë deklarimesh të rreme të kryera prej saj dhe bashkëshortit.

Mungesa e burimeve dhe deklarimet e rreme

Kolegji nuk bindet nga deklarimet e gjyqtares Prifti lidhur me përfitimin e gjysmës së një vile 198 m2 në Korçë nëpërmjet dhurimit në 2008-ën dhe të blerjes së gjysmës tjetër të kësaj ndërtese në 2009-ën për vlerën 4 milionë lekë. KPA çmon se Prifti është përpjekur të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasurinë dhe se nuk arriti të provojë të kundërtën e fakteve të konstatuara nga Komisioni, sipas të cilit bashkëshorti ka bёrё deklarim tё rremё nё lidhje me dhurimin e ½ pjesё tё kёsaj ndёrtese dhe ka nёnshkruar njё kontratё fiktive.

KPA çmon se Prifti dhe bashkëshorti i saj kishin detyrimin të deklaronin sipërfaqen totale të shfrytëzimit të banesës, me përshkrimin e kateve të banimit, edhe pse në kartelën e pronësisë është shënuar vetëm gjurma ndërtimore.

Në vendimin e KPA thuhet se bashkëshorti i Priftit, P.T. ka shënuar në deklaratën veting se dhurimi i një të dytës së vilës ka ardhur si pasojë e marrëdhënieve familjare miqësore dhe një investimi të kryer për rikonstruksionin e saj në vitet 2000-2001, duke shpjeguar se ka jetuar deri në vitin 2004 familjarisht në këtë banesë me kontratë qiraje.

“Ky pretendim i subjektit të rivlerësimit nuk është bindës dhe nuk është i mbështetur në prova. Nga njëra anë subjekti i rivlerësimit, znj. Entela Prifti, dhe bashkëshorti i saj kanë paguar 10.000 lekë qira për të banuar në këtë ndërtesë, sipas një deklarate me shkrim dore të nënshkruar nga znj. A.K. (bashkëshortja e dhuruesit B.K.), nga ana tjetër kjo e fundit i njihte shpenzimet për rikonstruksion banese subjektit të rivlerësimit dhe bashkëshortit të saj, madje për këtë fakt i kishte vënë vetes (A.K.) afat 2-vjeçar për shlyerjen e këtyre shpenzimeve, në të kundërt z. P.T. do të kompensohej me ndërtesën për të cilën i paguante qira znj. A.K”, konstaton Kolegji..

Kolegji vëren se administratorja e ndërtesës është bashkëshortja e B.K, të cilit iu dhurua 1⁄2 e ndërtesës në vitin 2007. Aty shtohet fakti se A.K. rezulton si administratore e katit të parë, në një kohë që ndërtesa ishte në pronësi të një familje tjetër që e kishte përfituar me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Ish-Pronarëve të Bashkisë Korçë, që prej shtatorit të vitit 1993.

“Si rrjedhojë, znj. A.K. nuk legjitimohet të krijojë marrëdhënie juridike në lidhje me pronën, aq më tepër të kushtëzuar deri në dhurimin e saj në rast mospërmbushjeje nga ana e saj të shpenzimeve të kryera nga qiramarrësi”, arsyeton trupa gjykuese e KPA. “Kolegji krijoi bindjen se nëpërmjet kontratës së dhurimit, subjekti nuk ka treguar vlerën reale të fitimit të kësaj pasurie, si pasojë as burimin e krijimit të saj”, thekson më tej Kolegji.

“Meqenëse ndërtesa ndodhet në qendër të qytetit të Korçës, ka vlera kulturore e historike dhe është burim i konsiderueshëm të ardhurash, vlera e blerjes nuk justifikohet me çmimin e referencës”, thuhet më tej në vendimin e KPA.

KPA konkludon se Prifti nuk ka pasur burime të ligjshme edhe për blerjen e një apartamenti duplex me sipërfaqe 235 m² në vitin 2004 në Korçë, si edhe për investimet e kryera aty.

Kolegji konstaton se bashkëshorti i subjektit të rivlerësimit ka lidhur një kontratë paraprake shitblerjeje në të cilën përcaktohet se shitësi do t’i dorëzojë blerësit apartamentin pas përfundimit të ndërtimit dhe se çmimi i blerjes së apartamentit prej 2 milionë lekësh është paguar jashtë zyrës noteriale. Sipas KPA, ky fakt nuk është pasqyruar në deklaratën para fillimit të detyrës të vitit 2003 nga gjyqtarja Prifti dhe as nga bashkëshorti i saj.

Lidhur me investimin e kryer për përfundimin e rifiniturave në vlerën 1.3 milionë lekë, Kolegji konstaton se ky situacion nuk ka as datën dhe as periudhën kur janë realizuar punimet, si dhe mungon dokumentacioni ligjor për likuidimin e shumës. Kolegji konkludon se përllogaritjet e të ardhurave të bashkëshortëve Prifti në të gjitha mënyrat e mundshme, nuk sjellin diferencë pozitive për blerjen e kësaj pasurie dhe kryerjen e investimeve.

Prifti dhe bashkëshorti i saj ka rezultuar të kenë investuar në apartamentin duplex në vlerën 4 milionë lekë, në shtimin e likuiditeteve në llogaritë bankare në vlerën 3 milionë lekë, në blerjen e një toke arë në vlerën 576.667 lekë, si dhe në blerjen e aksioneve në një shoqëri  në vlerën 6.2 milionë lekë.

Për të mundësuar blerjen e disa prej këtyre pasurive, Prifti ka deklaruar disa huamarrje, një në vlerën 1 milion lekë, një në vlerën 5 milion lekë dhe një kredi bankare në vlerën 2.445.934 lekë. Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe, kanë kryer një transfertë bankare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vlerën 1.739.659 lekë, kanë paguar këste kredie në vlerën 1.420.000 lekë dhe kanë paguar qira banese në shumën 144.000 lekë.

“Nga kjo analizë, edhe nëse do të konsideronim se huamarrësit kanë pasur mundësi t’i jepnin subjektit dhe bashkëshortit të saj vlerat e mësipërme dhe të konsideronim si të ligjshme të ardhurën e përfituar nga shitja e makinës, totali i të ardhurave 16.974.472,2 lekë nuk do të ishte i mjaftueshëm as për blerjen e pasurive të mësipërme dhe përballimin e shpenzimeve të sipërcituara në vlerën 17.198.274,79 lekë…, pa llogaritur këtu shpenzimet e nevojshme për jetesë”, thuhet në vendim.

Për një ambient shërbimi me sipërfaqe 519 m2 në një qendër tregtare në Korçë për të cilën Prifti ka deklaruar se bashkëshorti e ka përfituar në 2012-ën përmes shkëmbimit të aksioneve në masën 8%, në vlerën 14.274.700 lekë, Kolegji çmon se nuk është shpjeguar bindshëm burimi i ligjshëm, si dhe rezulton se subjekti i rivlerёsimit është përpjekur të paraqesë në mënyrë të pasaktë këtë pasuri. Sipas KPA, Prifti ka dështuar të provojë të kundërtën e fakteve të konstatuara nga Komisioni për mungesë të burimeve të ligjshme dhe mos justifikim të vlerës reale të saj nëpërmjet aktit të shkëmbimit.

Në deklaratën veting, bashkëshorti i Priftit ka deklaruar se aksionet në masën 8%, në vlerën 14.274.700 lekë, i ka shkëmbyer me pasurinë me sipërfaqe 519 m2, ose me vlerë 27.360 lekë/m2. Ashtu si KPK, edhe Kolegji konstaton se vlera me të cilën është shkëmbyer njësia rezulton e ulët krahasuar me tregun, pasi vetëm vlera e kostos së ndërtimit rezulton 15.535.746 lekë, ndërsa vlera me kosto shfrytëzimi është 18.917.550 lekë, ose 36.450 lekë/m2.

Lidhur me një apartament me sipërfaqe 55 m² në Korçë, të blerë në shtator të vitit 2012 me vlerë 2.835.500 lekë dhe të regjistruar në hipotekë një muaj më vonë, Kolegji ashtu si edhe Komisioni konkludon se Prifti ka mungesë të burimeve financiare për krijimin e kësaj pasurie.

Prifti ka deklaruar se për blerjen e këtij apartamenti kanë shërbyer të ardhurat familjare nga kursimet dhe një pagesë prej 1.6 milion lekësh, e kryer cash nga ana e babait të bashkëshortit. Por, Kolegjit i ka rezultuar se të ardhurat e përfituara nga prindërit e bashkëshortit nuk janë të mjaftueshme për përballimin e shpenzimeve të jetesës dhe për krijimin e kursimeve.

Në vendim thuhet se nuk janë provuar me kontratë qiraje apo dokumente zyrtare të ardhurat nga qiraja e apartamentit të kunatës. Sipas KPA, nuk është paraqitur asnjë dokument provues lidhur me burimin tjetër të krijimit të shumës 1.6 milionë lekë nga shitja e shtëpisë së vajzës së vjehrrit. Kolegji vëren se pasi bashkëshorti i Priftit, ka shitur shtëpinë e motrës së tij në vitin 2002 për çmimin 1.8 milionë lekë, të nesërmen ka bërë transferimin e shumës 12.45 USD që është e përafërt me çmimin e shitjes së apartamentit, në llogarinë e kunatit të tij.

Ndërkohë, Kolegji e ka quajtur të drejtë pretendimin e Priftit se Komisioni ka gabuar kur e ka vlerësuar fshehje të pasurisë faktin se bashkëshorti i saj nuk e ka pasqyruar në rubrikën e tij pjesën takuese të apartamentit. “…Kolegji konstaton se në rrethanat konkrete nuk rezulton të kemi të bëjmë me fshehje pasurie. Ka pasaktësi në deklarim nga ana e bashkëshortit të subjektit në deklaratën veting, por nuk konsiston në fshehjen e pasurisë, aq më tepër që subjekti e ka deklaruar këtë pasuri”, thuhet në vendimin e KPA.

Kolegji vlerëson se ish-gjyqtarja Prifti ka kryer deklarim të rremë lidhur me çmimin e shitjes së një apartamenti tjetër me sipërfaqe 70 m2 në Korçë, në bashkëpronësi me prindërit, shitur në prill të vitit 2015 në vlerën 1.950.000 lekë.

Kolegji vëren se në vitin 2005 është deklaruar se ky apartament është shitur në vlerën 3.1 milionë lekë, ndërsa në kontratën e shitjes figuron shuma 1.950.000 lekë. Ndërkohë, në deklaratën veting, Prifti ka deklaruar se ka përfituar një të tretën e të ardhurave nga shitja e e këtij apartamenti, në vlerën 1 milion lekë, ndryshe nga konkluzioni i Komisionit se pjesa takuese e subjektit ka qenë 650 mijë lekë.

Duke e konsideruar të pabazuar vlerësimin e KPK, Prifti ka pretenduar se diferenca prej 1.150.000 lekësh midis deklarimit të vlerës së shitjes në vitin 2005 në shumën 3.1 milionë lekë dhe kontratës së shitjes me vlerë 1.950.000 lekë vjen si pasojë e shtimit të vlerës së përfituar nga shitja e sendeve të luajtshme të banesës dhe nga mungesa e rregullimit ligjor për udhëzimin e plotësimit të deklaratës së pasurisë.

Kolegji vlerëson se për të qenë e saktë në deklarim, nuk do të ishte nevoja për udhëzim pasi subjekti i deklarimit e ka detyrim ligjor deklarimin e shitjes së sendeve të banesës në kohë reale. Gjithashtu, trupa gjykuese ngre dyshime mbi vërtetësinë e deklarimeve të Priftit për vlerën e shitjes së mobiljeve.

“Nga ana tjetër, duke analizuar vlerën e banesës sipas kontratës (1.950.000 lekë), është i dyshimtë fakti që vlera e sendeve të luajtshme, sipas deklarimit të subjektit (1.150.000 lekë), të jetë më e madhe se gjysma e vlerës së shtëpisë dhe ky fakt të mos pasqyrohet në kontratë”, konkludon Kolegji duke i quajtur jo bindëse shpjegimet e Priftit.

Lidhur me dy autoveturat tip “Renault” dhe tip “Benz DaimlerChrysler”, ashtu si KPK, edhe Kolegji vlerëson se çmimet e shitjes së këtyre automjeteve janë shumë më të larta se çmimet e blerjes, edhe pas përdorimit dhe konsumimit të tyre.

Në vendim sqarohet se Prifti ka shitur në shtator të 2004-ës një makinë tip “Renault”, në vlerën prej 450 mijë lekësh, të cilën e kishte blerë në vitin 2002 për 500 USD dhe në vitin 2007 një automjet tip “Benz Daimler Chrysler” në vlerën 500 mijë lekë që e ka shitur dy vite më vonë 6 mijë euro. Në përfundim, Kolegji vlerëson se Prifti ka kryer deklarim të rremë në të dy rastet.

Mendimi paralel

Gjyqtarja Ina Rama shprehet në mendimin paralel se edhe pse ka votuar pro qëndrimit të mbajtur në vendimin e shumicës për gjithë gjetjet, të cilat sipas saj legjitimojnë lënien në fuqi të vendimit të KPK për shkarkimin e Priftit nga detyra, është kundër konsiderimit si shkak të shkarkimit “cënimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë.”

Rama arsyeton se Prifti i është nënshtruar procesit të rivlerësimit dhe është shkarkuar nga detyra, mbështetur në kontrollin dhe vlerësimin e vetëm një kriteri, atij të pasurisë. Sipas gjyqtares Rama, shkeljet e konstatuara nga Komisioni dhe Kolegji për kriterin e pasurisë, justifikojnë klasifikimin e ish/gjyqtares Prifti në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm që mjafton shkarkimin e subjektit nga detyra.

Por, gjyqtarja Ina Rama argumenton se për të konkluduar nëse subjekti i rivlerësimit ka cënuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë, duhet që të vlerësohet në raport me të tri kriteret.

“Vendimi merret bazuar në një ose disa prej kritereve, në vlerësimin e përgjithshëm të tri kritereve, ose në vlerësimin tërësor të procedurave. Ndërkohë neni 61, pika 5 e ligjit nr. 84/2016 që rregullon cënimin e besimit të publikut te drejtësia si një shkak autonom shkarkimi parashikon se: Në rast se nga vlerësimi tërësor, në kuptim të nenit 4, pika 2 e këtij ligji, rezulton se subjekti i rivlerësimit ka cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë dhe ndodhet në kushtet e pamundësisë për plotësimin e mangësive nëpërmjet programit të trajnimit”, arsyeton Rama.

“Kjo dispozitë ka në përbërje të saj çdo situatë shkeljesh ligjore të cilat, edhe nën frymën e neneve D, Dh dhe E të Aneksit të Kushtetutës, përfaqësojnë shkelje të ligjit të afta për të shkaktuar vendosjen e masës disiplinore të shkarkimit nga detyra në raport me secilin prej kritereve të rivlerësimit”, shton ajo.

Rama vlerëson se në rastet kur nuk gjenden shkaqe shkarkuese për secilin kriter veçmas, atëherë organet e rivlerësimit kanë të drejtë të bëjnë vlerësim tërësor të tri kritereve ose të procedurave të rivlerësimit, për të matur apo indikuar cënimin e besimit të publikut te drejtësia.

“Mendoj se në çdo situatë faktike e ligjore për të cilën subjekti nuk klasifikohet në asnjërën prej rasteve të mësipërme të shkarkimit nga detyra, pasi shkeljet e konstatuara të ligjit nuk gëzojnë statusin e një shkeljeje që mund të shkaktojë klasifikimin e saj sipas asnjë prej rasteve të shkarkimit të cituara më lart, organet e rivlerësimit kanë të drejtë të bëjnë një vlerësim tërësor të tri kritereve ose të procedurave të rivlerësimit, për të matur apo indikuar cënimin e besimit të publikut te drejtësia dhe për të konkluduar nëse ky fenomen ka ndodhur në rastin konkret dhe a është ai në një nivel që të prodhojë vendosjen e masës disiplinore të shkarkimit nga detyra”, citohet në mendimin paralel të Ramës.

Ajo konsideron se, që ky vlerësim i organeve të rivlerësimit të konkludojë për vendosjen e një mase disiplinore, duhet të shtrihet mbi të tri kriteret e rivlerësimit dhe jo vetëm mbi njërin prej tyre.

“Në vlerësimin tim, përtej faktit që në secilin rast që aplikohet një masë disiplinore për secilin nga shkaqet e parashikuara në pikat 1, 2, 3 e 4 të nenit 61 të ligjit nr. 84/2016, cënimi i besimit të publikut është i përfshirë nga vetë legjislatori në ngritjen e këtyre shkaqeve në nivelin e krijimit të pasojës që lidhet me masën disiplinore, që cënimi i besimit të publikut të qëndrojë si një shkak më vete shkarkimi dhe, në mungesë të shkaqeve të cilat në mënyrë autonome përbëjnë shkaqe për shkarkim, duhet që subjekti t’i nënshtrohet vlerësimit në të tria kriteret e rivlerësimit”, shprehet Rama duke theksuar se në rrethanat e kësaj çështje nuk mund të aplikohet masa e shkarkimit e parashikuar nga neni 61 pika 5, e ligjit nr.84/2016 për një subjekt për të cilin procesi i rivlerësimit është kryer mbështetur vetëm në njërin prej kritereve.