Analize27 Jun 2019

Kolegji Zgjedhor u nda 3 me 2 për kompetencën e gjykimit të dekretit të Presidentit

Shumica e një trupe gjykuese të Kolegjit Zgjedhor mori përsipër që bashkë me kërkesën për çrregjistrimin e një partie nga zgjedhjet, të rrëzonte me “spond” edhe dekretin e Presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Dy anëtarë të trupës argumentuan se Kolegji nuk kishte asnjë kompetencë që të gjykonte dekretin.  

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor gjatë shpalljes së vendimit kunder çrregjistrimit te Partisë së Beqirit, i cili rrëzoi indirekt edhe dekretin e Presidentit Meta. Foto: Malton Dibra/LSA

Vendimi i Kolegjit Zgjedhor, i trumbetuar nga mazhoranca se lë në fuqi datën e zgjedhjeve lokale më 30 qershor është marrë me shumicë dhe trupa gjykuese nuk ka qenë unanime. Tre nga 5 anëtarët e trupës arsyetuan se kishin kompetencë dhe mund të shpreheshin mbi dekretin e Presidentit Ilir Meta për të anuluar zgjedhjet nisur nga një vendim i mëparshëm, ndërsa dy prej tyre ndërsa ishin dakord për rrëzimin e padisë për “çrregjistrim nga zgjedhjet”, u shprehën në mendim paralel se Kolegji nuk kishte kompetenca mbi dekretin e Presidentit.

Anëtarët Artur Malaj, Shkëlqim Mustafa dhe Tomor Skreli arsyetuan në shumicë se dekreti ishte “akt administrativ absolutisht i pavlefshëm” dhe vendosën se ai binte ndesh me Kodin e Procedurave Administrative dhe ishte në “shkelje të hapur dhe flagrante” të tij. Ata po ashtu cilësuan të drejtë vendimin e KQZ për të mos e zbatuar këtë dekret.

Ndërsa Ridvan Hado dhe Lindita Sinanaj bien dakord me shumicën për të rrëzuar padinë ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve prej Partisë së Unitetit Kombëtar të Idajet Beqirit, por jo me marrjen përsipër të shumicës për të vendosur mbi dekretin e Presidentit.

Kolegji, i cili gjykon vetëm çështje që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe vendimet e të cilit janë të pa apelueshme, u vu në lëvizje nga Partia e Unitetit Kombëtar, PUK dhe kreu i saj, Idajet Beqiri. PUK, e cila është pjesë e koalicionit të Partisë Socialiste në zgjedhjet lokale, kërkoi në KQZ të çrregjistrohej duke përdorur si pretekst dekretin e anulimit të 30 qershorit si data e zgjedhjeve lokale nga Meta. KQZ e rrëzoi këtë pretendim dhe PUK u ankua në Kolegjin Zgjedhor.

Por dukshëm, si paditësi PUK dhe i padituri KQZ kishin për qëllim të bënin Kolegjin të shprehej mbi dekretin e dytë të Presidentit. Kreu i PUK, Beqiri u shpreh gjatë seancës se ai mendonte që dekreti ishte “nul”.

Vendimi i shumicës

Kolegji Zgjedhor vendosi pas një seance të rrëzonte padinë për çrregjistrim, ndërsa shumica përfshiu në arsyetim edhe argumentet kundër dekretit të Metës, bazuar mbi pretekstin e ngritur në padi. Kolegji shprehet se PUK pretendonte të çrregjistrohej duke paraqitur si arsye  “kushtet kur procesi zgjedhor është deformuar nga Dekreti i Presidentit të Republikës”.

Duke arsyetuar se shkaku i padisë ishte dekreti, Kolegji arsyetoi se bëhej fjalë për një “moment të ri faktik” dhe çmoi “të ndalet së pari në analizën e këtij shkaku”. Shumica pranon në arsyetim se fakti i ri “nuk përbën premisë për pranimin e kërkesës për çregjistrim, por si i tillë, analizohet në tërësinë e rrethanave ligjore dhe faktike në të cilat ndodhet procesi zgjedhor”.

Shumica më pas arsyetoi se Kolegji Zgjedhor ishte gjykatë kompetente për të shqyrtuar vlefshmërinë e dekretit të Presidentit, duke iu referuar një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila në vitin 2017 vendosi në dhomë këshillimi moskompetencë për të shqyrtuar një padi të partisë “Forca Rinia” ndaj një dekreti të ngjashëm të Bujar Nishanit për të shtyrë me një javë zgjedhjet e vitit 2017.

Kolegji me tre anëtarë i Gjykatës Kushtetuese është shprehur atëherë se dekretimi i datës së zgjedhjeve ishte “akt individual administrativ” dhe kishte shpallur moskopetencë, duke ia lënë këtë gjykatave administrative.

Kolegji Zgjedhor i është referuar ndërkohë pjesë së dytë të vendimit për të arsyetuar se ishte në tagrin e tij të shqyrtonte përputhshmërinë e dekretit me Kodin Zgjedhor. Në vendim citohet Gjykata Kushtetuese të shprehet se“Përputhja apo jo e dekretit të Presidentit të Republikës me dispozitat e Kodit Zgjedhor nuk është në juridiksionin e kësaj Gjykate, por në juridiksionin e gjykatave administrative apo, sipas rastit, të Kolegjit Zgjedhor dhe si e tillë nuk mund të shqyrtohet nga kjo Gjykatë”.

Shumica në Kolegj ka marrë parasysh edhe faktin se vendimi ishte marrë nga Kolegji i Gjykatës Kushtetuese me tre gjyqtarë dhe jo mbledhja e gjyqtarëve, por arsyeton se ishte kolegji me tre gjyqtarë që vendoste për kompetencën dhe kalimin e çështjes në mbledhjen e gjyqtarëve.

Kolegji shprehet se Kushtetuta dhe ligji nuk i njohin presidentit të drejta të tjera veç atyre të shkruara në Kushtetutë dhe në ligj. Shumica arsyeton se dekreti bie ndesh me nenin 94 të Kushtetutës dhe me jurisprudencën e vetë Gjykatës Kushtetuese.

Duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e njohur si “Marrëveshja e Detit”, Kolegji citon se “Çdo organ në një shtet të së drejtës duhet të veprojë për aq sa i lejon Kushtetuta dhe ligji duke mos i tejkaluar kufijtë e përcaktuar prej tyre”. Ndërkohë në të njëjtën pikë edhe faktin se kompetencat e presidentit parashikoheshin në nenin 92 të Kushtetutës.

Më tej duke iu referuar Kodit Zgjedhor dhe afateve të vëna prej tij, Kolegji gjen se dekreti ishte jashtë këtyre afateve. “Të dyja këto parashikime të Kodit Zgjedhor nuk janë respektuar në nxjerrjen e dekretit të dytë, për rrjedhojë, janë momente që e bëjnë dekretin e dytë të Presidentit të Republikës të jetë në shkelje të hapur dhe në mënyrë flagrante me dispozitat ligjore në kuptim të nenit 108, paragrafi 2, germa “a” të Kodit të Procedurave Administrative”, thuhet në vendim.

Shumica po ashtu shprehet se i vetmi institucion që mund të ndryshonte datën e zgjedhjeve ishte Parlamenti, i cili mund ta bënte këtë përmes ligjit si në vitin 2007. Duke u nisur nga kjo pikë, tre anëtarët në shumicë, shprehen se Presidenti i Republikës duke nxjerrë këtë dekret kishte marrë kompetencat e Parlamentit.

Kolegji po ashtu bazohet edhe në konventat ndërkombëtare përfshi atë të të Drejtave të Njeriut në lidhje me faktin që zgjedhjet duhet të jenë periodike. Kolegji më pas shprehet për thelbin e padisë duke e rrëzuar atë, pasi në ligj nuk është parashikuar e drejta për t’u çrregjistruar nga zgjedhjet dhe se pjesëmarrja në to është vullnet i lirë.

Mendime paralele

Ndërsa bien dakord me vendimin për rrëzimin e padisë  për çrregjistrimin e partisë së Beqirit,  gjyqtarët Hado dhe Sinanaj dalin kundër shumicës sa i përket vendimarrjes mbi dekretin. Sinanaj arsyeton fillimisht se PUK nuk ishte legjitimuar si paditëse, pasi nuk i ishte cënuar asnjë interes.

Duke arsyetuar se pjesëmarrja apo jo në zgjedhje bëhej me vullnet të lirë, Sinanaj shprehet se “Për pasojë vlerësoj se palës paditëse nuk i është cënuar interesi i ligjshëm i pretenduar lidhur me lirinë e pjesmarrjes në zgjedhje, e për pasojë nuk legjitimohet në ngritjen e kësaj padie”.

Më poshtë, gjyqtarja vë në dukje se ishte kundër shumicës dhe se bazuar në Kodin Zgjedhor, Kolegji “nuk ka kompetencën të marrë në shqyrtim këto pretendime”. Sipas saj, Kolegji Zgjedhor kishte për kompetencë vetëm ankime ndaj KQZ-së mbi administrimin e procesit zgjedhor.

“Më tej, qoftë edhe në funksion të ndikimit në procesin zgjedhor, Kolegji Zgjedhor nuk ka kompetencë të marrë në shqyrtim veprimtarinë e asnjë institucioni tjetër, apo akte të nxjerra nga institucione të tjera”, thuhet në arsyetimin paralel. Ajo e cilëson referimin te vendimi nr. 150 datë 16.06.2017 të Kolegjit prej tre gjyqtarësh të Gjykatës Kushtetuese, të pabazuar.

“Kolegji Zgjedhor në rastin konkret nuk ka objekt shqyrtimi ligjshmërinë e veprimtarisë së Presidentit të Republikës në nxjerrjen e Dekretit Nr. 11199 datë 10.06.2019 dhe as nuk mund ta marrë në shqyrtim këtë veprimtari në kuadër të këtij procesi,” argumenton Sinanaj.

Gjyqtari Hado nga ana tjetër nuk i referohet vetëm objektit të padisë. Sipas tij, as KQZ as Kolegji Zgjedhor nuk kishin atribut të vendosnin për ligjshmërinë e dekretit të Presidentit. “Këtë atribut, ndryshe nga sa argumenton shumica, nuk e ka as Kolegji Zgjedhor. Dekreti i Presidentit të Republikës si akt kushtetues e ligjor, nuk mund të jetë objekt gjykimi (as incidental) pranë Kolegjit Zgjedhor,” shprehet Hado.

Ai shton se Kolegji është “gjykatë sui generis, e krijuar me ligj të veçantë” dhe “nuk ka kompetenca ligjore sipas Kodit Zgjedhor për vlerësimin qoftë edhe incidental të pavlefshmërisë së Dekretit që cakton datën e zgjedhjeve apo e shfuqizon atë”.

“Konstatimi i pavlefshmërisë absolute të një dekreti të kësaj natyre, mund të bëhet vetëm në rrugë të posaçme gjyqësore,” argumenton Hado, ndërsa vë në dukje se në Kolegjin Zgjedhor nuk ishte paraqitur ndonjë padi kundër dekretit të Presidentit të Republikës.