Lajm12 Mar 2020

Komisioneri ankimon konfirmimin e kreut të Gjykatës së Apelit Gjirokastër

Gjyqtari Dritan Banushi do të rikthehet sërish në veting para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, pasi Komisioneri Publik e konsideroi të padrejtë konfirmimin e tij dhe kërkon shkarkimin nga detyra.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Kreu i Gjykatës së Apelit Gjirokastër, Dritan Baushi, gjatë seancës dëgjimore në KPK, me 27.01.2020 | Foto : Edmond Hoxhaj

Komisioneri Publik, Darjel Sina kundërshtoi të enjten vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të kreut të Gjykatës së Apelit të Gjirokastrës, Dritan Banushi, duke kërkuar në Kolegj shkarkimin e tij.

Komisioneri çmon në ankim se vendimi i KPK-së për Banushin është i cënueshëm në tërësinë e tij dhe përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’u paraqitur për shqyrtim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA.

Sina evidenton mungesë burimesh të ligjshme për shpenzimet dhe kursimet e disa viteve nga Banushi si edhe për blerjen e një apartamenti nga prindërit e tij, ku jeton familja e gjyqtarit.

Komisioneri nuk e gjen të drejtë përfundimin e KPK-së se pas kalimit të barrës së provës, gjyqtari Banushi arriti të përmbysë balancën negative për vitet 2008, 2009, 2013, 2014, 2015 dhe 2016 nga 1 milion lekë në 152.670 lekë minus; për të cilën u vlerësua më pas mbi parimin e proporcionalitetit.

Në ankim identifikohet mospërputhje edhe në deklarimin e bërë nga vajza e gjyqtarit në vitin 2014 për shumat 3500 euro dhe 100 mijë lekë që i janë dhuruar për fillimin e shkollës. Komisioneri konstaton se shpjegimet e Banushit në nivel deklerativ janë pranuar si prova prej Komisionit që i ka konsideruar këto vlera si të ardhura të ligjshme. “…Rezulton se për vitin 2014, subjekti i rivlerësimit nuk mbulon me burime të ligjshme shpenzimet dhe kursimet për një diferencë negative prej rreth 503.000 lekë”, thuhet në ankim.

“Në përfundim, Komisioneri Publik nga analiza financiare e subjektit të rivlerësimit dhe personave të lidhur me të, për periudhën 2003-2016, vlerëson se…subjekti i rivlerësimit nuk mbulon me burime të ligjshme shpenzimet e deklaruara dhe kursimet në formën e likuiditeteve në depozitat bankare dhe në cash për një diferencë totale prej 3.300.000 lekë (ose rreth 4.200.000 lekë, nëse nuk konsiderojmë si të ardhura të ligjshme të ardhurat e deklaruara si dhurime),” thuhet në ankim.

Përveç analizës financiare, komisioneri Sina kundërshtoi edhe vlerësimin e KPK-së për një apartament me sipërfaqe 85.5 m2 në Gjirokastër të blerë nga prindërit e gjyqtarit Banushi në shtator 2003. Ndryshe nga KPK që është bindur me provat dhe deklarimet e Banushit lidhur me vlerën e gjendjen e apartamentit si edhe me mundësinë e financiare të prindërve për ta blerë atë, Sina konstaton se dokumentacioni i paraqitur nga subjekti nuk mund të konsiderohet justifikues për ligjshmërinë e burimit të të ardhurave që kanë shërbyer për krijimin e kësaj pasurie.

Sipas Sinës, Banushi nuk ka arritur të provojë me dokumentacion ligjor se apartamenti është blerë në gjendje karabina, siç ka konkluduar Komisioni.

“Komisioneri Publik konstaton se rezulton e provuar se subjekti i rivlerësimit nuk arriti provojë një fakt të ndryshëm nga përmbajtja e kontratës noteriale të shitblerjes së pasurisë së paluajtshme nr.*** rep nr.*** kol., datë ***.09.2003 dhe akteve të tjera zyrtare, të cilat në kuptim të ligjit përbëjnë provë të plotë se babai i subjektit të rivlerësimit ka blerë pasurinë ‘Apartament banimi 85.5 m2’, të përfunduar plotësisht që në vitin 2003. Rezulton i pabazuar pretendimi se pasuria ‘Apartament banimi 85.5 m2’ ishte në gjendje karabinaje në momentin e blerjes,” konstaton Sina.

Ai shton se KPK nuk ka vlerësuar drejt as çmimin e blerjes së këtij appartamenti, për të cilin Banushi ka deklaruar se kostoja e blerjes dhe ato të ndërtimit kapin vlerën totale 1.9 milionë lekë. Komisioneri shprehet se vlera e tregut për këtë apartament, sipas Entit Kombëtar të Banesave në vitin 2003 ka qenë 2.9 milionë lekë dhe jo 2 milionë.

Në ankim analizohet edhe mundësia financiare e prindërve për të mbuluar me burime të ligjshme shpenzimet për blerjen e apartamentit. Deklarimet e Banushit se të ardhurat e prindërve kanë si burim blegtorinë, vreshtarinë dhe bletarinë për periudhën 1991-2002 në vlerën 4.496.120 lekë nuk kanë qenë bindëse për Komisionerin.

“Komisioneri Publik, ndryshe nga sa ka vlerësuar Komisioni, konstaton se subjekti i rivlerësimit ka përllogaritur vetë shumën e të ardhurave të sigurura nga aktiviteti bujqësor dhe blegtorial i prindërve të tij, për periudhën 1993-2003, mbështetur në deklarata me shkrim dore, të disa shtetasve, pa datë. Këto të ardhura të llogaritura nga vetë subjekti, nuk bazohen në dokumentacion justifikues për të provuar masën e të ardhurave të pretenduara të realizuara, si dhe faktin nëse për to janë paguar detyrimet tatimore, në mënyrë që të konsiderohen të ardhura të ligjshme në kuptim të nenit D pika 3 e Aneksit të Kushtetutës”, kontsaton Sina në ankim.

Ai shton se bazuar në dokumentacionin ligjor të vënë në dispozicion nga Banushi, totali i të ardhurave nga paga minimale është në vlerën 1.414.680 lekë. “Këto të ardhura nuk mbulojnë shpenzimet për apartamentin, në asnjë nga variantet e vlerave të përllogaritura…,” shprehet Sina.

Ai vlerëson se Banushi ka kryer deklarimi të pasaktë e të pamjaftueshëm dhe se ka mungesë të burimeve të ligjshme për krijimin e të ardhurave që kanë shërbyer për krijimin e kësaj pasurie nga ana e prindërve të subjektit të rivlerësimit.

Në fund, Sina i kërkon Kolegjit që të ndryshojë vendimin e KPK-së për konfirmimin e Banushit dhe të vendosë shkarkimin e tij.