Lajm30 Sep 2021

Komisioneri ankimon vendimin për gjyqtaren Atalanta Zeqiraj

Bazuar në rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit Komisioneri Publik njoftoi, se kishte apeluar vendimin e konfirmimit të gjyqtares së Vlorës Atalanta Zeqiraj, duke kërkuar  nga Kolegji interpretim më të qartë të parimit të proporcionalitetit.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtarja Atalanta Zeqiraj (djathtas) pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Komisioneri Publik njoftoi të enjten se i kishte kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të rishqyrtonte çështjen ndaj gjyqtares së Vlorës Atalanta Zeqiraj. Ankimimi vjen pas një rekomandimi të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit i cili këmbëngul më së shumti në një interpretim më të qartë të parimit të proporcionalitetit i zbatuar në vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në konfirmimin e Zeqirajt.

Komisioneri Dariel Sina e lë në dorë të Kolegjit të vlerësojë nëse vendimi i KPK duhet të qëndrojë apo duhet të prishet. “Në përfundim të gjykimit, të vendosë në mënyrë alternative lënien në fuqi të vendimit nr. 410, datë 30.6.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ose ndryshimin e tij”, thuhet në njoftimin e Komisionerit Publik.

Zeqiraj u konfirmua nga KPK në 30 qershor. Gjyqtarja nuk kishte pasuri të paluajtshme dhe asaj iu gjetën si problem vetëm disa pasaktësi në deklarime kryesisht mbi të ardhurat e babait që KPK vlerësoi se nuk ishin shkarkuese.

Në vendimin e konfirmimit trupa e KPK, Firdes Shuli kryesuese, Roland Ilia relator dhe Etleda Çiftja anëtare, i referohen proporcionalitetit në lidhje me mos deklarimin prej Zeqirajt në deklarimet periodike të burimit të ligjshëm që i kishte shërbyer babait në blerjen e një apartamenti në Vlorë, që gjyqtarja e përdorte pa kundërshpërblim.

Në vendim KPK thotë se Zeqiraj solli prova që babai kishte huazuar nga kompania që zotëronte shumën prej 3.8 milion lekë. Aty po ashtu vihet në dukje se paratë kishin qarkulluar në llogari bankare dhe lëvizja e tyre ishte dokumentuar në librat e kompanisë. Ngjashëm edhe se shuma kishte qenë në dispozicion në llogaritë e kësaj kompanie.

Trupa arsyetoi se edhe pse kishte pasur pasaktësi në deklarim ky veprim dhe veprime të ngjashme nuk ishin të mjaftueshme për ta penalizuar gjyqtaren, e cila nuk kishte pjesë në blerjen e kësaj pasurie.

ONM nga ana e saj rekomandoi që çështja të rishihej nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Vëzhguesit thonë se interpretimi i KPK bazuar mbi proporcionalitetit nuk ishte i qartë dhe se KPA duhej të interpretonte këtë pjesë të vendimit dhe rihetonte pasaktësitë e gjetura.

Komisioneri Publik bazuar në këtë rekomandim konstaton se “paraqiten rrethana të tilla ligjore, që e bëjnë të cenueshëm vendimin në tërësinë e tij”.

Sina thotë në ankim se kërkonte nga KPA të marrë në shqyrtim çështjen dhe të ribëjë  vlerësimin e pasurive në përdorim dhe posedim të subjektit të rivlerësimit, me burim të deklaruar nga të ardhurat e personit tjetër të lidhur me të.

Në ankim Sina bën të qartë se në rastin konkret nuk kishte “shmangie nga detyrimet tatimore”, por se shumat e përdorura në blerje të pasurive të paluajtshme ishin huazuar nga kompania e babait të gjyqtares dhe nuk ishin shpërndarje fitimi, që sipas ankimit i bënte ato “të paprovuara plotësisht” siç kërkohet prej Kushtetutës.

Konkretisht Komisioneri edhe pse pranon se paratë për blerjen e dy pasurive të paluajtshme dhe një makine në përdorim nga gjyqtarja kishin ardhur prej babait të saj, kërkon verifikimin e burimit të ligjshëm për të tre pasuritë dhe një dhuratë. Gjithashtu verifikim shtesë kërkohet mbi dyshimet për konflikt interesi. Komisioneri sidoqoftë e ka bërë ankimin për të tri kriteret.